18.9 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

“Shteti laik”, kundër shamive fetare – Mbi debatin rreth shamisë…

Më të lexuarat

Një shtet nuk mund të cilësohet si laik, nëse vepron si mekanizëm shtypës ndaj një bashkësie, komuniteti, grupi, apo individi, qoftë edhe fetar, për t’iu bërë vend qejfeve të të tjerëve.

Shkruan: Imer Topanica

Kështu nuk mund as të lexohet e as të interpretohet Neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Mirëkuptim mund të kemi vetëm për lexuesin, intelekti i të cilit, nuk ka fuqi të kalojë përtej një niveli literal të tekstit. E megjithatë, kështu duket se kuptohet ky nen, kur bëhet fjalë për liritë dhe të drejtat e vajzave/grave me shami.

Shamia (mbulesa islame), e cila sipas Bashkësisë Islame të Kosovës, «nuk është uniformë fetare», ka rënë pre e një udhëzimi administrativ i lëshuar në vitin 2014 (UDHËZIM ADMINISTRATIV (I MASHT) NR 06/2014 KODI I MIRËSJELLJES DHE MASAT DISIPLINORE PËR NXËNËS TË SHKOLLAVE TË MESME  TË LARTA).

Kështu, për fetarët, shteti legjitimoi shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të vajzave me shami, ndërsa për laikët, shteti, thjesht, manifestoi “laicitetin” e tij.

HISTORI POLEMIKASH  

Në këtë rrëmujë polemikash mjaft të ashpra, shpesh tendencioze, përjashtuese e stigmatizuese, e rëndësishme është të kuptojmë se si duhet trajtuar kjo e drejtë në kontekstin e normave ligjore laike e sekulare. Durim Berisha, avokat dhe studiues i jurisprudencës, duke u përfshirë në debatin e pashterur publik i referohet Marlok-ut:

«Konstitucionalisti i njohur gjerman Prof. Dr. Martin Morlok thekson se përmes mbulimit të saj, një femër shpreh qartazi se ajo kërkon t’i respektohet privatësia. Pra nuk ka të bëj vetëm me çështjen e manifestimit të besimit të saj, por edhe me një të drejtë tjetër themelore.

Një interpretim i tillë, e nxjerrë çështjen e mbulesës nga diskutimi rreth laicizmit, sekularizmit dhe neutralitetit të shtetit në çështje të fesë. Nuk ka konstitucionalist tjetër që e ka trajtuar në këtë mënyrë këtë temë.»

Po pra, Marlok duket që së pari është përpjekur ta kuptojë dimensionin fetar që ngërthen çështja e shamisë në vetvete, pastaj ta ballafaqojë atë, me normat laike e sekulare. Pikërisht, në dimensionin fetar, veshja islame që e përfshinë edhe shaminë, nuk nënkupton vetëm një akt devotshmërie në raport me Zotin, por edhe një preventivë mbrojtëse për vajzën apo gruan muslimane. Për më tepër, siç e heton konstitucionalisti gjerman, edhe një shenjë që bënë thirrje për respektimin e privatësisë.

«Ajo që është thelbësore është se nëse dëshirojmë t’u akordojmë studentëve respekt të barabartë dhe të mbrojmë lirinë e ndërgjegjes së tyre, atëherë kjo nuk mund të arrihet duke hequr fenë nga shkolla në tërësi, por duke u siguruar që shkolla nuk merr karakter të tillë që favorizon cilëndo fe» – thonë studiuesit  Jocelyn Maclure e Charles Taylor te libri i tyre i njohur: Laiciteti dhe Liria e Ndërgjegjes.

Shkurt dhe qartë, ndërsa e trajtojnë çështjen e manifestimit të fesë në atë që njihet si publike, konstatojnë se:

«Në shoqëritë ku mbizotëron liria e ndërgjegjes, shprehjes dhe asocimit, feja nuk mund të kufizohet në limitet strikte të shtëpisë apo të tempujve.

SPIRALET E DHUNËS

Debati u rikthye në ditët e para të muajit ramazan, s’i të ishte porositur, ndërkohë që vendi po ballafaqohet me një krizë të rëndë ekonomike. Ndonëse mund të ketë rrjedhur spontanisht, efekti i tërheqjes së vëmendjes në kuadër të opinionit publik, është, si gjithherë, i jashtëzakonshëm.

Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë marrë vota në emër të eliminimit të këtij problemi, deri më tani nuk janë treguar të zot për ta fshirë një herë e mirë këtë temë nga lista e problemeve tona. Për më shumë, vetë Kryeministri Albin Kurti, i cili dikur si kryeopozitar dukej i prerë në këtë çështje teksa thoshte se «Lëvizja Vetëvendosje është kundër ndalimit të shamisë për vajzat mbi 16 vjeç, duhet ta kenë fytyrën e zbuluar sepse përndryshe është i pamundur identifikimi. Ne insistojmë në atë çfarë ka në kokë e jo mbi kokë», ka qëndruar i heshtur përball problemit.

E keqja nuk është debati, ai pa mëdyshje duhet të vijojë, një shoqëri demokratike e ka për identitet atë, por që duke mos u zgjidhur çështja, po krijohet një diskurs i dhunshëm, stigmatizues e kërcënues.

Ky diskurs, është vetëm një hap larg veprimit të dhunshëm.

Fjala vjen, rasti i fundit i shkollës në Gjakovë, prodhoi një reaksion të vrullshëm në rrjetet sociale, ndërsa sipas avokatit Arianit Koci, drejtoresha Florentina Gjergjaj, u kërcënua me jetë.

Kuptohet, kërcënimet janë të papranueshme dhe organet e rendit dhe drejtësisë duhet ta hetojnë sa më shpejt rastin, por po ashtu, “shteti laik” duhet të mos vonohet në shfuqizimin e atij udhëzimi diskriminues.

Akti “shovinist” i drejtoreshës Gjergjaj (siç u cilësua nga disa), mund të ketë ndodhur pa e pasur për qëllim provokimin e një bashkësie të tërë fetare, në këtë rast të muslimanëve, por ai ishte i mbështetur në një udhëzim administrativ. Prandaj këtu vjen në shprehje shteti…

Duhet ta kuptojmë që shoqëria jonë nuk është homogjene në kuptimin kulturor – fetar, prandaj shteti duhet të na shërbej si një mekanizëm për akomodimin e kërkesave të bashkësive, grupeve, e individëve, deri në momentin kur këto kërkesa nuk i shkelin liritë dhe të drejtat e të tjerëve./FolDrejt/  

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit