Beogradi: “Do të tregojmë se çfarë është fshehur deri më tani”
Një paradë e paralajmëruar e Ushtrisë Serbe e quajtur “Fuqia e Unitetit” është planifikuar për 19 shtator në Beograd, ku thuhet se do të shfaqen të gjitha përparimet teknologjike dhe blerjet më të fundit të armëve dhe pajisjeve ushtarake.
Ministri i Mbrojtjes Bratislav Gashiç dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Gjenerali Milan Mojsiloviç, zhvilluan një takim në Beograd më 12 gusht për të diskutuar paradën në fjalë.
Pjesëmarrësit u informuan për nivelin e përgatitjeve për paradën ushtarake, dhe u fol edhe për mbështetjen që qeveria dhe bashkia do të ofrojnë në organizimin e kësaj shfaqjeje force.
Gashiç shprehu kënaqësinë e tij me përgatitjet e deritanishme, si dhe besimin e tij se të gjithë qytetarët e Serbisë do të jenë krenarë për paradën e ardhshme ushtarake “Fuqia e Unitetit”.
“Parada ushtarake ‘Fuqia e Unitetit’ do të jetë një mundësi e shkëlqyer për t’i treguar publikut vendas dhe ndërkombëtar se sa shumë kanë përparuar Forcat e Armatosura Serbe, falë Presidentit të Republikës dhe Komandantit Suprem Aleksandar Vuçiç, në periudhën e kaluar, sa më të forta dhe më të përgatitura janë për t’u kujdesur për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, si dhe për të qenë një pengesë për të gjithë ata që nuk ia duan të mirën Serbisë”, tha ministri Gashiç, një qasje karakteristike e mbrapshtë serbe, duke pretenduar se nuk është ajo agresorja e fqinjëve por e agresuar prej tyre.
Edhe vetë Vuçciç e njoftoi paradën që në korrik, duke thënë:
“Kemi punuar shumë në muajt e fundit për pajisjen, modernizimin dhe forcimin e Ushtrisë Serbe, më shumë se kurrë më parë. Do të mbajmë një paradë të madhe ushtarake, në mënyrë që të shihni atë që njerëzit nuk e dinë se kemi. E kemi fshehur këtë, këto janë ndryshime të mëdha në Ushtrinë Serbe në periudhën e ardhshme”.
Mesazhet serbe shkojnë më shumë për Kroacinë, rivalen e saj tradicionale, armatosur së fundi nga amerikanët, duke qenë dhe vend i NATO-s. Më pas vjen Kosova, që po ashtu ka mbështetje amerikane në armatim, si dhe turk, ku veçojnë dronët Bayraktar.
Më shumë se kaq, si Kosova e si Bosnja janë nën mbrojtje të posaçme turke, ndryshe nga vite më parë që nuk e kishin atë për shkak të një Turqie të dobët, gjë që i ekspozoi ndaj krimeve gjenocidale serbe. /tesheshi.com/
