Këta shtetas serbë janë arrestuar në kuadër të një hetimi për disa akte kriminale të kryera në Francë, përfshirë sulme ndaj sinagogave dhe xhamive, të cilat, sipas Beogradit, janë kryer nën ndikimin e një shërbimi të huaj informativ.
Le Monde me AFP
Njëmbëdhjetë persona janë arrestuar në Serbi, të dyshuar se kanë marrë pjesë në disa operacione “nxitëse të urrejtjes” në Francë dhe Gjermani, deklaruan të hënën, më 29 shtator, policia dhe ministria e brendshme serbe.
Këta njëmbëdhjetë shtetas serbë, të identifikuar vetëm me inicialet e tyre, kanë kryer veprimet me qëllim për të përhapur “ide që promovojnë dhe nxisin urrejtje, diskriminim dhe dhunë të bazuar në dallime” të ngjyrës së lëkurës, fesë, kombësisë dhe origjinës etnike, sipas një komunikate të ministrisë së brendshme.
Këto aktivitete janë zhvilluar midis prillit dhe shtatorit 2025, kryesisht “duke hedhur bojë të gjelbër mbi Memorialin e Holokaustit, disa sinagoga dhe një restorant hebre, duke vendosur ngjitëse me përmbajtje gjenocidale; si dhe duke vendosur koka derrash pranë vendeve fetare myslimane të gjitha këto në rajonin e Parisit”, sqaron komunikata, e cila përmend gjithashtu veprime të ngjashme në Gjermani.
Ndërhyrje e huaj
Njëmbëdhjetë individët dyshohet se janë trajnuar nga një person i dymbëdhjetë, “aktualisht në arrati” dhe “që vepron nën udhëzimet e një shërbimi të huaj informativ”, sipas ministrisë, pa specifikuar nacionalitetin e këtij shërbimi. Ata dyshohen për “bashkëpunim kriminal, diskriminim dhe spiunazh” dhe do të paraqiten brenda dy ditësh në prokurori për t’u marrë në pyetje.
Që nga tetori 2023, hija e një ndërhyrjeje të huaj në Francë ka rënë mbi disa hetime, nga yjet e Davidit të vizatuara me grafiti deri te kokat e derrave të vendosura para xhamive përpjekje destabilizimi që shumë vëzhgues ia atribuojnë Rusisë.
Në dosjen më të fundit, në fillim të shtatorit, në Paris dhe rrethina janë zbuluar nëntë koka derrash, kafshë e konsideruar e papastër nga islami, para disa xhamive. Hetimi zbuloi shpejt një automjet me targa serbe dhe një linjë telefonike kroate.
Më 3 shtator, po në Paris, agjentët e Harkut të Triumfit konstatuan praninë e katër posterave që tregonin një ushtar rus me mbishkrimin “thuaj faleminderit ushtarit sovjetik fitimtar”. Është hapur një hetim për dëmtim prone të mbrojtur në grup, në shërbim të interesave të një fuqie të huaj.
Para këtij rasti, disa serbë ishin arrestuar tashmë në Francë në kuadër të hetimit për hedhjen e bojës së gjelbër, në fund të prillit, mbi Memorialin e Holokaustit, tre sinagoga dhe një restorant në Paris. Ata dyshohen se kanë dëmtuar këto vende hebreje “me qëllim për të shërbyer interesat e një fuqie të huaj”, sipas një burimi gjyqësor ndoshta Rusisë.
Burimi: Gazeta Le Monde / Perktheu: Alaudin Aliu
