21.3 C
Pristina
Saturday, July 13, 2024

Serbia “islamike”! – Nga Justinian Topulli

Më të lexuarat

Nacionalizmi shqiptar që në fillimet e formësimit të idesë së kombi nuk ishte unik, por shumëngjyrësh, kishte nacionalizëm katolik, nacionalizëm ortodoks, nacionalizëm islam, dhe nacionalizëm laik. Rrethanat historike dhe gjeopolitike të kohës favorizuan nacionalizmin laik, i cili u bë mbizotërues duke iu imponuar edhe formave të tjera të nacionalizmit shqiptar, që shpesh ishin edhe antagoniste mes tyre.

Kështu që formimi i idesë së kombit shqiptar ishte produkt i gjithë këtyre formave të nacionalizmit dhe jo i vetëm njërit prej tyre. Kjo është një e vërtetë historike e pakundërshtueshme, por që për fat të keq regjimi komunist dhe historiografia ekskluzive që ai prodhoi më pas, vendosi në piedestal vetëm nacionalizmin laik.

Si ideologji mbi jetën dhe botën, si një besim fetar laik që ishte, komunizmi shqiptar nuk u mjaftua me kaq, por projektoi nacionalizmin e tij ideologjik, përmes të cilit ai jo vetëm pas tij konsideronte tradhtar dhe armiq ata që e refuzonin atë, por filloi të lexojë me këtë pikëpamje ideologjike edhe historinë e shkuar, duke shpallur si armiq dhe tradhtarë edhe ata nacionalistë që as vetë ngjyrimet e ndryshme të nacionalizmit shqiptar të dikurshëm nuk i kishin vlerësuar si të tillë këta njerëz. Për gati pesë dekada shqiptarët u edukuan me “shkencë” dhe “art” që urrente dhe denigronte çdo pikëpamje tjetër mbi kombin, përveç atij komunist enverist.

Kosova, duke qenë e pushtuar dhe sunduar nga serbët krahas nacionalizmit mysliman, i cili natyrshëm gjente veten e tij mes shqiptarëve dhe u shërbeu atyre si element identiteti kundërshtues ndaj serbëve ortodoks, në mesin e elitave intelektuale dhe kulturore shqiptare u përthith nacionalizmi komunist enverist, duke qenë se Shqipëria në atë kohë, pavarësisht regjimit dhe ideologjisë komuniste të saj, shihej si Nëna nga e cila shqiptarët në ish Jugosllavi i kishin sytë e mendjes dhe të zemrës.

Ky nacionalizëm komunist enverist në Kosovë, është ai që ka prodhuar tezën se kanë qenë serbët ata që e kanë pompuar me forcë elementin fetar islam, në mënyrë që Evropa e krishterë të hesht dhe lejojë serbët të spastrojnë Kosovën nga shqiptarët, nisur pikërisht nga urrejtja fetare e krishterë që ata kanë kundra myslimanëve, duke u lënë kështu serbëve të bëjnë ç’të duan!

Sigurisht që serbët e kanë përdorur dhe e përdorin retorikën dhe propagandën e rrezikut islamik, për të përligjur shovinizmin e tyre në sytë e Perëndimit, por ata nuk janë kaq idiotë, sa i pandehin nacionalistët komunist enverist, që të shpenzojnë miliona dhe kontribuojnë për të ndërtuar xhami dhe paguar hoxhallarë, për të forcuar një identitet fetar i cili është edhe më kundërshtues ndaj tyre për shkak të fesë, sesa një nacionalizëm i thjesht laik.

Nëse kjo tezë do të ishte e vërtetë, për shkak të masës së madhe të rigjallërimit islam në këto troje, do të kishte kaq shumë prova dhe fakte, sa financimi dhe ndikimi serb do të ishte e pamundur të fshihej, dhe nuk do të mund t’ju shpëtonte shërbimeve inteligjente as shqiptare dhe as perëndimore. Nacionalistët komunist enverist në Kosovë, harrojnë se Islami si fe ka parë një rigjallërim të fuqishëm fetar edhe në Shqipëri e tjetërkund, çka investimi serb edhe në këto troje do të ishte një absurd akoma edhe më i madh për t’u besuar, ndërkohë që asnjë argument, fakt dhe emra konkretë nuk janë provuar të jepen deri tani. Nëse ka të tilla, ne i sfidojmë ata që i kanë këto prova, le t’i dorëzojnë në gjykatë dhe prokurori, dhe institucionet ligjzbatuese dhe të sigurisë, në Kosovë dhe Shqipëri dhe këta aktorë “islamik” pro agjendës serbe le të dalin para drejtësisë.

Ndërkohë dihet botërisht që xhamitë dhe çdo investim tjetër në mbështetje të besimit islam, është bërë nga bota islame dhe nga vetë shqiptarët, sa kanë pasur mundësi. Ama nëse pretenduesit e tezës së Serbisë “islamizuese” të shqiptarëve, fantazojnë se është Serbia ajo që imponon politikën e mbështetjes nga vendet myslimane karshi shqiptarëve myslimanë, atëherë idiotësia e mendësisë konspirative arrin në pikën që nuk mund të merresh më me të.

E vërteta është se shumë prej nacionalistëve komunist enverist, apo laik madje edhe disa të tjerë, nuk duan të kuptojnë dinamikat social-kulturore dhe ideologjike si dhe zhvillimet politike që kanë ndodhur në botë, sidomos pas viteve 90′. Mendësia marksiste dhe materialiste e këtyre nacionalistëve të sëmurë nuk e pranon dot që feja mund të rigjallërohet dhe se çdo gjë e lidhin me interesin material dhe politik dhe aspak shpirtëror, ndërkohë që më mënyrë paradoksale vetëm vetes ia japin këtë të drejtë të sinqeritetit për kombin dhe jo të tjerëve!

E vërteta është se nacionalizmi komunist enverist po sfidohet gjithmonë e më shumë nga ngjyrimet e tjera të nacionalizmit shqiptar, të cilat ata vazhdimisht i kanë parë si armiq. Por armiqësinë më të madhe ndaj Islamit si fe dhe identifikimit të shqiptarëve me të, e ushqen edhe islamofobia në rritje në Perëndim, e cila është streha më e mirë që kanë gjetur nacionalistët ish komunistë enverist shqiptar, por edhe të tjerë.

Kështu që këtu ka dy të vërteta të mëdha, që sytë e verbër të mendjes së mykur të nacionalizmit komunist enverist nuk e pranojnë dot, e para, se feja dhe në veçanti Islami mund të rigjallërohet duke sfiduar fenë e shekullarizmit modern dhe tezat e tij materialiste, dhe e dyta se monopolit dhe ekskluzivitetit intelektual, kulturor dhe identitar, të një nacionalizmi të vetëm shqiptar, po i vjen fundi. Dhe bishës kur i vjen fundi apo i rrezikohet territori përçartet dhe nxjerr dhëmbët.

Hoxhë Dr. Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit