Siri, thellohen humbjet për ushtrinë e Assad

0
39

Të paktën 16 ushtarë mbetën të vrarë në luftimet e zhvilluara mëngjesin e së dielës në disa rajone të krahinës së Alepos, lajmëroi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Nëse lajmi do të konfirmohet zyrtarisht, atëherë bilanci i viktimave që prej së premtes do të shkojë në rreth 100 persona, 60 prej të cilëve ushtarë.

Së fundmi, dhuna në vend është përshkallëzuar në mënyrë progresive, por bie në sy aftësia e kryengritësve për t’i shkaktuar humbje gjithmonë e më të mëdha ushtrisë së rregullt siriane.

”Të paktën 16 ushtarë mbetën të vdekur në luftimet me rebelët në Daret Aza, në periferinë e Atarebit dhe në një postobllok në fshatin e Kafar Halabit”, informoi Observatori.

OKB thotë se mbi 15 mijë persona kanë humbur jetën nga konflikti në Siri, konflikt i cilësuar nga ndërkombëtarët si një luftë civile.

Përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës vazhdojnë. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët ngulmojnë për largimin e Assad dhe kërkojnë kalimin e një rezolute në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që lejon ndërhyrjen ndërkombëtare. Por, kjo rezolutë kundërshtohet fort nga Rusia dhe Kina, dy anëtaret e përhershme me të drejtë vetoje në këtë Këshill.

Megjithatë, përveç përplasjes diplomatike, Moska dhe Uashingtoni përplasen edhe në terren. Gazetat amerikane flasin për një grup agjentësh të CIA-s të cilët kanë zbarkuar në lindje të Turqisë për të identifikuar eksponentët e opozitës siriane të cilët do të armatosen nga Uashingtoni, ndërsa Moska nga ana e saj ka pranuar se po shtet armë, përfshirë këtu edhe helikopterë ushtarakë për regjimin e presidentit Bashar al Assad./tch/kohaislame