10.3 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Si agjëron zemra?

Më të lexuarat

Falënderimet i takojnë All-llahut të Madhërishëm, ndërsa përshëndetjet dhe selamet tona janë mbi profetin Muhammed Mustafa, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasuan gjurmët e tij.


All-llahu i Madhërishëm thotë: “E kush beson Zotin do t’ia udhëzojë zemrën e tij. “S’ka dyshim se udhëzimi i zemrës është udhëzimi kryesor në trupin e njeriut, fillim i çdo vepre të mirë, bazë e çdo pune dhe pikënisje për çdo veprim.”
Është vërtetuar nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sellem) të ketë thënë se: “A nuk ka në trupin e njeriut një copë mishi që nëse përmirësohet ajo përmirësohet i gjithë trupi e nëse prishet ajo prishet i gjithë turpi? Ajo është zemra.”

Pra, përmirësimi i zemrës është lumturi për ty në këtë botë dhe në botën tjetër, e devijimi i saj do të pasojë me ndëshkim që nuk e di askush tjetër përveç All-llahut të Madhërishëm. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Me të vërtetë në të ka përkujtim për ata që kanë zemër apo që hodhën dëgjimin, e ai është dëshmitar.”
Të gjitha krijesat kanë zemër, por realisht ato janë dy; zemra të mbushura me qetësi dhe veprojnë me devotshmëri ndaj All-llahut të Madhërishëm dhe e dyta: zemra që janë të vdekura, të sëmura dhe në to është i gjithë shkatërrimi.
Në lidhje me këtë lloj zemre, pra të zemrave të sëmura dhe të shkatërruara, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Në zemrat e tyre ka sëmundje dhe All-llahu do t’ua shtojë atë…” Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “Thanë: Zemrat tona janë të sëmura, por jo vetëm, ato i ka mallkuar All-llahu me mosbesimin e tyre andaj të pakët janë ata që besojnë.” Ndërsa në një vend tjetër thotë: “A nuk e meditojnë Kur’anin apo në zemrat e tyre ka dryna.” Po ashtu, thotë: “Dhe thanë se zemrat tona janë të mbyllura nga ajo që po na fton dhe në veshët tanë ka perde.”
Pra, duhet ditur se zemrat sëmuren, ato mund të vulosen nga ana e All-llahut të Madhërishëm në mosbesimin e tyre, të mbyllen me dryna dhe si të tilla do të vdesin.
Me të vërtetë zemrat janë të vendosura nga ana e All-llahut të Madhërishëm në zemrat e tyre, por ata nuk kuptojnë dhe nuk dëgjojnë me to, si dhe nuk mund ta njohin All-llahun e Madhërishëm me to. Ashtu siç transmetohet të ketë thënë edhe Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem): “O ndryshues i zemrave, na i bëj të qëndrueshme zemrat tona në fenë Tënde.”

Zemra e besimtarit duhet të agjërojë, gjatë dhe jashtë Ramazanit, dhe se agjërimi i saj bëhet duke e liruar atë nga energjia negative, nga mendimet negative, nga cytjet e djallit, nga mosbesimi, nga besimi në gjëra të kota, nga bestytnitë e shumta, nga qëllimet e këqija dhe synimet e pista.
Zemra e besimtarit është zemër që punon me dashurinë e All-llahut të Madhërishëm, zemër që njeh emrat e bukur dhe cilësitë e larta të Tij ashtu siç e ka përshkruar Ai veten e Tij. Pra, kjo zemër shikon me syrin e besimit në vargjet e emrave dhe cilësive të All-llahut të Madhërishëm, në faqet e krijimtarisë së Tij në gjithësi, dhe në fletët e mrekullisë së All-llahut në krijimin e Tij.

“Libri im është qielli në të cilin lexoj
atë që nuk munda ta lexoja dot në librin tim.”

Zemra e besimtarit ka dritë dhe shkëlqim pas së cilave nuk mbetet vend për errësirë. Ajo është e mbushur me dritën e revelatës së përhershme, mësimeve qiellore, ligjeve Hyjnore, duke i bashkëngjitur kësaj drite edhe dritën e natyrshmërisë që All-llahu i Madhërishëm ka vënë tek shpirti i çdo njeriu. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm në një ajet kur’anor thotë: “Dritë mbi dritë, e All-llahu udhëzon kë të dojë për tek drita e Tij, dhe All-llahu merr shembuj për njerëzit dhe All-llahu për çdo gjë është në dije.”

Zemra e besimtarit shndrit sikurse kandili, ndriçon sikurse dielli dhe shkëlqen sikurse mëngjesi. Zemra e besimtarit kur dëgjon ajetet e Kur’anit i shtohet besimi, kur mendon i shtohet vendosmëria dhe kur mediton në atë që ka krijuar Madhërishëm i shtohet udhëzimi dhe devotshmëria.
Zemra e besimtarit agjëron nga mendjemadhësia, sepse a e di që mendjemadhësia e prish agjërimin, ngase ajo nuk mund të zërë vend në zemrën e tij, pasi është prej të ndaluarave. Mendjemadhësia e ka vendin në zemër, vendbanimi dhe vendqëndrimi i saj është zemra, andaj nëse ajo zë vend në të do të thotë që ky njeri ka zemër të sëmurë, është jonormal dhe i humbur.
All-llahu i Madhërishëm në një prej haditheve kudsi thotë: “Krenaria dhe Madhëria janë cilësitë e Mia e kush më ndërhyn në to do ta dënojë.” Po ashtu, është vërtetuar nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) të ketë thënë se: “Kush krenohet para All-llahut do ta poshtërojë e kush përulet përpara All-llahut do ta ngrejë.”
Zemra e besimtarit agjëron edhe nga vetëpëlqimi. Vetëpëlqimi është të atribuarit ndaj vetes cilësinë e përsosmërisë dhe ndjenjën se je më i mirë se të tjerët, ke cilësi dhe aftësi që nuk i kanë të tjerët, e kjo është vetë shkatërrimi i njeriut.
Nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) është vërtetuar të ketë thënë: “Tri gjëra janë shkatërruese: vetëpëlqimi, bindja në pamjaftueshmëri dhe pasimi i egos apo epshit.”
Shërimi i kësaj sëmundjeje është të shikuarit në mangesitë e vetes, në gabimet e tij, në qindra-mijëra gabime e mëkate që mund të bëjë njeriu, mëkatet që i kujtohen dhe që mund t’i ketë harruar, sepse ato janë të njohura tek All-llahu i Madhërishëm, në librin tek i cili nuk mund të humbasë asgjë.
Zemra e besimtarit agjëron nga xhelozia, sepse xhelozia shkatërron veprat e mira, shuan dritën e zemrës dhe pengon rrugëtimin e saj drejt All-llahut të Madhërishëm. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “A po i xhelozojnë njerëzit në mirësitë që u ka dhënë All-llahu.”
Në një transmetim që është vërtetuar Profeti (sal-lallllahu alejhi ve sel-lem) thotë: “Mos xhelozoni, mos urreni, mos tradhtoni, mos përgojoni dhe mos të shesë dikush atë që i ka shitur tjetrit.”
Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem), po ashtu, i kishte informuar shokët e tij tri herë radhazi për një njeri që do të hynte në Xhennet nga të pranishmit dhe kur ai u pyet se çfarë vepronte dhe me cilën punë e kishte merituar një gjë të tillë, u ishte përgjigjur se: “Nuk ndodh të fle e në zemrën time të ketë urrjetje ndaj besimtarëve, xhelozi ndaj tyre, mashtrim apo tradhëti.” A thua të ketë ndonjë zemër që agjëron siç agjëronin këta të devotshëm?

“Agjërimi i të devotshmëve ka butësi për tek Mëshiruesi, Zot i gjithësisë.
Zemrat e tyre agjërojnë në çdo kohë. Ndërsa në syfyre ata falje kërkojnë.”

O All-llah, na i udhëzo zemrat tona drejt rrugës Tënde të vërtetë dhe na i bëj ato të qëndrueshme në besim, o All-llahu ynë!

Aid el Karni: “30 Mësime për agjëruesit”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit