Rinis sot gjykimi ndaj Ratko Mlladiq

0
32

Sot rinis në Gjykatën e Hagës gjykimi për krime lufte ndaj ish-liderit ushtarak të serbëve në Bosnjë, Ratko Mlladiq.
Prokurorët e Gjykatës së Hagës pritet të thërrasin sot dëshmitarët e parë. I pari që do të dëshmojë në gjyq do të jetë Elvedin Pasiq.
Ky i fundit pritet të rrëfejë para gjykatës se si i ka shpëtuar ekzekutimit të 150 njerëzve nga ushtarët serbë të Bosnjës më 1992.
Dëshmia e Pasiqit pritet të pasohet nga ajo e këshilltarit të Kombeve të Bashkuara, Dejvid Harlend, i cili do të përqendrohet në rrethimin e Sarajevës nga viti 1993 deri në vitin 1995.
Dëshmitari i tretë pritet të jetë gjenerali Sir Riçard Danat, ish komandant i forcave të armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, i cili do të dëshmojë mbi çështjet e komandës dhe kontrolleve ushtarake.
Mlladiq, i cili është arrestuar në Serbi në majin e 2011-ës pas 16 vjetësh në arrati, akuzohet për gjenocid dhe krime të tjera lufte, si dhe për orkestrimin e masakrës së Srebrenicës ku u vranë 8 mijë burra dhe djem myslimanë.
70-vjeçari është figura e fundit që po gjykohet për krimet e kësaj lufte./Indeksonline/kohaislame