15.1 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

SHËNIM/ Shqetësuese është lirimi i Kastriot Myftarajt, jo ndalimi i tij

Më të lexuarat

Për ta nisur nga koka, e jo nga këmbët, Kastriot Myftaraj është fund e krye çka nuk duhet të jetë njeriu, e kundërta e njeriut!

Ç’është njerëzore dhe e gjen tek ai? Vlera, virtyti, karakteri… gjithçka e huaj për të!

Kthyer kokëposhtë, antivlera, antivirtyti, antikarakteri… të tëra të brendaqenësishme në të!

Fyerje, sharje, blasfemi, thirrje për vrasje… Keni lexuar ndonjë rresht të tij pa diçka të tillë të papërtypshme?

Ç’dreq gazetari është ky?

Ky biçim gazetari u ndalua dhe u lirua brenda pak orësh si për të rindezur betejën mes atyre që përplasen me fjalë prej disa muajsh, dikush në mbështetje të qeverisë, e dikush kundër saj.

Ata që nuk e honepsin Edi Ramën e çmojnë ndalimin e palo gazetarit si të pabërën më të fundit të kryeministrit, si shenjë të paaftësisë së tij për ta duruar fjalën e lirë. Ka prej atyre që e shohin atë si një veprim selektiv, siç ka dhe nga ata që e përshkruajnë Myftarajn si të marrë, e që vendin e ka patur prej kohësh në psikiatri.

Por ka dhe të tillë që e vlerësojnë si dishepull të lirisë së shprehjes! Hapu dhé të futem!

Bomba e fundit e Kastriot Myftarajt është një shkrim për të dërguarën e BE-së në Shqipëri, një personazh për të cilin flitet gjithçka.

Ka pakënaqësi për të, ka akuza për anëmbajtje, për korrupsion… Romana Vlahutin mund t’i ketë të tëra këto, dhe kjo nuk përbën aspak çudi. Si njeri prej mishi e gjaku, edhe ajo mund të ketë cenet e saj, siç mund t’i kenë patur e mund t’i kenë shumë përfaqësues të vendeve të tjera në Tiranë.

Ta kritikosh atë për qëndrimet, ta hetosh atë për aferat e t’i nxjerrësh të palarat, kjo është një gjë, por ta fyesh atë që në titull, ta damkosësh e të bësh thirrje për eliminim të saj, këtë vështirë ta pranojë dhe një mendje mediokre.

As është puna fare te Romana Vlahutin! Puna është, more lum miku, te ky njeri që vjell vrer e kërkon të përdhosë çdokënd e çdo gjë! Puna është, more lum miku, te ata që i dalin në mbrojtje atij!

Të mbrosh Kastriot Myftarajn do të thotë të mbrosh të pambrojtshmen, ta bashkëshoqërosh mbrojtjen e tij me lirinë e fjalës, me lirinë e gazetarit, këtë nuk ka arsye që e pranon.

Në emër të çfarë morali mund t’i dalësh krah këtij soji gazetarësh?!

Kastriot Myftaraj nuk duhej të ishte lënë prej kohësh t’i publikonte fyerjet e thirrjet për dhunë. Kjo do të ishte më e pakta që do duhej të ishte bërë. E kush e quan këtë cenim të lirisë së shprehjes, të lirisë së gazetarit, mjerë për të se në ç’batak ka rënë!

Në këtë kuptim, vend ka vetëm shqetësimi për lirimin e Myftarajt, e jo për ndalimin e tij! /tesheshi.com/

Shpërndaje:

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit