A ka zbritur ky ajet enkas për muezinët?
Fjala e Allahut të Lartësuar:
وَمَنْ أَحْسَنُ قَوْلًا مِّمَّن دَعَا إِلَى اللَّهِ وَعَمِلَ صَالِحًا وَقَالَ إِنَّنِي مِنَ الْمُسْلِمِينَ.
“E kush është më fjalë mirë se ai që fton tek Allahu, kryen vepra të mira dhe thotë: ‘Unë, pa dyshim, jam prej myslimanëve’?” [Fusilet: 33].
✍ • Hafidh Ibn Rexhebi ka thënë:
Është thënë se fjala e të Lartësuarit: “E kush është më fjalë mirë se ai që fton tek Allahu dhe kryen vepra të mira…”, ka zbritur posaçërisht për muezinët; kjo gjë transmetohet nga një grup prej sahabëve.
✍ • Hafidh Ibn Kethiri ka thënë:
E vërteta është se ajeti ka kuptim të përgjithshëm, duke përfshirë muezinët dhe të tjerët. Sa i përket rrethanave të zbritjes së këtij ajeti, ezani në atë kohë nuk ishte institucionalizuar ende në parim, ngaqë ky ajet është mekkas (ka zbritur para hixhretit), ndërsa ezani u ligjërua vetëm në Medinë pas shpërnguljes (hixhretit), atëherë kur Abdullah ibn Zejd ibn Abd Rrabihi el-Ensari – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – e pa atë (ezanin) në ëndërr dhe ia rrëfeu të Dërguarit të Allahut ﷺ. Ai (Profeti) e urdhëroi që t’ia diktonte atë Bilalit, për shkak se ky i fundit zotëronte zë më kumbues (më të plotë), ashtu siç është e shtjelluar në vendin e vet përkatës. Rrjedhimisht, është e padyshimtë që ajeti mbart kuptim të përgjithshëm.
Përktheu: hoxhë Fatjon Isufi
