Shejhu Muhammad Nasiruddin el-Albani, kur kishte kaluar moshën 84 vjeç…

Më të lexuarat

Në librin “Sahih Mawarid adh-Dham’an ila Zawa’id Ibn Hibban” është transmetuar hadithi i Abu Hureires (Allahu qoftë i kënaqur me të), ku thotë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Jetëgjatësia e umetit tim është mes gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë vjeç, dhe pak janë ata që e kalojnë këtë.”

Ibn Arafah ka thënë: “Unë jam nga ata pak (që e kanë kaluar këtë moshë).”

Ndërsa muhaddithi, shejhu Muhammad Nasiruddin al-Albani (1914–1999), komentoi duke thënë:

“Edhe unë jam nga ata pak, sepse e kam kaluar moshën 84 vjeç. I lutem Zotit të Lartësuar që të jem nga ata që u është zgjatur jeta dhe kanë bërë vepra të mira. Megjithatë, pothuajse më shkon mendja të dëshiroj vdekjen, për shkak të devijimit të muslimanëve nga feja dhe poshtërimit që i ka goditur ata.

Por jo, nuk duhet ta dëshiroj vdekjen. Nuk kam tjetër veçse të them ashtu siç na ka urdhëruar Profeti ynë ﷺ:

‘O Allah, më jep jetë për sa kohë që jeta është e mirë për mua dhe më merr shpirtin kur vdekja është më e mirë për mua.’

Dhe të lutem me atë që ai ﷺ më ka mësuar:

‘O Allah, na i ruaj dëgjimin, shikimin dhe forcën tonë për sa kohë të na mbash gjallë.’

Allahu më ka nderuar duke ma pranuar këtë, dhe më ka dhënë këto mirësi. Ja ku jam ende, duke hulumtuar, verifikuar dhe shkruar me një energji të rrallë. Falem namaze vullnetare në këmbë dhe drejtoj makinën vetë në distanca të gjata, madje me shpejtësi për të cilën disa miq më këshillojnë ta zvogëloj!

E them këtë në kuadër të fjalës së Allahut: ‘Sa për mirësitë e Zotit tënd, trego për to’, duke shpresuar që Ai të më shtojë nga mirësitë e Tij dhe t’i bëjë këto të qëndrueshme deri në fundin tim. Dhe lus Allahun të më marrë shpirtin si musliman, mbi Sunetin për të cilin kam jetuar duke thirrur dhe shkruar, dhe të më bashkojë me dëshmorët dhe të mirët – e sa shokë të mirë janë ata! Ai është Dëgjues dhe Pranues i lutjeve.”

Allahu e mëshiroftë dijetarin e madh, muhaddithin dhe fakihun, shejhun Muhammad Nasiruddin al-Albani, e ngrittë gradën e tij dhe na bashkoftë me të në mesin e të mirëve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit