16.6 C
Pristina
Monday, May 20, 2024

Rrëfimi i 92 vjeçarit pejan, që i agjëroi 81 Ramazana – Për 30 vite ka punuar në Gjermani, dhe “nuk e hëngra asnjë ditë të muajit të shenjtë”(Video)

Më të lexuarat

Kujtimin për agjërimin në fëmijërinë e tij ende thotë se e ka të freskët pavarësisht se vitet i kanë rënduar supet e tij. Haxhi Muhamet Qehaja, pejani 92 vjeçar, të cilin në mesin e praktikuesve të fesë islame në Pejë e njohin si njëri nga të moshuarit më simpatik që frekuenton xhamitë e qytetit, dhe krejt kjo për një arsye të thjeshtë, e ajo është dashamirësia, përkushtimi ndaj kësaj feje që i vezullon në sytë e tij.

Ai duke bërë një kronologji të jetës së tij të bujshme dhe me shumë ngjarje e tregime, gati se nuk qanë kur tregon sfidat që i ka kaluar gjatë jetës së tij të gjatë.

Ai për Magazinën e Ramazanit, ka rrëfyer se prej fëmijërisë ishte dashuruar në namazin dhe Kur’anin, madje me çiltërsinë e një plaku fisnik, tregon se si hoxhallarët/mësuesit nëpër mejtepet (xhamitë/shkollat), ishin të pakompromis dhe i ndëshkonin ata që nuk kishin disiplinë gjatë lexim – këndimit të fjalët se Allahut.

Qehaja, bashkëmoshatarët e të cilit ndonëse ndodhen shumë rrallë, por as nuk e kanë freskinë dhe shëndetin e tij, ka theksuar se nga ajo që i kujtohet fillimisht në fëmijërinë e hershme agjërimin e kishte të siç e quan ai të qepur.

“Nëna na thonte se do t’i qepë ditët, ose gjysëm ditët, që ne agjëronim, dhe kjo ka qenë një motiv për ne që ta vazhdojmë këtë traditë më vonë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, pa çka nuk e kujtohet saktësisht viti se kur ka filluar të agjëroj, thekson se diku në moshën 10 ose 11 vjeçare ka filluar “të mbaj komplet Ramazan”.

Haxhi Muhameti – siç e njohin besimtarët muslimanë të Pejës – ka treguar se nga 81 Ramazanat e agjëruar, 30 prej tyre kanë qenë gjatë kohës që ai ka punuar në Gjermani.

“Kam punuar 30 vite në Gjermani. Diku para viteve të 70-ta kam shkuar atje, dhe në asnjë moment as që e kam menduar që mund të mos agjëroj. Kam jetuar me shumë miqë dhe shokë nga Kosova, të cilët nuk e merrnin afër zemrës nëse agjëronin ose jo. Kur më pyetnin mua se a po agjëroj, kjo pyetje më vinte si e pabesueshme. Nuk ka mundësi të pyetet muslimani se a po agjëron”, ka theksuar ai.

Më tutje Qehaja, duke sjellë kujtime nga fëmijëria, tregon se në familjen e tij dhe në rrethin më të cilin ka jetuar, ka qenë normale agjërimi dhe falja e namazit.

“Nëse dikush në atë kohë e hante Ramazanin, ne nuk e trajtonim si mysliman. Mendonin se ai person është kaurr – shka. Ndërsa, sot kur po i shoh se me sa lehtësi nuk agjërojnë ndihem keq”, ka shtuar ai.

Sipas tij, ai edhe obligim tjetër që bie mbi musliman, thotë se nuk e ka lënë as gjatë kohëve të vështira të komunizmit, duke shtuar se në vitin 1952 ka qenë ushtar në Kroaci, dhe në kushte të rënda të mbikëqyrjes ka agjëruar dhe ka falur namaz.

Ai ka shkëputur kujtime gjatë kohës që e ka punuar tokën, për shkak se familja e tij ka poseduar hapësira të mëdha të tokave të punueshme, duke theksuar se disa prej atyre që punonin në tokë, pështynin gjak, dhe nuk e kanë prishur agjërimin, ndërsa ai nuk e ka kontestuar çështjen e agjërimit, ndonëse ka qenë nën rrezet e diellit përcëllues duke punuar arrën e tij.

“Pa namaz nuk mund ta paramendoj jetën timë. Nuk ka kuptim. Unë nuk ndahem asnjëherë prej tij”, duke shtuar se “ata që e përcjellin këtë fe, janë ushtarë të Allahut, dhe më pas pejgamberit të Allahut, Muhamedit(alejhi ue selem).

Haxhi Muhameti, i cili rrjedhë nga njëra prej familjeve më të pasura në regjionin e Pejës, e që kanë qenë të shumta pronat që i kanë zotëruar ata, ka treguar se në kohët e rinisë së tij, nuk ka pasur siç thotë ai, “ nuk kemi pasur Coca – Cola, çokollata, e ushqime tjera si tash”.

“Thjesht na me lëng të trëndafilave – shurup bënim iftar. Dhe më pastaj buka që ishte nga gruri – ishte shujta jonë me të cilin ushqeheshim”, ka theksuar ai.

Plaku 92 vjeçar, pavarësisht bollëkut të ditëve të sotit, ka thënë se atmosfera, gjatë muajit të Ramzanit, ka qenë dukshëm më e mirë në të kaluarën.

“Bënim më tepër vizita, e ftonim njëri tjetrin në iftar, dhe kështu kalonim shumë mirë, thjesht kishte ‘shyhret”, ka theksuar ai

Sipas tij, pavarësisht se serbët i kemi pasur armiq, ata kanë qenë të kujdeshëm ndaj ndjenjave të besimtarëve musliman, kur ata ishin agjërueshëm.

“Me kujtohet disave prej tyre ju vinte turp që të hanin nëpër ambiente publiken dërsa sot disa nuk e kanë këtë kujdes”, ka thënë Qehaja.

Ai ka theksuar se prapë mendon se ka shpresë, sepse po e vëren një ngjallje të fesë në mesin e të rinjve, duke shpresuar që ata vetëm se do të shtohen.

“Ata të gjithë janë kandidat për xhenet, ku Zoti do t’i shpërblej për veprat e tyre, dhe ku do të ushqehen nga kopshtet e xhenetit. Besimtari i mirë ka moral të mirë, dhe Allahu e ruan prej gënjeshtrës, mashtrimit, amoralitetit, etj”, ka deklaruar Qehaja.

Ai shprehet paksa i brengosur pse nuk po mundet që të dalë e t’i falë të gjitha namazet në xhami, veçanërisht namazin e sabahut, por me ngulm thotë se namazin e drekës dhe ikindisë tenton që çdo herë të jetë prezent në xhami, duke sqaruar se për dy javëve të fundit e ka përfunduar leximin e Kur’anit komplet.

Ai nuk e ka zgjatur në porosinë e tij, por thjesht ka thënë se morali i mirë, është koka e çdo pune të mirë(të hajrit) e të suksesshme./Magazina e Ramazanit/.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit