3.3 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Rrezikshmëria e kryerjes së gjynaheve haptazi

Më të lexuarat

Ebu Hurejra ka thënë: kam dëgjuar profetin a.s. të thotë: “I gjithë populli im është i falur përveç atyre që publikojnë gjynahet. Prej publikimit, është se njeriu natën vepron një mëkat, pastaj kur gdhin pasi Allahu i ka fshehur atë, ai thotë: O filan, mbrëmë kam vepruar kështu e ashtu. Atë e zuri gjumi dhe Allahu ia fshehu gjynahin, por në mëngjes ai e zbuloi atë që Allahu e fshehu.”[1]

Kuptimi i disa shprehjeve:
Është i falur: Allahu ia ka falur ose e ka ruajtur nga e keqja e mëkatit.
Publikojnë gjynahet: i tregojnë haptazi gjynahet dhe mëkatet duke mos i kushtuar rëndësi.

Dritë mbi kuptimin e hadithit:
Ky hadith profetik flet për dy lloje njerëzish:
Lloji i parë: ata që kanë frikë të kryejnë gjynahe dhe mëkate. Nëse ndonjëri prej tyre bën një gjynah e ndjen se ka gabuar. Këtë mëkat ai fsheh ndaj njerëzve nga frika që ka për Allahun dhe ndjesia që ka për veprimin e shëmtuar që ka kryer. Kështu që mëkatet nuk përhapen në mesin e njerëzve. Ajo është një vepër e shëmtuar që nuk kryhet haptazi. Allahu i Lartësuar i dhuron atyre mirësi dhe i nderon duke ia pranuar pendesën për shkak se ata janë penduar, kanë frikë dhe e ndjejë veprën e shëmtuar që kanë kryer në një çast dobësie.
Lloji i Dytë: Ata që i publikojnë gjynahet. Janë ata të cilët krenohen përpara njerëzve, nxisin të tjerët që të kryejnë të njëjtin mëkat dhe ju tregojnë njerëzve mëkatin e kryer duke thënë: mbrëmë në darkë kam bërë këtë e atë. E përshkruajnë mëkatin e kryer duke mos patur aspak turp e duke mos ju skuqur faqja sadopak. Të tillët janë të degjeneruar e shkatërrues, të humbur dhe humbës të tjerëve për shkak të moskokçarjes në kryerjen e mëkateve dhe joshjen e të tjerëve për të kryer të njëjtën gjë.
Ndoshta këta njerëz i publikojnë gjynahet pa i kushtuar shumë vëmendje duke kujtuar se kjo vepër konsiderohet gjynah i vogël pa rrezik. Mirëpo kjo moskushtim vëmendje rritet dhe acarohet aq shumë sa e shpie mëkatarin në shkatërrim, sepse mëkati mbjell si vetja e saj dhe e ashpërson zemrën e mëkatarit. Sehl ibnu Sa’ad ka thënë: profeti a.s. ka thënë: “Bëni shumë kujdes nga mëkatet që ju duken si të pavlera. Shembulli i mëkateve që ju duken të pavlera është si shembulli i një grupi njerëzve që kanë ndaluar në një luginë. Secili prej tyre mbledh degë pemësh derisa ato janë të mjaftueshme që të pjekin ushqimin e tyre. Po kështu janë edhe mëkatet që duken si të pavlera që kur mëkatari nuk i jep shumë rëndësi, ato e shkatërrojnë atë.”[2]
Natyrisht është e vërtetë se shumica e banorëve të zjarrit janë ata që kujtonë se të këqiat që i vepronjnë janë të parëndësishme. Njeriu nuk bën shumë mëkate të mëdha, por përsa i përket mëkateve të vogla nuk ju jep shumë rëndësi, prandaj edhe i vepron ato. Ai mashtrohet nga shpresa që ka se do t’i falen gjynahet derisa këto mëkate të vogla do të grumbullohen ashtu si grumbullohen drurët për të ndezur zjarrin. Si përfundim ai e quan të vogël mëkatin, ndikimi i tij në shpirt pothuajse nuk ekziston, ia ka dhënë liri vetes ndaj veprimit të tij dhe mëkaton përpara Zotit derisa arrin të bëhet ndjekës i dëshirës shfrenuese, i burgosuri i shpirtit që urdhëron për keq dhe rob i shejtanit.
Nëse gjynahet që njeriu i vepron janë të shumta atëherë zemra verbohet vdes dhe përmbyset saqë atij nuk i bën më dobi asnjë këshillë dhe nuk kthehet nga humbja. Për këtë arsye sahabiju i nderuar Abdullah ibnu Mes’udi ka thënë: “Muslimani i shikon mëkatet sikur mbi supe i rëndon pesha e një mali, që ka frikë se mos bie mbi të. Ndërsa njeriu i shthurrur i shikon mëkatet si një mizë që qëndron në hundën e tij dhe ai e largon atë.”[3]
Në ditët e sotme shumica e njerëzve i kryejnë mëkatet lehtësisht ku sipas pikpamjeve të tyre ato nuk kanë asnjë lloj ndikimi negative tek ta, i veprojnë ato dhe nuk kanë aspak turp. Ato tashmë nuk konsiderohen si një mizë që qëndron në hundë, por pëkundrazi ato, sipas pretendimeve të mëkatarëve, konsiderohen si përparim dhe progress. Kështu ata krenohen dhe i joshin të tjerët për të vepruar edhe ata mëkate. Nuk ka më keq se ky progress i pretenduar që të çon në zemërimin e Allahut e të shpie në fatkeqsi dhe mjerim.

Ndëshkimet e menjëhershme për ata që mëkatojnë haptazi
Abdullah ibnu Umer ka thënë: Profeti a.s.  na është drejtuar me këto fjalë: “O ju muhaxhirinë! Nëse sprovoheni me pesë gjëra e lus Allahun që t’ju ruajë nga e keqja e tyre:
Nëse në një popull shfaqet imoraliteti haptazi, atëherë tek ata do të përhapen sëmundje ngjitëse dhe epidemike ndryshe nga lloji i ndëshkimit të popujve të mëparshëm.
Nëse peshojnë mangut në peshore, tek ta do të sundojë zija e bukës dhe padrejtësia e prijësit ndaj tyre.
Nëse nuk e japin zeqatin e obliguar, do të ndëshkohen me mosrënien e qoftë edhe një pike shiu nga qielli, e sikur mos të ishin kafshët nuk do të zbriste shi fare.
Nëse e prishin besën e Allahut dhe besën e profetit, Allahu do t’i ndëshkojë me sundimin e armikut ndaj tyre që do të marrë shumë gjëra që ata i posedojnë.
Nëse prijësit nuk gjykojnë sipas librit dhe asaj që ka zbritur Allahu, do të ndëshkohen me armiqsi ndërmjet veti.”[4]
Prandaj, o vëlla i nderuar musliman duhet të bësh mjaft kujdes që të neglizhosh duke mëkatuar, të vogla apo të mëdha qofshin mëkatet. Duhet të ndjekësh rrugën e drejtë, ta ndjesh me gjithë zemër se Allahu i Lartësuar të vrojton në fshehtësi dhe në publik e përpara syve të kujtosh thënien e Allahut në Kur’an: “Atë ditë libri i veprave do të vendoset. Mëkatarët do t’i shohësh të frikësuar të thonë: mjerë ne! si është puna e këtij libri që s’ka lënë gjë pa shkruajtur të vogël apo të madhe. Çdo gjë që e kanë vepruar do ta gjejnë, sepse Zoti nuk i bën askujt të padrejtë.”[5]

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1- Marrja me lehtësi e mëkateve të vogla të shpie tek mëkatet e mëdha.
2- Mëshira dhe mirësia e Allahut me robërit e Tij, kur ata mëkatojnë, Ai i fsheh që të mos turpërohen përpara të tjerëve
3- Rreziku i publikimit të mëkateve dhe tregimit të njerëzve për to.
[1]  transmetojne imam Buhariu: 5721 dhe imam Muslimi:2990 [2]  transmeton imam Ahmedi në musnedin e tij. Imam Sujuti e ka saktësuar këtë hadith në librin: “El Xhamius Sagir.” [3]  Transmeton imam Buhariu [4]  transmeton imam Ibnu Maxheh; 331. Imam Albani e ka konsideruar kete hadith te sakte [5]  Sure El Kehf: 49

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit