Samiti i BRICS 2025 në Rio: Inteligjenca Artificiale në Qendër të Axhendës

Më të lexuarat

Samiti i BRICS-it ka shfaqur vullnetin për të formësuar të ardhmen digjitale të Jugut Global me synimin për një qeverisje të drejtë të inteligjencës artificiale (IA) dhe sovranitet digjital. Deklaratat e publikuara reflektojnë vizionin e BRICS-it për të ndikuar në krijimin e rregullave globale të IA-së dhe për të ngushtuar hendekun digjital.

Më 6–7 korrik 2025, në Rio de Janeiro u mbajt Samiti i XVII i BRICS-it, i cili forcoi pretendimin e bllokut për të qenë zëri në rritje i Jugut Global dhe e vuri inteligjencën artificiale dhe infrastrukturën digjitale në mesin e temave prioritare. Nën kryesimin e Brazilit dhe me moton “Fuqizimi i Bashkëpunimit të Jugut Global: Qeverisje më gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme”, deklaratat e samitit treguan qartë përpjekjet e BRICS-it për të qenë një aktor më efektiv dhe transformues në rendin botëror.

Në kuadër të samitit, liderët ranë dakord mbi një deklaratë përfundimtare prej 126 pikash, në të cilën – përveç çështjeve të qeverisjes globale, financave, shëndetësisë dhe ndryshimeve klimatike – teknologjitë novatore dhe inteligjenca artificiale u renditën si tema strategjike. Në deklaratë theksohej se IA përfaqëson një “mundësi unike” për zhvillim, por u paralajmërua se në mungesë të një modeli të drejtë qeverisjeje, hendeku digjital mund të thellohet. U nënvizua se qeverisja globale e IA-së duhet të synojë uljen e rreziqeve të mundshme dhe të vendosë prioritet mbi nevojat e Jugut Global. Kjo qasje reflekton kërkesën që vendet në zhvillim – në veçanti ato të Jugut Global – të kenë zë në përcaktimin e rregullave ndërkombëtare për IA-në.

Deklarata e përbashkët e pranuar nga liderët e BRICS-it me titull “Qeverisja Globale e Inteligjencës Artificiale” bën thirrje që teknologjitë IA të trajtohen në përputhje me kornizat rregullatore kombëtare dhe në bazë të multilateralizmit të udhëhequr nga OKB-ja. Dokumenti thekson se OKB-ja duhet të luajë rolin kryesor në përcaktimin e standardeve globale në këtë fushë dhe se kjo teknologji nuk duhet të thellojë pabarazitë ekzistuese. Qasja e propozuar synon mbrojtjen e sovranitetit digjital dhe ndërtimin e një strukture gjithëpërfshirëse të qeverisjes. U theksua gjithashtu nevoja që të gjitha vendet — sidomos ato të Jugut Global — të kenë akses të barabartë në teknologjitë IA, burimet e mëdha të të dhënave dhe kapacitetet kërkimore. Kjo synon të sigurojë që vendet në zhvillim të përfitojnë në mënyrë të drejtë nga mundësitë që ofron IA.

Partneriteti dhe Investimet në Infrastrukturën Digjitale

Gjatë samitit, u theksua fuqishëm nevoja për të zhvilluar plane të përbashkëta veprimi në fushat e infrastrukturës publike digjitale, sigurisë kibernetike dhe menaxhimit të të dhënave. Në Deklaratën e Kazanit 2024 ishte inkurajuar veprimi i përbashkët i vendeve të BRICS-it në ndërtimin e infrastrukturës digjitale; me theks të veçantë mbi sigurinë dhe stabilitetin e segmenteve kombëtare të internetit. Në Rio, kjo thirrje u përsërit, duke u dhënë një drejtim më të qartë bashkëpunimit për transformimin digjital.

Në këtë kuadër, Banka e Re për Zhvillim (NDB) shpalli një Fond Sovraniteti Digjital prej 5 miliardë dollarësh, që tashmë ka filluar të financojë projekte për zhvillimin e infrastrukturës së kompjuterëve në re (cloud), qendrave të të dhënave dhe kapaciteteve të prodhimit të çipave në vendet anëtare. Kjo lëvizje shënon një hap konkret në ndërtimin e një vizioni të përbashkët për infrastrukturën digjitale. Fondi mbështet qëllimin e BRICS-it për të reduktuar varësinë nga gjigandët perëndimorë të teknologjisë, përmes zhvillimit të ekosistemeve të veta të të dhënave dhe gjysmëpërçuesve. Një pjesë e madhe e projekteve të aprovuara nga NDB në 10-vjetorin e saj janë përqendruar pikërisht në uljen e varësisë nga teknologjitë kritike dhe kapërcimin e hendekut digjital në vendet anëtare.

Roli Strategjik i Kinës dhe Indisë

Në mesin e vendeve të BRICS-it, Kina dhe India janë dy shtetet që investojnë më shumë në IA dhe teknologji digjitale. Të dyja luajnë një rol vendimtar si në kapacitetin teknologjik ashtu edhe në përcaktimin e politikave në këtë fushë.

Kina është një nga liderët globalë në kërkimet për IA — duke kontribuar në 47% të publikimeve më të cituara dhe duke kryesuar në numrin e patentave ndërkombëtare në këtë fushë. Me mbi 150 miliardë dollarë mbështetje shtetërore për kërkim-zhvillim, Kina po avancon në prodhimin e çipave vendas dhe zhvillimin e modeleve të mëdha gjuhësore përmes kompanive si Huawei dhe Baidu. Këto zhvillime janë në përputhje me strategjinë kineze për të ndërtuar një rend teknologjik alternativ ndaj atij të dominuar nga Perëndimi.

India, nga ana tjetër, me nismën IndiaAI e nisur më 2023, ka ndarë 1,2 miliardë dollarë për të zhvilluar zgjidhje vendore IA në sektorë si bujqësia, shëndetësia dhe arsimi. Modelet e mëdha gjuhësore me burim të hapur në gjuhët lokale, aplikacionet për bujqësi inteligjente dhe dizajnimi vendas i çipave janë shtyllat e strategjisë së Indisë. Të dyja vendet kanë treguar gatishmëri për bashkëpunim në ruajtjen e privatësisë, aksesin e drejtë në teknologji dhe ndihmën për vendet në zhvillim.

Megjithatë, rivaliteti gjeopolitik midis tyre mbetet një pengesë për një strategji të përbashkët digjitale. Mosbesimi i vazhdueshëm dhe tensionet kufitare – si përplasja në Luginën Galwan më 2020 – e kanë penguar normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Bashkëpunimi në rritje i Indisë me SHBA-në dhe vendet e QUAD-it shihet me shqetësim nga Kina. Ekspertët theksojnë se marrëdhëniet midis këtyre dy fuqive ndjekin një balancë të brishtë mes konkurrencës komplekse dhe bashkëpunimit të kufizuar. Prandaj, ndonëse Kina dhe India janë shtytës të rëndësishëm të IA-së në BRICS, konkurrenca midis tyre e bën të vështirë ndërtimin e një strategjie të përbashkët dhe të integruar digjitale.

Mesazhet dhe Pritshmëritë nga Samiti

Rezultatet e Samitit të Rio-s artikulojnë një vizion ambicioz që mbështet zhvillimin etik, transparent dhe gjithëpërfshirës të IA-së, me synim fuqizimin digjital të Jugut Global. Liderët e BRICS-it e përshkruan IA-në jo vetëm si një instrument për rritje ekonomike, por edhe si një mjet të rëndësishëm për zhvillimin social dhe qëndrueshmërinë. Ata miratuan parime udhëzuese vullnetare për përdorimin e përgjegjshëm të IA-së dhe shprehën qartë refuzimin ndaj përdorimit të saj për qëllime ushtarake.

Në mesin e hapave konkretë, dolën në pah nismat për ndërtimin e infrastrukturës publike digjitale dhe thellimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike. Është përfolur prej kohësh edhe krijimi i një observatori të përbashkët për koordinimin e politikave të IA-së ndërmjet vendeve të BRICS-it — dhe në takimet e Rio-s, raportohet se është synuar arritja e një marrëveshjeje mbi këtë iniciativë. Po ashtu, NDB vijon të mbështesë projekte që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm dhe përfshirjen sociale përmes IA-së, si dhe përdorimin e sistemeve me burim të hapur dhe shkëmbimin e praktikave më të mira midis vendeve anëtare.

Përfundim

Samiti i XVII i BRICS-it konfirmoi vullnetin e Jugut Global për të ndërtuar rrugën e vet drejt digjitalizimit. Vizionet e përbashkëta të zhvilluara në fushat e IA-së dhe infrastrukturës digjitale pasqyrojnë përpjekjen për të formësuar një qeverisje gjithëpërfshirëse pavarësisht ndryshimeve dhe tensioneve brenda bllokut. Hapat e hedhur në Rio përfaqësojnë prova konkrete të synimit të BRICS-it për të marrë një rol më të fuqishëm në formësimin e rendit digjital global. Në këtë drejtim, sovraniteti digjital dhe pavarësia teknologjike pritet të jenë ndër përparësitë kryesore të bashkëpunimit të ardhshëm brenda BRICS-it.

Shkruar: Erman Akıllı
Fondacioni për Studime Politike, Ekonomike dhe Shoqërore (SETAV)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit