20.7 C
Pristina
Saturday, May 18, 2024

Nevoja për Profetët

Më të lexuarat

Nevoja për Profetët

Dërgesa (profetësia) është dhuratë nga Zoti, të cilën Ai ua jep atyre njerëzve që plotësuan kushtet për tu zgjedhur për të. Ajo nuk mund të arrihet me përpjekje, adhurime, vuajtje, disiplinimin e shpirtit dhe pastrimin e tij nga veset e këqija me anë të aktiviteteve fizike apo mendore, sepse ajo është një gradë përtej kufijve njerëzorë për ta arriur, por është një përzgjedhje e Zotit ndërmjet njerëzve më të dashur tek Ai, “Allahu e di më mirë se kujt ia jep mesazhin e Vet.” (Kuran: El En’am – 124).
Të Dërguarit e Zotit gëzonin të gjitha cilësitë fizike të një trupi njerëzor, ata ushqeheshin dhe trashëgoheshin me fëmijë, pra ishin plotësisht me natyrë njerëzore dhe përjetonin të njëjtat mundime dhe gëzime si të gjithë njerëzit e tjerë, “Dhe ne nuk i kemi bërë ata (të dërguarit) trupa që nuk hanë ushqim, as nuk kanë qenë të pavdekshëm.” (Kuran: El Enbija – 8). Ata nuk ishin hyjnor dhe as kanë pasur cilësi të tilla, sepse natyra njerëzore nuk mund të jetë njëkohësisht edhe hyjnore. Të Dërguarit asnjëherë nuk kanë ftuar njerëzimin në adhurimin e tyre dhe asnjëherë nuk i kanë atribuar vetvetes cilësi të Zotit apo tituj si biri i Zotit etj. “Nuk është (e mundur për) një njeri të cilit Allahu i ka dhënë Librin, dijeninë e gjerë dhe Profecinë, që t’u thotë njerëzve: “Bëhuni robërit e mi dhe jo të Allahut”. Përkundrazi, ai thotë: “Bëhuni robër të ditur të Zotit (që i zbatojnë porositë e Tij), sepse ua keni mësuar Librin të tjerëve dhe e mësoni edhe vetë!” (Kuran: Ali Imran – 79)
Zoti e ka krijuar njeriun dhe i dha atij mjetet e dijes, si një pasues i denjë në terren, por megjithatë aftësia e tij për të njohur të gjithë kozmosin, mbetet e kufizuar, sepse shumica e njohurive i përkasin diturisë së fshehtë, pra asaj diturie që Zoti e fshehu nga njerëzit dhe mundësia e tyre për ta njohur vetë atë është zero. Për këtë arsye njerëzit kanë nevojë për një burim të sigurtë njohurish, në mënyrë që për ata të zbulohen një pjesë e këtyre njohurive të fshehura.
Përderia njeriu është krijuar me qëllim që të adhurojë Zotin e tij, atëherë njohja e mënyrës së adhurimit që dëshiron i Adhuruari, Allahu, është një domosdoshmëri e mënjëhershme. Kjo njohuri nuk mund të përfitohet vetëm me anë të logjikës, prandaj përsëri njeriu ka nevojë për një burim të sigurtë rreth kësaj çështjeje.
Njeriu është një qenie sociale, ai nuk mund të jetojë mirë i vetmuar dhe i distancuar nga krijesat që janë rreth tij, prandaj ai ka nevojë për rregulla dhe parime në ndërtimin e jetës së tij individuale dhe shoqërore. Pa këto rregulla jeta dhe marrëdhëniet e tij me të tjerët do të jenë në kaos dhe konflikt të vazhdueshëm. Njohja dhe zbatimi i këtyre rregullave dhe parimeve hyjnore garanton qëndrueshmëri dhe stabilitet në të gjitha aspektet e jetës së tij, sepse ligjësuesi i tyre, Zoti, është më i Dituri për dobitë dhe dëmet e krijesave të Tij, shto edhe nevojën e njeriut që të njihet me realitetin e Botës tjetër, në të cilën secili do të shpërblehet apo do të ndëshkohet në bazë të veprave të tij, si rrjedhojë prej urtësisë hyjniore është që njeriu të njihet edhe me këtë realitet të rëndësishëm. Natyrisht që burimi i vetëm për çështjet e sipërpërmendura janë profetët që erdhën nga Zoti me detyra dhe funksione.
Cilat ishin funksionet e tyre?
Allahu ka zgjedhur lajmëtarë për të kryer funksione specifike si:
Përcjella e mesazhit të Zotit që është detyra më e rëndësishme e të gjithë të Dërguarve dhe qëllimi kryesor i dërgesës së tyre.
Përcjella e mesazhit hyjnor kërkon guxim dhe trimëri, sepse i Dërguari sjell rregulla dhe parime që janë në kundërshtim me ndjenjat epshore dhe traditat e kqëija të njerëzve, kërcënon dhe paralajmëron udhëheqësit tiranë dhe i urdhëron ata me të kundërtën e asaj që ata e kanë shndërruar në zakon të keq të tyre.
Gjithashtu i Dërguari është besnik në detyrën e tij, ai nuk shton dhe nuk pakëson asgjë nga mesazhi i Zotit që duhet të përcjellë me korrektesën më të madhe tek njerëzit.

Ftesa e njerëzve në Fenë e vërtetë të Zotit dhe sqarimi i detyrave të tyre.
Ky funksion konsiderohet ajka e dërgesës së të Dërguarve të Zotit, sepse në këtë mënyrë ata u mësojnë dhe u dallojnë njerëzve të vërtetën nga e pavërteta dhe i ftojnë ata në pasimin e të vërtetës. E vërteta më e madhe në të cilën ata ftuan njerëzit është monoteizmi apo njeshmëria e Allahut Fuqiplotë me adhurim.
Gjithashtu ata u mësojnë njerëzve se cili është Zoti, cilat janë cilësitë e Tij apsolute dhe të përsosura. I tërheqin vërejtejen atyre nëse i bëjnë Zotit ortak në sundimin e Tij, të barabartë apo të ngjashëm në cilësitë e Tij, apo i atribuojnë Zotit bashkëshorte dhe bir.
Të Dërguarit u mësonin njerëzve adhurimet, si; namazi, haxhi, agjërimi etj. dhe kryerjen e çdo urdhri nga Zoti. Ata i ftuan njerëzit që të shndërrohen në modelet më të mirë për shoqërinë.

Përgëzimi dhe paralajmërimi.
Kjo botë është banesa e punës dhe mbjelljes së veprave të mira për Botën e përtejme. Allahu e krioji njeriun me qëllim adhurmin dhe madhërimin e Tij, prandaj edhe të Dërguarit i përgëzuan me shpërblime të mrekullueshme nga Zoti ata njerëz që e realizuan këtë qëllim dhe në të njëjtën kohë paralajmëruan me dënim të rëndë çdokënd që nuk e realizoi qëllimin e ekzistencës së tij në jetën e kësaj bote: “(Këta janë) të dërguar që kanë sjellë lajme të mira e kanë paralajmëruar, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim ndaj Allahut, pas ardhjes së të dërguarve. Se, Allahu, është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.” (Kuran: En-Nisa – 165). Ky funksion dhe detyrë e të Dërguarve tregon për drejtësinë, urtësinë, mëshirën dhe përkujdesjen e Zotit për njerëzit, duke mos i lënë ata të paditur për qëllimin e ekzistencës së tyre dhe njohjen e Zotit nga ata, por çdokush që u dënua e meritoi atë dënim dhe çdokush që u shpërblye u mëshirua nga Zoti i tij.

Korrektimi i besimit dhe sjelljes së gabuar.
Shejtani vazhdimisht përpiqet në humbjen dhe devijimin fetar dhe moral të njerëzve. Ai dhe pasuesit e tij ua paraqesin njerëzve të keqen si të mirë dhe të gabuarën si të drejtë, prandaj edhe Zoti i Madhëruar nga mëshira e tij për njerëzimin u dërgoi atyre lajmëtarë sa herë që njerëzit devijonin dhe humbnin rrugën e drejtë. Kështu përveç korrektimit të besimit ata korrektuan edhe sjelljet e njerëzve. Profeti Nuh qortoi popullin e tij për adhurmin e statujave, profeti Ibrahim qortoi popullin e tij ndër të tjera edhe për mendjemadheësinë e tyre, profeti Salih e qortoi popullin e tij edhe për shkatërrimin që bënin në Tokë dhe përkrahjen e njerëzve shkatërrimtarë, profeti Lut qortoi dhe kërcënoi popullin e tij edhe për shkak të homoseksualitetit, profeti Shuajb qortoi popullin e tij edhe për korrupsionin ekonomik, ndërsa mesazhi me të cilin erdhi nga Zoti i tij profeti Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të) është për tërë njerëzimin deri në Ditën e Fundit, prandaj ky mesazh përmblodhi të gjitha mesazhet e profetëve të mëparshëm dhe gjithashtu solli udhëzime dhe parime të reja për njerëzimin, në mënyrë që ky mesazh të jetë i vlefshëm dhe dobiprurës në çdo kohë dhe për çdo vend. Adhurimet dhe ligjet në Islam janë të mira dhe të përshtatshme për njeriun e çdo periudhe kohore dhe evolimi material e teknologjik. Zoti yne thotë në Librin e Tij, Kuranin: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (El Maide: 3)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit