16.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Rregullat për agjërimin e Ditës së Arefatit

Më të lexuarat

I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Të agjëruarit në Ditën e Arefatit, llogaritet që Allahu për të shlyen mëkatet e vitit para saj dite dhe vitit pas saj.” (Shënon Muslimi)

1.Të agjëruarit e Ditës së Arefatit është vepër e preferuar (mustehabb), unanimisht te dijetarët, për atë që nuk është duke e kryer haxhillëkun, si për atë që është në vendin e tij, ashtu edhe për udhëtarin, sepse kjo ditë nuk agjërohet më vonë si kompensim. Kurse ai që nuk mund ta agjërojë nga ndonjë arsye, shpërblehet.
2.Haxhiu gjatë ritualeve, nëse do që të agjërojë, dijetarët kanë mendime se preferohet për të një gjë e tillë apo jo. Sipas Sunnetit nuk duhet të agjërojë atë ditë. E nëse agjëron, nuk prishë punë, sepse ka ndodhur që disa sahabinj që kanë agjërouar gjatë haxhillëkut.
3. Personi që akoma nuk i ka kompensuar ditët e paagjëruara të Ramazanit, mund të agjërojë në Ditën e Arefatit. Ky është qëndrimi i shumicës së dijetarëve, sepse ditët e Ramazanit mund të agjërohen kurdo gjatë vitit, kurse të agjëruarit në Ditën e Arefatit është sunnet i kufizuar vetëm në atë ditë.
4.Nuk mund të bashkëdyzohet agjërimi i obliguar dhe agjërimi vullnetar – nafile në një ditë, si p.sh. të agjërohet për ditën e ikur të Ramazanit dhe të bëhet nijeti njëkohësisht edhe për Ditën e Arefatit, sipas një shumice dërmuese të dijetarëve. Ky mendim është më i sigurt, sepse të agjëruarit e Ditës së Arefatit është sunnet i pavarur. Pra, ti nuk mund ta falësh edhe farzin e një namazi e edhe sunetin e atij namazi në të njëjtat rekate. Ka dikush nga dijetarët që ka thënë se bën të bashkëdyzohet nijetet në një ditë.
5. Nëse i bën nijet dy agjërime, nijeti shkon me agjërimin më të fuqishëm, sipas disa dijetarëve. Por shumica e dijetarëve thonë që nuk pranohet fare.
6. Nëse rastis të jetë Dita e Arefatit në ditën e shtunë, lejohet të agjërohet. Ajo që transmetohet për të mos agjëruar nafile në ditën e shtunë, nuk është nga transmetimet autentike. Imamët e Hadithit i kanë trajtuar si të dobëta ato transmetime. Dita e Arefatit ka ndodhur edhe ditëve të xhuma e ditëve të shtuna disa herë pas haxhillëkut të Muhamedit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, por nuk është dëgjuar që sahabët dhe gjeneratat pas tyre kanë ndaluar të agjëruarit atë ditë në ato raste.
7. Të agjëruarit në ditën e xhuma ka disa situata:
 – Nëse agjërohet një ditë para apo një ditë ditë mbapa, lejohet unanimisht.
 – Nëse ndonjë ditë, që zakonisht e agjëron si p.sh. dita e Ashures, Dita e Arefatit, apo ndonjë shpagim – keffaret, qëllon të jetë në ditën e xhuma, lejohet unanimisht.
 – Nëse e agjëron vetëm ditën e xhuma si të tillë, është vepër e papëlqyer – mekruh. Disa thonë nuk lejohet – haram. Kjo, në bazë të hadithit: “Mos e veçoni me agjërim ditën e xhuma nga ditët e javës, përveç nëse është për ta agjëruar ndonjë ditë që zakonisht e agjëron ndokush prej jush.” Shënon Muslimi
8. Nëse dita e nëntë e dhulhixhes ndryshon nga vendi në vend, sipas dallimeve të tyre në përcaktimin e fillimit të muajit, thuhet se njerëzit duhet ta përcjellin Mekken. Këtë mendim e kanë një grup dijetarësh. Kështu, sepse Dita e Arefatit nuk mund të jetë disa herë në vit, andaj duhet të llogaritet sipas vendit ku ndodhë tubimi i haxhinjëve në Arefat. Disa të tjerë kanë thënë se kjo çështje duhet të llogaritet sipas pamjes së hënës së re në çdo vend veç e veç. Sikur që ndryshon të filluarit e Ramazanit dhe të përfunduarit e Ramazanit nga vendi në vend, njëjtë është edhe muaji i haxhit, pa përjashtim.
Kjo çështje është e diskutueshme, andaj edhe nuk duhet refuzuar asnjërin mendim.
9. Nijetin për ta agjëruar Ditën e Arefatit duhet bërë nga syfyri, sepse është sunnet i kufizuar, e jo thjesht nafile. Por nëse ndodhë që ta bëjë nijetin edhe pas agimit të Diellit, lejohet, megjithatë.
10. Zbritja hyjnore, e përmendur në hadithe, ka të bëjë vetëm për ata që janë duke qëndruar në Arefat, sipas teksteve.
11. Lutja – duaja e Ditës së Arefatit, që pranohet e nuk refuzohet, a është e posaçme vetëm për ata që qëndrojnë në Arefat? Ka dy mendime. Por mirësia e Allahut është e gjerë. Vet agjërimi është faktor për pranimin e lutjes.
12. Lirimi nga zjarri në Ditën e Arefatit, i përmendur drejtpërdrejt në hadithe ka të bëjë me ata që janë në Arefat, pra me haxhinjtë.
13. Të agjëruarit e Ditës së Arefatit shlyen mëkatet e vogla, kurse për mëkatet e mëdha duhet pendim i posaçëm.
14. Allahu i pranoftë nga të gjithë ju veprat e mira. Allahu na i mundësoftë të gjithëve t’i arrijmë aspiratat e dy botëve!

 


Shkroi: Fehd Jahja el-Ammari, gjykatës i Gjykatës së Apelit në MekkePerktheu: M. Dërmaku

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit