12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

“Shumë skandale në Evropë kanë hyrë në regjistrin e përgjakur të Vatikanit”

Më të lexuarat

Serioziteti i skandaleve brenda Kishës Katolike relativizohet me mesazhe të tipit “mea culpa”, dhe në këtë mënyrë kisha synon të shfaqet e pafajshme, edhe pse është fajtore, vlerëson Şenocak nga Instituti i Studimeve Evropiane

 

Shefja e UNESCO-s për Lidership Evropian në Diplomaci Kulturore, Shkencore dhe Inovative pranë Institutit të Studimeve Evropiane në Bruksel, Naciye Selin Şenocak, tha se skandalet në kuadër të Kishës Katolike nuk përbëhen vetëm nga ngacmimet seksuale, por se shumë krime të tjera kanë hyrë “në regjistrin e përgjakur të Vatikanit”.

Duke folur për Anadolu Agency (AA) në lidhje me skandalin e fundit, sipas të cilit mbi 300 priftërinj akuzohen për abuzime seksuale pas një raporti të publikuar nga Gjykata e Lartë e Pensilvanisë në SHBA javën e kaluar, Şenocak tha se skandalet e këtilla nuk janë të reja.

Sipas saj, edhe përkundër përpjekjeve të Vatikanit për t’i fshehur ato, krimet e këtilla kanë filluar të dalin në dritë pasi aktualisht rastet zbardhen në gjykata civile, e jo si më parë në Gjykatën Papale, dhe rastet reflektohen edhe në mediume.

“Në vitin 2002, Benedikti i 16-të, duke mos i parandaluar skandalet e kishës, për mediat bëri deklaratë të natyrës ‘mea culpa’ (faji/mëkati im). Papa kishte pranuar se mes viteve 1950-2002, 4.450 priftërinj kishin qenë të përfshirë në ngacmime dhe incidente të devijimit. Kjo gjendje rezultoi me dorëheqjen e papës për herë të dytë pas 598 vitesh në historinë e Vatikanit”, tha Şenocak.

“Në SHBA u hapën mijëra padi nga gjykatat civile, si rezultat i të cilave u vendos që mbi 100 mijë viktimave të ngacmimeve dhe përdhunimeve ndaj fëmijëve t’u paguhej dëmshpërblim prej 2,2 miliardë dollarësh nga ana e Kishës Katolike. Këto skandale nuk kufizohen vetëm me raste ngacmimesh seksuale. Në vitin 2014, 800 kufoma foshnjash u gjetën në kanalizimin e jetimores katolike Tuam në Irlandë, e cila udhëhiqet nga priftërinjtë. Skandale të shumta të ngjashme në Evropë kanë hyrë në regjistrin e përgjakur të Vatikanit”, shtoi Şenocak.

– Ideologjia “mea culpa” e Vatikanit

Sipas Şenocak, skandalet si abuzimi me fëmijët menaxhohen shumë mirë nga Vatikani dhe media perëndimore.

“Serioziteti i incidenteve relativizohet kryesisht me mesazhe të tipit ‘mea culpa’. Në këtë mënyrë, Kisha e Vatikanit bëhet e pafajshme, edhe pse është fajtore”, vlerëson Şenocak.

“Deklarata e papës: ‘Përgjëroj Perëndinë t’i falë këto mëkate dhe këtë skandal’, pas skandalit të fundit në Irlandë, vendosja e kësaj deklarate në titull dhe në plan të parë nga ana e medias perëndimore në vend të aktualizimit të vetë krimit dhe theksimi i ‘mea culpa-s’, synonte të krijohej perceptimi i pafajësisë duke marrë për bazë edhe dëmshpërblimet e mëdha të paguara nga Vatikani”, shtoi ajo.

Megjithatë, sipas saj, dinjiteti njerëzor dhe dhimbjet e përjetuara nuk tejkalohen as me para, as me kërkimfalje. Nga ana tjetër, thotë Şenocak, reflektimi i këtyre ngjarjeve në media ka shkaktuar që brezat e rinj në botë dhe veçanërisht në Evropë të largohen nga kisha dhe të orientohen në fe alternative.

Ajo vlerëson se para 11 Shtatorit, brezat e rinj të krishterë të Evropës që nuk gjenin spiritualitetin në botën katolike kishin shprehur interesim për Islamin dhe në këtë periudhë kishte ndodhur një proces i përqafimit të fesë islame, gjendje kjo e cila, sipas saj, shkaktoi që në vitet 90-të shumë organizata “think tank” me qendër në SHBA ta cilësojnë këtë si kërcënim kryesor, ta zhvillojnë konceptin e “përplasjes së civilizimeve” dhe më pas ta shfaqin Islamin si fe të terrorizmit.

– Masakra e Natës së Bartolomeut

Şenocak më tej thotë se në botë gjenden 1,7 miliard muslimanë dhe nga shqetësimi për rritjen e vazhdueshme të kësaj shifre, qarqe të krishtera i kanë përshpejtuar propagandat anti-islame.

“Fatkeqësisht, vendet muslimane janë të pazëshme si për njoftimin e skandaleve të Vatikanit, ashtu edhe për propagandën e zezë që bëhet ndaj Islamit nga media perëndimore dhe nuk ndërmerr hapat e duhur”, shprehet Şenocak.

Şenocak vlerëson se asociimi i Islamit me tmerrin nga ana e botës së krishtere “është mohim psikologjik i devijimit narcisist”, duke shtuar se tmerri dhe konfliktet më të përgjakura në histori i kanë bërë të krishterët në përleshjet sektare të tyre.

Duke folur për Masakrën e Natës së Bartolomeut, ajo tha se gjatë kësaj masakre, katolikët vranë 3.000 hugenotë dhe 70 mijë protestantë francezë.

“Krahas kësaj, tetë milionë njerëz u vranë gjatë luftrave 30-vjeçare, përleshjes më të përgjakshme dhe të tmerrshme në historinë e Evropës Qendrore, ndërsa gjatë viteve të urisë që shkaktoi kjo luftë ndodhën edhe raste të kanibalizmit. Ushtarët e sekteve armiqësore hanin mishin e njëri-tjetrit. Po ashtu, në Kryqëzatën e Katërt në shekullin e 12-të, katolikët që erdhën atë kohë në Konstantinopojë, Stambollin e sotëm, dogjën dhe shkatërruan pronat e ortodoksëve dhe madje edhe Ajasofinë”, thotë Şenocak.

Paralelisht me këtë, sipas saj, “Shteti Emevit i Andaluzisë solli ‘paqen dhe tolerancën’, filozofinë themelore të Islamit, në Evropë dhe Spanjën e varfëruar dhe errësuar nga konfliktet sektare në Andaluzi”.

“Me çdo fushë të shkencës dhe artin e tij, e ngriti Evropën në nivel civilizimesh bashkëkohore. Në të njëjtën mënyrë, qoftë Shteti Selçuk i Anadollit, Qoftë Perandoria Osmane, i tregoi Evropës respektin ndërfetar, tolerancën dhe bashkëjetesën në paqe”, tha për AA Naciye Selin Şenocak.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit