Në një shkresë të përbashkët drejtuar Kancelares gjermane, Angela Merkel dhe Presidentit francez Emmanuel Macron, krerët e bashkësive fetare në Shqipëri kërkuan mbështetjen e tyre për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE.
-Hapja e negociatave me BE-në, klerikët fetarë në Shqipëri apel Merkelit dhe Makronit 
Në një shkresë të përbashkët drejtuar Kancelares gjermane, Angela Merkel dhe Presidentit francez Emmanuel Macron, krerët e bashkësive fetare në Shqipëri kërkuan mbështetjen për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE.
Udhëheqësit e bashkësive fetare në Shqipëri bënë apel për një vendim pozitiv të tyre për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ata i dorëzuan letrën Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushatit.
“Në këtë moment të një rëndësie të madhe, dëshirojmë të theksojmë edhe një herë atë që kemi shprehur kohët e fundit në deklaratën tonë të përbashkët të datës 21 prill 2018: ne shqiptarët jemi pjesë e Europës. Ne jemi pjesë e një historie që shtrihet në origjinën e Europës. Është një histori që ka rrënjë mijëravjeçare. Rrënjë të përbashkëta kulturore dhe sociale na lidhin. Jemi të bindur se rruga drejt Bashkimit Europian përfaqëson dëshirën e kahershme të njerëzve tanë, si edhe vlerat e një shoqërie të lirë ku çdokush mund të ushtrojë të drejtat e tij e ndër to, e drejta e lirisë dhe besimit fetar është thelbësore. Ne i jemi mirënjohës Zotit për faktin se historia e popullit shqiptar ka treguar një jetëgjatësi të qëndrueshme të vlerës së respekti
t për dallimin fetar, duke jetuar së bashku në harmoni si një familje.
Rruga drejt Bashkimit Europian është veçanërisht kritike për rininë tonë. Të rinjtë shqiptarë renditen mes euro-entuziastëve më të fuqishëm, e megjithatë ata ndjehen më të frustruar, sepse edhe pse jetojnë pranë shokëve të tyre europianë, janë të përjashtuar nga të njëjtat mundësi. Mbështetja juaj për Shqipërinë në procesin e pranimit, në këtë moment kritik, kur vlerat e tolerancës, solidaritetit dhe të drejtave të njeriut kërcënohen nga radikalizmi, fanatizmi dhe ideologji të tjera si këto. Ju bëjmë thirrje të pranoni dëshirën e sinqertë të të gjithë shqiptarëve, dhe të na mbështesni në angazhimin tonë të pakthyeshëm për një Shqipëri si pjesë e Europës.
Me lutje të zjarrtë, ne riafirmojmë angazhimin tonë për të mbetur mbështetës të palëkundur të vlerave europiane të një shoqërie me liri, drejtësi dhe prosperitet për të gjithë”, thuhet në letrën e tyre.
Nga ana e tij, ministri Bushati falënderoi komunitetet për “angazhimin e tyre në momente kyçe dhe me rëndësi kritike për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe vlerësoi kontributin e këtyre komuniteteve në ruajtjen e harmonisë fetare dhe fuqizimin e kohezionit social në Shqipëri”.
“Ju keni dhënë shembullin më kuptimplotë që ne jemi evropianë dhe tani është momenti i duhur për secilin prej nesh të ndjekim shembullin tuaj” – u shpreh Ministri Bushati.
