Njeriu është një qenie me intelekt. Kjo veçori kryesore i jep mundësinë atij të shikojë bukur, të mendojë bukur, të vlerësojë bukur dhe të sillet bukur. Në sajë të sjelljeve ose përgëzohet, ose nënvleftësohet. Mirëpo, ajo çfarë përbën rëndësi është që njeriu të mendojë mirë, të zgjedhë të mirën, të veprojë të mirën; të mos mendojë të keqen, të mos sillet në mënyrë të keqe dhe të vrazhdë. Për të zgjedhur dhe zbatuar të mirën ai duhet të sillet në mënyrë të mesme, larg ekstremeve. Të jetosh i lumtur dhe i suksesshëm është një art më vete. Çdo art ka një stil të lidhur me disa rregulla të caktuara. Ata që i kushtojnë rëndësi jetës dhe ata që janë të vetëdijshëm se jeta është një “sprovë”, nuk neglizhojnë asnjë akt e asnjë sjellje. Njeriu është një qenie sociale. Feja jonë është një fe “e civilizuar”. Vetëdija e bashkëjetesës i jep kuptim jetës, si dhe e lehtëson atë. Bashkëjetesa ka disa rregulla. Këto rregulla, ndonëse disa njerëzve u duken si pa rëndësi, në fakt për arsye se janë të lidhura në mënyrë direkte me “qytetërimin e njeriut” janë mjaft të rëndësishme. Feja jonë e bukur ka ofruar disa masa lidhur me etikën dhe hijeshinë në mendim, në të folur, në veshje, në punë dhe në sjellje. Të jetuarit me edukatë është një nga parimet e fesë, ndaj dhe është obligim për çdo besimtar.
Kodi etik, është një bashkësi rregullash mbi bashkëjetesën shoqërore; është emri i përbashkët i akteve që qytetërojnë dhe stolisin njeriun, që shprehin fjalët, sjelljet dhe veprimet e individit. Në një fjalë të urtë thuhet: “Gjithçka thyhet tek pjesa më delikate, kurse njeriu thyhet nga vrazhdësia.”
Duhet shkëmbyer selami mes njëri – tjetrit, duhet shprehur interesimi për shëndetin dhe mbarëvajtjen e punëve të njëri – tjetrit; duhet sjellë me dhembshuri, në veçanti ndaj fëmijëve; duhet shprehur respekti ndaj të moshuarve dhe duhet komunikuar me edukatë dhe delikatesë ndaj femrave, të cilat janë simboli i hijeshisë dhe finesës. Duhet kushtuar vëmendje dhe duhet marrë pjesë në fejesa, dasma, ceremoni fetare apo mortore; duhen vizituar të sëmurët, si dhe duhet bërë kujdes me mirësjelljen në udhëtime dhe kundrejt mysafirëve. Farat e para të mirësjelljes, edukatës dhe finesës duhen hedhur fillimisht në familje dhe duhet bërë kujdes të mbijnë si duhet. Fëmija juaj duhet të fitojë prej jush praktikat e të qenit higjenik, i rregullt dhe parimor. Fëmijëve u duhet mësuar sjellja që duhet të shfaqin ndaj vëllezërve dhe motrave të veta. Duhet t’ua mësojmë më- nyrën se si duhen sjellur kur janë mysafir. Duhet kushtuar vëmendje që fëmija të bëjë pjesë të jetës së tij leximin e librave, madje edhe se si duhet ruajtur libri, se si duhet mësuar, se si duhet të rregullojë tryezën e studimit, dhe si duhet të vendosë çantën me libra. Fëmijës duhet t’i mësojmë raportin mes shpërdorimit dhe haramit, duke i dhënë shembujt dhe përmes fjalëve të bukura; që të ngrënit me ekuilibër dhe me rregull është mubah; kurse teprimi në ngrënie, shprehja e tamahut dhe ngulitja e syve tek ajo çfarë ka tjetri nuk është e përshtatshme fetarisht; të folurit rreth ndonjë myslimani që nuk gjendet prezent, duke i veshur ndonjë të metë që ai nuk e ka, pra përgojimi duhet mësuar se është i ndaluar. Pejgamberi ynë (a.s.), ka thënë: “Feja është këshillë.” Kështuqë, secila nënë dhe secili baba duhet të luftojë që “të përhapet e mira dhe të pengohet e liga” mbi ata vetë, si dhe mbi fëmijët e tyre. Shkurtimisht, fëmijët duhen mbështetur në sjelljet e mira që shfaqin dhe duhen penguar të shfaqin sjellje të këqija dhe të vrazhda. Duhen treguar metodat e përvetë- simit të hadithit “Mysliman është ai, nga shprehjet dhe sjelljet e të cilit nuk shqetësohet tjetri.”
Myslimani duhet të respektojë kodin etik në veshje, në ngrënie, kur është mysafir, kur bisedon, kur përshëndet, kur prezantohet, kur komunikon në telefon, gjatë udhëtimit, në rrugë, kur largohet, shkurtimisht në çdo fushë të jetës. Kujdesi që i kushton njeriu veshjes dhe paraqitjes në përgjithësi ka aq shumë rëndësi, saqë është përcaktues i personalitetit të tjetrit. Ndaj dhe thuhet: “Njeriu pritet sipas paraqitjes së tij dhe përcillet sipas meritave dhe sjelljeve të tij.” Njeriu duhet të vishet me gjërat e lejuara, të pastra, sipas përcaktimeve që ka feja dhe shoqëria. Nuk duhen veshur veshje të shkurtra dhe transparente. Nuk duhet veshur me ngjyra të ndezura. Por duhet veshur në mënyrë të harmonizuar. Të dish të ushqehesh sipas kodit etik, është një punë më vete. Që nga shijet mbi ushqimet, përgatitja e sofrës, mënyra se si ulesh, përdorimi i lugës dhe pirunit, mënyra se si çohen deri tek goja, mënyra sesi përçapet kafshata dhe çdo detaj tjetër lidhet me një rregull dhe me një mënyrë mirësjelljeje. Kushti parësor i ushqimit është të qenit hallall. Pastaj i duhet kushtuar vëmendje higjienës së ushqimit. Duart duhen larë para dhe pas ushqimit. Para se të kemi filluar të hamë, të themi “Bismil-lah”. Kur jemi duke ngrënë nuk për- çapet kafshata me zhurmë e as nuk flitet me kafshatë në gojë. Është turp të përkulesh mbi pjatën e supës apo të gjellës. Kokrra e ullirit nuk merret me dorë për t’u futur në gojë, por me pirun. Nuk duhet të përfundohet ushqimi e as që duhet çuar nga sofra para mysafirit. Pas ushqimit duhet bërë dua; pra duhet ngritur pasi të kesh falënderuar Allahun. Pas ushqimit duhet pastruar goja dhe dhëmbët. Mysafir shkohet me një dhuratë sado të vogël në dorë, brenda mundësive. Kur je mysafir, fëmijët flasin më pak sesa prindërit e tyre. Ashtu sikurse janë pavend diskutimet mes njëri-tjetrit të partnerëve gjatë ushqimit, po ashtu është e detyrueshme të përshtatesh me rregullin familjar të shtëpisë ku shkohet. Gruaja nuk duhet ta nënçmojë të shoqin në sytë e të tjerëve, po ashtu as i shoqi nuk duhet ta turpërojë gruan. Nuk janë sjellje të denja e qeshura për gjithça që thuhet a bëhet. Veçanërisht femrat të mos qeshin me të madhe me gojë të mbushur plot. Kur je i ftuar si mysafir apo në një rast të caktuar, nuk duhet treguar lakmitar për ushqim, duhet ushqyer në më- nyrë të qetë. Të hash shpejt e shpejt dhe të mbarosh, bie ndesh me kodin etik. Ndërkohë që je mysafir, të mos pëlqesh ushqim e të mos hash pa pasur ndonjë arsye serioze, është mungesë e theksuar e edukatës. Hahet ajo çfarë të shërbehet, nuk zgjidhet ushqimi, nuk duhet vënë në vështirësi i zoti i shtëpisë. Kur je mysafir, falënderohen bujtësit për shërbimet dhe duhet bërë e dukshme se ishin të shijshme. Është qytetari të marrësh në telefon të zotin e shtëpisë që të bujti një natë më parë dhe ta falënderosh sërish për darkën e mbrëmshme. Kur bëhen dialogje, duhet nderuar dhe respektuar njëri-tjetri. Janë pjesë e kodit etik që i përket komunikimit, të folurit në gjuhën që kupton tjetri, të folurit me një ton zëri të mesëm, të mos fyesh, mosnxjerrja e gjuhës jashtë, mosshtrembë- rimi i buzëve dhe mossharja; kurse si përmbajtje duhet të jesh përmbledhës, i kuptueshëm dhe të thuash gjëra të dobishme. Ndaj dhe Pejgamberi ynë i dashur (a.s.), ka thënë: “O flisni gjëra të mbara, ose heshtni!”
Përshëndetja e njëri – tjetrit është treguesi më identi- fikues i qytetarisë. Shprehja e njërit nga emrat e Allahut “Selam”, që bëjnë dy njerëz kur takohen në rrugë, ka kuptimin që nga ai vetëm paqe do të ketë, si dhe shpreh lutjen që Allahu t’i dhurojë mirësi, paqe, shëndet dhe lumturi. Edhe personi përballë e shpreh përmes marrjes së selamit, që edhe ai i uron të njëjtat gjëra. Një njeri që shkon tek një i moshuar, fillimisht i jep selam; por të moshuarit nuk i drejtohesh “si jeni?”. Pasi, e drejta për të pyetur i pari “si jeni” i përket të moshuarit. I vogli nuk ulet pa i treguar të tjerët se ku do ulet. Kur takohen për herë të parë dy njerëz, nëse nuk ka një të tretë që do t’i prezantojë, atëherë prezantimin e vetes e bën duke thënë emrin dhe mbiemrin bashkë. Nëse është e nevojshme, sipas situatës, tregohet edhe profesioni apo punët e veçanta që bën. I pari që nis prezantimin është i vogli, pastaj i madhi; ai që është me profesion një shkallë më të lartë bën prezantimin para tjetrit; mashkulli para femrës.