12.7 C
Pristina
Friday, May 10, 2024

Shqipëri – Rama: FETO/PDY është një rrjet i rrezikshëm, po e ndjekim me vëmendje

Më të lexuarat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi të hënën se organizata terroriste gyleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY) është një rrjet i rrezikshëm…

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi të hënën se organizata terroriste gyleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY) është një rrjet i rrezikshëm.

I ftuar në emisionin “Tonight Ilva Tare”, në televizionin privat shqiptar “Ora News”, Edi Rama bëri vlerësime të rëndësishme në lidhje me marrëdhëniet turko-shqiptare, mbështetjen e Turqisë për Shqipërinë në përgjithësi dhe pavarësimin e Kosovës në veçanti, si dhe për elementët e FETO/PDY-së në Shqipëri.

Shefi i Tiranës zyrtare theksoi se Turqia është tradicionalisht një vend mik i Shqipërisë dhe gjithashtu partner strategjik.

“Marrëdhëniet tona janë shumë pozitive, por e vërteta është që unë shpresoj për më shumë investime turke në Shqipëri dhe po punoj në këtë drejtim, sepse bilanci ynë tregtar, edhe pse në rritje, është ende shumë larg potencialit që kemi”, tha ai.

I pyetur në lidhje me elementët e FETO/PDY-së në Shqipëri, Rama u përgjigj me këto fjalë: “Mund të them se ky është një rrjet i rrezikshëm, i cili organizoi një tentativë për të rrëzuar me dhunë, përmes armëve, një qeveri të zgjedhur në Turqi. Sa i përket Shqipërisë, ne sigurisht që jemi duke i mbajtur nën vëmendje njerëzit, individët të cilët supozohen të jenë të lidhur me këtë rrjet, sepse bëhet fjalë për sigurinë tonë kombëtare.”

Kryeqeveritari shqiptar tërhoqi vëmendjen se organet përkatëse ndjekin me kujdes çdo informacion apo individ, që mund të pranohet si një kërcënim potencial dhe kjo nuk vlen vetëm për FETO-n, por edhe për grupe të tjera.

Rama tha gjithashtu se vlerëson lart mbështetjen e Turqisë dhe Presidentit Recep Tayyip Erdogan për pavarësimin e Kosovës.

I pyetur për investimet, për të bashkëpunuar me Turqinë në lidhje me ndërtimin e aeroportit të Vlorës, Rama tha se në këtë pikë nuk ka asgjë të keqe.

“Pse çfarë ka Turqia? Është një partner strategjik i ynë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat strategjik, Turqia është partner strategjik. Nuk është se na erdhën nga Amerika apo Gjermania dhe i thamë ‘prit se do ta bëjmë me Turqinë’. Është biznes dhe ne po punojmë për një marrëveshje të favorshme. T’i japim Shqipërinë aeroportin e dytë strategjik për zhvillimin e vendit. Shpresoj shumë të fillojmë ndërtimin e aeroportit të Vlorës në muajt e verës dhe të çelim brenda këtij viti edhe aeroportin e Kukësit, i cili do të jetë për një kategori tjetër fluturimesh dhe më në fund Shqipëria të ketë linjën e vet ajrore. Jam mirënjohës pafund të përfshirjes së ‘Turkish Airlines’ në këtë proces, pasi është një garanci për suksesin e ‘Air Albania’, kompanisë sonë ajrore”, nënvizoi Kryeministri Rama.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit