Në një botë ku sprovat janë të shumta, ku rrethanat shpesh ia lehtësojnë njeriut rrëshqitjen drejt mëkatit, del në pah një shembull drithërues që flet me gjuhën e moralit, durimit dhe frikës së thellë nga Allahu: Shembulli i Jusufit alejhi selam.
Jusufi, alejhi selam, një i ri. I bukur, me trup të fortë, me zemër të pastër. Por jo në shtëpinë e tij. Jo në mesin e njerëzve që e njohin e e duan. Ai ishte në tokë të huaj, pa familje, pa miq, pa askënd që ta shihte, që të thoshte: “Turp!”
Edhe më shumë ishte skllav, në duart e atyre që mund të bënin ç’të donin me të.
A nuk është ky realiteti i shumë të rinjve sot? Larg shtëpisë. Larg vështrimit të nënës. Larg fjalës së babait. Larg vendit ku ndoshta ndiheshin të përmbajtur, por sot… sot ndihen të lirë për të bërë çfarë të duan.
Por Jusufi, alejhi selam, nuk e shfrytëzoi këtë “liri” për t’u shkatërruar në mëkate. Ai nuk tha: “Nuk më sheh askush.” Ai nuk u mashtrua nga vetmia, nga malli, nga sprovat, nga epshi, nga oferta.
Sepse oferta ishte aty. Dhe jo nga çdokush, nga zonja që kishte pushtet mbi të, që mund ta ndëshkonte, që mund ta fuste në burg, që mund t’ia shkatërronte jetën. Ajo ishte e bukur, e pasur, dhe me pushtet të lartë. E ftoi duke i thënë: “Eja tek unë.”
Çfarë bëjnë shumica e të rinjve në këtë moment? Çfarë do të bënin ata që largohen nga vendlindja dhe mendjen ua pushton ndjenja e “askush s’më njeh këtu”? Por Jusufi, alejhi selam, tha: “Më ruaj o Allah!”
Ai ishte vetëm, por e kishte Allahun me vete. Ai nuk kishte askënd, por zemra e tij ishte plot me vetëdije për Allahun se në çdo qastë e vëzhgon. Nuk u lëkund, nuk u mashtrua, nuk u fut në mëkate.
Kjo është burrëria e vërtetë.
Jo të ndjekësh epshin, por ta shkelësh atë për hir të Allahut.
Jo të kesh turp prej njerzëve, por të kesh turp prej Alalhut, që të sheh në çdo mement, kudo që të jesh.
Çdo i ri që largohet nga shtëpia, nga vendlindja, ka dy rrugë përpara: ose rruga e mëkatit dhe rrënimit, ose rruga e Jusufit, alejhi selam.
Rruga e Jusufit është më e vështira. Por ajo është e vetmja që të çon në nder, në fuqi, në pozitë dhe, mbi të gjitha në kënaqësinë e Allahut.
Në fund, ai që zgjodhi burgun në vend të mëkatit, doli i lirë. Doli i nderuar. Doli i shpërblyer. Dhe ne, shekuj më vonë, ende flasim për të, e e kujtojmë si një nga shembujt më të mirë në tejkalimin e sprovave.
A do të jesh si Jusufi, alejhi selam?
Apo si shumica që pranojnë ftesën e epshit dhe ta pasosh armikun tënd Shejtanin?
Zgjedhja është jote.
Por dije: Allahu gjithmonë është më afër se çdo njeri që mund të të shohë.
Fitim Gërguri
10.07.2025
Bardh i Madh
