Ka thënë dijetari Ebu Lejth:
“Kush ulet me tetë lloje njerëzish, Allahu ia shton tetë gjëra:
1. Kush ulet me të pasurit, Allahu ia shton dashurinë për dynjanë dhe dëshirën për të.
2. Kush ulet me të varfrit, Allahu ia shton falënderimin dhe kënaqësinë me caktimin e Allahut.
3. Kush ulet me sundimtarët, Allahu ia shton ashpërsinë dhe mendjemadhësinë.
4. Kush ulet shumë me gratë, Allahu ia shton paditurinë dhe epshin.
5. Kush ulet me fëmijët, i shtohet loja dhe shakatë.
6. Kush ulet me mëkatarët, i shtohet guximi ndaj gjynaheve dhe vonimi i pendimit.
7. Kush ulet me të devotshmit, i shtohet dëshira për adhurime dhe bindje ndaj Allahut.
8. Kush ulet me dijetarët, i shtohet dija dhe devotshmëria.”
[“Mefatih el-Gajb” i Raziut]
Imam Ibn Muflih رحمه الله ka thënë:
“Mos të të pikëllojë fjala e njerëzve për ty; nëse është gënjeshtër, atëherë është një vepër e mirë që nuk e ke bërë, por të është shkruar si shpërblim. E nëse është e vërtetë, atëherë është një gjynah të cilit iu shpejtua dënimi në këtë botë.”
[El-Adab esh-Sher’ijje]
Disa dijetarë elokuentë kanë thënë:
“Ndonjëherë sëmundja është:
1. Pastrim, jo mundim;
2. Kujtesë, jo poshtërim;
3. Edukim, jo shtypje.”
[Tehsin el-Kabih ue Takbih el-Hasen]
Allahu i Lartësuar ka thënë:
“Po, kush fiton një të keqe dhe gjynahu e përfshin nga të gjitha anët, ata janë banorët e Zjarrit; aty do të qëndrojnë përgjithmonë.”
Ibn Tejmije رحمه الله ka thënë:
“‘Përfshirja e gjynahut’ do të thotë që ai e rrethon njeriun aq shumë sa nuk mund të dalë prej tij. Kjo është robëria e shpirtit nga ajo që ka fituar vetë. Gjynahet janë zinxhir dhe burg për njeriun; e pengojnë të ecë lirshëm në hapësirën e teuhidit dhe ta shijojë frytin e veprave të mira.”
[Mexhmu’ el-Fetaua]
El-Mervedhiu ka thënë:
“Një ditë hyra tek Ahmedi ibn Hanbeli dhe i thashë: ‘Si u gdhive?’
Ai tha:
1. Si mund të zgjohet i qetë ai njeri të cilit Zoti i kërkon kryerjen e farzeve,
2. Pejgamberi i kërkon ndjekjen e sunetit,
3. Dy melaiket i kërkojnë përmirësimin e veprave, ndërsa nefsi e thërret kah dëshirat e veta,
4. Iblisi e thërret kah e keqja dhe shthurja,
5. Engjëlli i vdekjes pret t’ia marrë shpirtin,
6. Ndërsa familja e tij kërkon prej tij furnizimin dhe shpenzimet.”
[El-Adab esh-Sher’ijje]
