Shkaku i Poshtrimit!
✍ Dr. Muhamed Abdulkerim esh-Shejh
Falënderimi i qoftë Allahut vetëm Atij, dhe paqja e bekimi qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka më profet.
Sot, përkulja dhe poshtrimi i një mase të madhe të myslimanëve para Perëndimit nuk buron nga dobësia e forcës, siç mendojnë shumëkush, por nga dobësia e besimit dhe bindjes së sigurt, si edhe nga çrregullimi i lidhjes dhe përkatësisë ndaj umetit.
E ky ummet nuk do të rikthejë dinjitetin e tij, veçse duke korrigjuar këtë themel.
Kur elitat rriten mbi mahnitjen ndaj Perëndimit, lehtësohet tek ata heqja dorë nga çështjet e umetit; madje, ndihma e armikut, në sytë e tyre, shndërrohet në “interes”! Atëherë gjen njerëz që shesin fenë dhe dinjitetin e umetit të tyre për një karrige apo për kënaqësinë e armiqve të Allahut.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Ky (poshtërim) është për shkak se ata e deshën jetën e kësaj bote më shumë se Ahiretin.” (En-Nahl, 107)
Ndoshta shkaku më i theksuar i këtij poshtrimi është admirimi i pakushtëzuar ndaj modelit perëndimor, madje edhe në pjesën e degjenerimit të tyre moral e sjellor.
Ky veprim ska dyshim se bie ndesh me udhëzimin profetik, sepse Profeti ﷺ e paralajmëroi umetin e tij të mos e kërkojë shpëtimin tek të tjerët.
Profeti ﷺ e qortoi Umer ibën Hatabin ― Allahu qoftë i kënaqur me të ― kur ky u përlot nga ashpërsia e jetës që pa tek Profeti, dhe e krahasoi me luksin e persëve dhe romakëve.
Atëherë Profeti ﷺ i tha:
“A je në dyshim, o i biri i Hattabit? Ata janë një popull të cilëve u është dhënë kënaqësia e tyre në këtë jetë.”
Dhe në një transmetim tjetër:
“A nuk të mjafton ty që ata të kenë dunjanë, ndërsa ne Ahiretin?” (Transmetuar nga Buhariu)
Ky parim u rrënjos thellë në zemrën e Umerit. Kështu, kur myslimanët çliruan Shamin, ai u tha Ebu Ubejde Ibnul-Xherrahut dhe ushtrisë:
“Ne jemi një popull që Allahu na nderoi me Islamin; dhe kurdo që kërkojmë nderin në diçka tjetër, Allahu na poshtëron.”
Madje, Profeti ﷺ mbillte në zemrat e shokëve të tij besimin e plotë në premtimin e Allahut dhe në ndihmën e Tij, edhe në çastet më të errëta të dobësisë e torturës.
Ai i tha Habab ibën El-Erettit dhe të tjerëve, teksa po torturoheshin:
“Pasha Allahun, Allahu do ta përmbushë këtë çështje.” (Transmetuar nga Buhariu)
Rreziku më i madh është të humbasim këtë besim të palëkundur, e të vrapojmë pas modeleve që janë të pafuqishme për të ngritur vetveten moralisht dhe shpirtërisht!
Profeti ﷺ na paralajmëroi fuqimisht ndaj kësaj sëmundjeje, kur tha:
“Patjetër do të ndiqni rrugët e atyre që ishin para jush, pëllëmbë pas pëllëmbe, krah pas krahu, derisa – edhe sikur të hynin në vrimën e hardhucës – ju do të hynit pas tyre.”
Kur e pyetën: “Hebrenjtë dhe të krishterët?”, ai tha: “E kush tjetër?!”
(Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi)
Ky imitim nuk është vetëm në formën e jashtme, por thellë në sjelljen e përkuljes, frikës nga armiku dhe kërkimit të ndihmës prej tij.
Kurani e përshkruan gjendjen e hipokritëve në këtë çështje me fjalën e Allahut:
“Atëherë që marrin jobesimtarët për miq, në vend të besimtarëve — a kërkojnë tek ata nder? Nderi i tërë i përket Allahut.” (En-Nisa, 139)
Kjo aleancë lind nga një lakmi tokësore, e trazuar nga një frikë e ulët, derisa harrojnë urdhrin e Allahut:
“Mos i frikësoheni njerëzve, por kini frikë prej Meje.” (El-Maide, 44)
Dhe u përshtatet fjala e Allahut:
“Shejtani i frikëson mbështetësit e vet; mos u frikësoni atyre, por kini frikë prej Meje, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” (Al-Imran, 175)
Rruga e shpëtimit dhe e ringritjes duhet të fillojë nga këto pika:
1- Rikthimi i besimit në fenë tonë dhe në modelin tonë islam.
2- Edukim i gjeneratës së re mbi dinjitetin e Islamit, jo mbi imitimin e të tjerëve.
3- Zbulimi i mashtrimit të modelit perëndimor dhe të mangësive të tij besimore e morale.
4- Edukimi i shpirtit që të shohë vogëlsinë e zbukurimeve të kësaj bote dhe të preokupohet me përjetësinë e Ahiretit.
Vërtet, i gjithë nderi i përket Allahut, dhe nuk do të jetë i yni derisa të bëhemi prej atyre që e meritojnë:
“Kush kërkon nder, ta dijë se i gjithë nderi është i Allahut. Tek Ai ngjitet fjala e mirë, dhe vepra e mirë e lartëson atë. Ndërsa ata që kurdisin të këqijat, do të kenë dënim të rëndë, dhe kurdisja e tyre do të dështojë.” (Fatir, 10)
