9.2 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Si t’i shfrytëzojmë në mënyrë të zgjuar pushimet e fëmijëve tanë?!

Më të lexuarat

Pushimet, momente qetësimi

Pushimet verore janë gjithnjë një moment qetësimi dhe pushimi, por jo në çdo aspekt. Nuk është shumë; e rëndësishme ku dhe si do i kaloni pushimet verore. Dy gjëra janë shumë esenciale. Që ju të qetësoheni dhe e dyta, të kaloni me familjen një periudhë pushimesh, sado e shkurtër qoftë ajo. Edhe pse shumë familje në fakt nuk i kanë kushtet ekonomike, përsëri ato mundohen të mos heqin dorë nga pushimet. Prindërit përpiqen që gjatë pushimeve verore t’i ofrojnë edhe kutikula verore fëmijëve për të ashtuquajturat, kampe verore ditore apo javore e më tej. Por pushimet në familje kanë vlerën e diçkaje në formën e traditës. Ato janë aq të nevojshme në stinën e verës, pasi s’kanë vetëm vlerë argëtimi, por kanë edhe një vlerë për mirëqenien tonë psikologjike dhe fizike, në jetën tonë personale, familjare dhe atë profesionale.

Ne, në fakt, kemi nevojë të informohemi edhe më shumë për të kuptuar rëndësinë e pushimeve në përgjithësi dhe pushimeve me fëmijët tanë në veçanti. Çfarë na gëzon më shumë ne si prindër se e qeshura e lumtur e fëmijëve tanë?! Për të arritur në atë shkallë që pushimet të sjellin buzëqeshje, duhet që fëmijët të jenë pjesë e zgjedhjeve tona përgjatë tyre. Edhe ata kanë pasur një vit të gjatë e të vështirë studimesh. Prandaj nevoja për t’u qetësuar vlen edhe për ata.

Në këtë këndvështrim dua të vë theksin te fëmijët tanë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj faktit se fëmijët tanë janë të stresuar dhe të lodhur nga një vit i gjatë shkollor e përplot me peripeci. Pra një nga mirësitë e pushimeve për fëmijët është mirëqenia shëndetësore; mirë ushqyerja, qetësia, shëtitjet dhe studimi, sepse izolimi dhe qëndrimi në të njëjtin ambient për shumë kohë shkakton gjymtime psikologjike, por edhe më tej. Pra edhe shëtitjet duhen përfshirë në aktivitetet tona ditore.

Koha për të forcuar marrëdhëniet prindër-fëmijë

Koha e lirë në fakt është me tepri gjatë pushimeve verore. Por kjo s’do të thotë që ne si prindër s’duhet të kujdesemi që fëmijët ta kalojnë këtë kohë sa më mirë që të jetë e mundur. Fëmijët duhet të kalojnë kohën jo vetëm para televizionit, kompjuterit, apo çdo mjeti tjetër teknologjie. Ata duhet të luajnë lojëra reale në ambiente të hapura, duhet të ushtrojnë sporte në varësi të aktiviteteve dhe të fizikut që kanë, duke shkuar në plazh, në mal e në pishina ose në vende me gjelbërim. Shfrytëzimi i kohës së fëmijëve, na ndihmon edhe ne të rriturve të drejtpeshojmë aktivitetet shtëpiake. Përcaktimi i një regjimi ditor krijon një mirëqenie familjare dhe personale për fëmijët. Një gjë shumë e rëndësishme është edhe mësimi i fëmijëve me rregullin dhe kryerjen e detyrimeve personale nga ana e tyre. Për shembull, rregullimi i shtratit, shtrimi i tryezës ose detyrime shtëpiake të lehta, si fshirja e pluhurave, derdhja e mbeturinave, etj. Kuptohet, këto detyrime duhet të jenë me masë, pa u kthyer në stres. Në këtë mënyrë fëmijët qëndrojnë pranë prindërve dhe ndjehen më të lidhur me ta.

Pushimet përbëjnë një shans të mirë për t’u lidhur dhe për t’i njohur më mirë fëmijët. Për shembull, nëse kemi mundësi mund të kalojmë kohë edhe duke vizituar një muze, duke shkuar në kinema, ose duke bërë një shëtitje të zgjatur në park, apo edhe një ndeshje me top, pa lënë pas plazhin apo pishinat. Kjo krijon kënaqësi për të dy palët. Një tjetër vend që duhet të vizitojmë me fëmijët tanë është biblioteka. Duhet t’i dërgojmë atje për të parë se si funksionon, dhe pse jo edhe për t’i marrë një libër që e sugjerojmë ne, por pa ia imponuar titullin, pra zgjedhja e fundit i përket pikërisht atyre. Me rëndësi të veçantë është edhe udhëtimi për pushime me familjen. I jep një rëndësi të veçantë marrëdhënies sonë me vogëlushët tanë. Pushimet duhet të alternohen, mal dhe det. Afati është nganjëherë i lidhur me mundësinë.

Pushimet dhe programimi

Nga sa u tha më lart arrihet lehtë në përfundimin, se pushimet verore janë qetësi, forcim marrëdhëniesh familjare, por më e rëndësishmja është shfrytëzimi i kohës së lirë për disa aktivitete shumë të rëndësishme. Në fakt duhet t’i edukojmë fëmijët të shfrytëzojnë kohën jo vetëm në kohën e pushimeve, por programimi duhet të jetë praktikë e gjithhershme e tyre. Le të përmendim disa tipa të leximit që kanë prioritet gjatë pushimeve verore:

Lexim të librave artistik e letrarë
Lexim dhe rishikim i librave shkollor
Lexim i enciklopedive dhe librave njohës
Të gjitha këto aktivitete kërkojnë një gjë që është e rëndësishme dhe përmbledhëse.

Programi Ditor. Programi ditor, është sistemimi i kohës i cili i jep prioritet shfrytëzimit të kohës pa rënë në përsëritje. Pra ai duhet të jetë i gjatë jo më shumë se 4 orë. Programi duhet të përpilohet bashkë me fëmijët. Por kjo s’do të thotë se në çdo shtrembërim që ata bëjnë ne duhet të dorëzohemi lehtësisht ndaj tekave të tyre.

Orari i programit ditor mendohet të ketë edhe hapësira pushimi. Ky studim gjatë pushimeve është më shumë përsëritës në lidhje me lëndët që kanë kaluar, veçanërisht ku fëmija nuk ka pasur rezultate të mira. Më pas përqendrohemi tek të bërit e trurit të tij një oqean dijesh. Pra dihet se truri i fëmijës thith informacion. Le ta bëjmë atë një mendje të hapur dhe produktive. Në fakt, disiplinimi është një ndër çelësat e suksesit për këdo. Bërja e një orari ditor, në radhë të parë është që fëmija të edukohet dhe të kuptojë që koha ka vlerë dhe duhet shfrytëzuar në mënyrën më të mirë. Ky orar përmban kohën kur fëmija punon me librat e vitit të kaluar, lexon, përsërit dhe kontrollon diturinë e tij. Ky planifikim në fakt do ishte mirë që të mos përfshijë vetëm periudhën e pushimeve, por edhe më gjerë.

Një gjë që vlen për t’u theksuar është se jo të gjithë fëmijët tanë duhet të kenë të njëjtin orar mësimor. Ai duhet të jetë në varësi të kapacitetit, intelektit ose nevojave. Kjo do të thotë, se ne shikojmë së pari lëndët ku ata çalojnë, së dyti prirjet që kanë për lexim, së treti shkathtësinë e individit, pra njëri e mbaron më shpejt një mësim se tjetri, duhet t’i japim pak më shumë ngarkesë. Me anë të orarit ditor në pushime, ne i edukojmë fëmijët me shprehinë e punës, me saktësinë, korrektësinë, pra rrisim një individ më të mirë dhe të dobishëm për veten dhe për shoqërinë.

Ky orar i shërben fëmijës edhe që të dijë se kur është koha për ushqim, për mësim, për lojë për gjumë, për shëtitje, etj. Në zbatimin e programit, prindërit s’duhet të bëjnë kompromise. Pra rrallëherë ky orar mund të shkelet. Duhet të edukohemi që orari bëhet për t’u respektuar dhe jo për t’u varur në mur. Puna duhet të jetë sistematike dhe të bëhet rregullisht. Por duhet të interesohemi në mbrëmje, nëse fëmija e ka zbatuar orarin ditor. Në fakt ka edhe disa elemente që s’mund t’i lëmë pa përmendur, të cilat e ndihmojnë fëmijën të ketë rezultat.

Ai duhet të studiojë çdo ditë në të njëjtin vend, kështu truri i tij në momentin që ulet aty e di përse po përgatitet. Ky vend duhet të jetë i rehatshëm dhe mbi të gjitha i ndriçuar mirë. Planifikimi i ditës së punës është esencial në suksesin e pushimeve tona. Fëmijët duhet të kenë edhe mjete me anë të të cilave shënojnë dhe mësojnë, si: laps, fletore, ngjyra etj.

Mos harroni atë që është më me rëndësi në suksesin e kësaj pune. Mos i anashkaloni dhe mos i harroni pushimet gjatë këtij programi. Pra fëmija mëson, por ka edhe hapësira pushimi. Pushimi e bën më efikas studimin. Një tjetër hallkë me rëndësi është që fëmija ta ketë një ditë në javë pushim dhe argëtim, por pa orar pune me librat, vetëm aktivitete të lehta shtëpiake. Kjo vendosje orari nuk do të ndikojë vetëm te detyrat, por edhe në vendosjen e një ekuilibri në rutinën ditore.

Le të japim një demonstrim të përgjithshëm:

Aktivitetet /Përgjegjësitë

Koha: e hënë, e martë, e mërkurë, e enjte, e premte, e shtunë

E diela me marrëveshje lihet pushim, ose një tjetër ditë në varësi të nevojave.

9:00-10:00 zgjimi dhe ngrënia e mëngjesit.

10:00-11:00 mësimi i një lënde, gjuhë shqipe, matematikë.

11:00 -12:00 leximi i një romani.

12 :00- 16:00 pushim, ngrënia e drekës dhe gjumë.

16:00-17:00 rregullimi i shtëpisë dhe aktivitete të tjera shtëpiake.

17:00-18:00 leximi i një enciklopedie të zgjedhur, por me mbajtje shënimesh.

18:00-19:00 gjuhë të huaja.

19:00-20:00 leximi i një romani.

20:00-21:00 lojëra dhe argëtim si edhe ngrënia e darkës.

Në mbrëmje shikohet diçka në familje në grup.

Orari rregullohet edhe në varësi të kurseve dhe impenjimeve që ka fëmija.

Shpresojmë që me anë të këtyre këshillave t’ju kemi ndihmuar sadopak. Koha s’është diçka që duhet kaluar, por duhet shfrytëzuar. Le të ndihmojmë fëmijët tanë të rriten të zgjuar.

Entela Hidri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit