10.7 C
Pristina
Tuesday, May 7, 2024

Si lidhet shpirti me trupin

Më të lexuarat

Shpirti

Çështja e shpirtit dhe lidhjes së tij me trupin është ndër çështjet më të përfolura, më të padukshme dhe më të paqarta, sepse dituria dhe aftësia fizike e njeriut për ta njohur shpirtin është shumë e kufizuar në krahasim me realitetin e shpirtit si krijesë e Zotit, i Cili në Kuran thotë: “Do të të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni.” (El-Isra: 82)
Sipas një përkufizimi fetar, shpirti është trup i gjallë, por ndryshe nga trupi konkret njerëzor është i lehtë, i lëvizshëm, i përbërë nga drita dhe qarkullon në gjymtyrët e trupit si uji në vena.
Shpirti është pjesa e padukshme e qenies njerëzore dhe më aktivja e saj. Ankthi dhe konfuzioni shpirtëror janë mundim dhe shqetësim serioz për njeriun jo vetëm në këtë botë, por edhe për përfundimin e shpirtit të tij në Botën e përtejme.
Është ky ankth dhe konfuzion që e shtyn gjithmonë njeriun në çdo kohë dhe në çdo vend drejt sigurimit dhe gjetjes së shkaqeve të qetësisë dhe rehatisë shpirtërore në jetën e kësaj bote, por edhe tjetrës.
Natyrisht, njeriu i logjikshëm do të ndjekë atë rrugë që i siguron qetësi, kënaqësi dhe rehati për shpirtin e tij.
Origjina tek shpirti është besimi, qetësia dhe pastërtia e tij, sepse shpirti e fillon ekzistencën e tij me mendimin për Zotin, Krijuesin dhe presupozohet që kjo gjendje ta shoqërojë shpirtin gjatë gjthë jetës së tij, por rrethanat dhe kushtet e shoqërisë apo ambjentit ku jeton ndikojnë mbi shpirtin në aspektin e besimit, qetësisë dhe pastërtisë së tij. Nëse shpirti edukohet, mbrohet dhe ushqehet me gjendjen e tij pozitive fillestare, atëherë do të mbesë një shpirt i qetë, i pastër dhe besimtar, por nëse shpirti pas lindjes së njeriut orintohet drejt mohimit të Zotit, atëherë ai nuk mund të quhet më një shpirt besimtar, e si rrjedhojë ai do të humbë përfundimisht qetësinë dhe rehatinë për aq kohë sa vazhdon në këtë gjendje. Pra pastërtia shpirtërore është rrjedhojë e besimit tek Zoti dhe ky i fundit është kusht për të.
Angazhimi për të pastruar shpirtin nuk është një çështje e thjeshtë dhe atë mund ta arrijë vetëm besimtari i bindur dhe pendues tek Zoti Iitij, sepse sado vështirësi e pengesa të hasë njeriu gjatë rrugëtimit të pastrimit shpirtëror të tij, vendosmëria dhe dëshira për të fituar dashurinë e Zotit do t’ia lehtësojnë dhe do t’i japin atij qëndresë e durim në këtë rrugëtim.
Besimi tek Zoti është kushti i parë për të pasur një shpirt të pastër dhe ky besim është dhuratë nga Allahu i Cili thotë: “ Atë të cilin Allahu e udhëzon, është në rrugë të drejtë, ndërsa atë të cilin Allahu e shpie në humbje, është vërtet i humbur.” (Kuran: 7 – 178). E përderisa udhëzimi është dhuratë nga Zoti, atëherë edhe pastërtia shpirtërore është dhuratë nga Zoti, sepse atë që Allahu e udhëzon drejt besimit, në të vërtetë e ka udhëzuar edhe në pastërtinë shpirtërore.
Çdo gjë e cila ka lidhje me botën tonë shpirtërore Zoti na e ka përmendur në Kuran dhe i Dërguari i Tij, Muhamedi (paqja e Zotit qoftë mbi të) në predikimet e tij, pra rruga e pastrimit të tij është e qartë dhe secili njeri është përgjegjës tek Zoti për shpirtin e tij, ai vetë mund ta shpjerë atë në shkatërrim apo shpëtim.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit