22 C
Pristina
Wednesday, May 8, 2024

Rëndësia e edukimit të fëmijëve rreth besimit

Më të lexuarat

Domethënia e edukimit
Natyrisht se edukimi është një proces i qëllimshëm avancues i cili vihet në lëvizje nga rregulla dhe korniza të cilat synojnë formimin e zakoneve të mira përmes metodës së: orientimit, ushtrimeve, ngritjes së vetëdijes, përmirësimit dhe praktikës. Edukimi i kushton kujdes ruajtjes dhe mbikëqyrjes së natyrshmërisë së fëmijës, ndërtimit të talenteve dhe aftësive të tij, e pastaj orientimit të kësaj natyrshmërie dhe këtyre talenteve së bashku drejt asaj që mundëson përmirësimin dhe plotësimin e tyre ashtu siç e meritojnë; gjë që ndihmon në përgatitjen e një njeriu të suksesshëm për ndërtimin e botës. Edukimi është vegël e cila prodhon udhëheqësi në të gjitha sferat e jetës.


Besimi është qëllimi më i madh i ekzistencës dhe çështja më madhështore e njeriut. Ai është ndarësi i rrugëve gjatë shtegtimit të njeriut në jetën e kësaj bote: “Disa besuan, kurse të tjerët mohuan.” (Kuran, 2:253)

Mbi të ndërtohen veprat dhe sjelljet e tij, duke qenë gjithashtu vendimtar për atë që i pret ata në botën e përtejme. Periudha e fëmijërisë është njëra prej periudhave më vendimtare në jetën e njeriut, duke qenë se ajo që do ta mbjellësh në shpirtin e fëmijës gjatë kësaj periudhe, prej: botëkuptimeve, vlerave, zakoneve dhe orientimeve, është vështirë – e ndoshta edhe e pamundur – që t’ia ndryshosh më vonë, e lëre më t’ia çrrënjosësh; e nuk është larg mendsh që gjurmët e saj t’i mbesin gjatë tërë jetës së tij. Për këtë arsye, edukimi rreth besimit gjatë fëmijërisë është prej fazave themelore mbi të cilën ndërtohet e gjithë jeta e njeriut në këtë botë.

Në përgjithësi, edukimi është përkushtim, ndaj s’mund të ketë edukim pa përkushtim, si pasojë, më e mira në ç’mund të shpenzosh përkushtimin tënd është në mbjelljen e besimit. Po e jetojmë një kohë kur përpjekja e shumicës së hulumtuesve është orientuar në aspektin mendor dhe trupor të edukimit, duke lënë anash aspektin e besimit dhe atij shpirtëror. Punimet e tyre shkencore ata i kanë orientuar nga realizimi i fitores dhe suksesit në këtë botë duke u mbështetur në standardet materiale, duke mos u angazhuar në rregullimin e asaj që dërgon tek lumturia e botës tjetër. Kjo na ka shtyrë që, prej këtij aspekti, teoria jonë kundrejt edukimit të ketë një dallim tejet të madh në krahasim me ta.

Është e qartë se edukimi përreth besimit në Islam është një prej shtyllave mbi të cilat është e ngritur ndërtesa e edukimit në epokën e pastër profetike. Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të! ) përcillet të ketë thënë se ka dëgjuar Profetin e Allahut të ketë thënë: “Të gjithë ju jeni barinj dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e tij. Prijësi (imami) është bari dhe është përgjegjës për kopenë e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe është përgjegjëse për kopenë e saj.” Shënon Buhariu (2558); Muslimi (1829).

Pra, ai tërhoqi vërejtjen për madhështinë e përgjegjësisë që ne bartim mbi supet tona. Çdonjëri është përgjegjës – s’ka shpëtim prej kësaj – për atë se çfarë u ka ofruar atyre që i ka nën përgjegjësinë e vet. Gjithashtu, është përcjellë prej Profetit se ka thënë: “Cilido rob të cilit Allahu ia ka nënshtruar një kope për t’i mbikëqyrur, e ai nuk e ka bërë atë që i takon për t’i këshilluar, nukdo ta ndjejë erën e Xhenetit.” Shënon Buhariu (7150).
Këtu njëkohësisht është vënë theks i veçantë në rëndësinë e ofrimit të këshillës me sinqeritet dhe besnikëri, asisoj që këshilla të jetë përmbledhëse dhe mbërthyese e gjithë asaj për të cilën ka nevojë i këshilluari në çdo aspekt. Është përcjellë gjithashtu rreth kësaj teme nga Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të! ) se ka thënë: “Edukoje fëmijën tënd, sepse ti je përgjegjës për të se me çfarë e ke edukuar?! Çfarë e ke mësuar?! Ndërsa ai është përgjegjës për bamirësinë ndaj teje dhe bindjen ndaj teje!” “Shu’ab el-Iman,” e Bejhakiut.. Ibn Omeri këtu pohon se përgjegjësia fillimisht bie mbi supet e prindërve, ata janë burimi primar i edukimit dhe mësimit. Është thënë se edukimi është më i mirë se lëmosha. “Ta edukojë dikush fëmijën e vet është më mirë sesa të japë lëmoshë një grosh” Shënon Tirmidhiu (1951); Albani e ka vlerësuar të dobët në “es-Silsiletu ed-Daife” (1887). Ashtu siç është thënë: “T’ia mësosh fëmijës sjelljen e mirë është më e mirë se çdo lëmoshë.” “S’i ka dhuruar ndonjë prind fëmijës së vet, diçka më të mirë se edukata vetë.” Shënon Tirmidhiu (1952); Albani e ka vlerësuar të dobët në “es-Silsiletu ed-Daife” (1121) Të gjitha këto tekste, si dhe të tjera,tregojnë se angazhimi me edukim dhe mësim është prej gjërave më të rëndësishme dhe më të mëdha që një prind mund t’ia dhurojë fëmijëve të tij.

Në të kaluarën, fëmijët tanë i edukonim në një ambient pjesërisht të mbyllur, ndërsa sot po i edukojmë ata ndërkohë që dyert dhe dritaret e shtëpive tona janë të hapura ndaj botës, prej njërit skaj në tjetrin. Kjo natyrisht se i ka të mirat dhe të këqijat e veta, por nëse nuk do të jemi të kujdesshëm dhe të ndërgjegjshëm mjaftueshëm rreth aktualitetit, atëherë të këqijat mund të dominojnë ndaj të mirave. Në të vërtetë, ne kemi mundësi që t’i kuptojmë veçoritë e ndryshimeve bashkëkohore vetëm atëherë kur të kemi përvetësuar virtytin e të qenit vigjilent ndaj ndryshimeve aq të shpejta që po ngjajnë përreth nesh, si dhe leximin e tyre nga horizonti i një të pajisuri me kulturë të gjerë, duke qenë se angazhimi i edukatorit me këtë ia imponon atij përpjekjen për t’ua ngulitur në thellësinë e shpirtrave tëfëmijëve kuptimet e besimit, përmes ambientit familjar për të cilin e gjithë familja kontribuon në ndërtimin e tij; pastaj përmes zgjedhjes së çerdhes dhe shkollës e cila angazhohet për një gjë të tillë. Së këndejmi, pakujdesia ndaj të kuptuarit e asaj që ngjet rreth nesh nënkupton shkaktimin e dështimeve për të cilat s’do gjesh dot më vonë asnjë rrugë për t’i përmirësuar. “El kavaid el ashr” (Ehem el Kavaid fi terbijetil ebna), Dr. Abdulkerim el Bekar, f. 17, 56, 57. Ndërkohë që përmes punës së vazhdueshme në edukim dhe durimit të vazhdueshëm, me lejen e Allahut, do t’i arrijmë rezultatet më të mira të mundshme, duke qenë të vetëdijshëm se për edukim nuk është e mjaftueshme këshilla kalimthi, por duhet përcjellje dhe konsultim të vazhdueshëm. Shiko: “Thekafetu el murabij”, Vedah ibn Hadi, f. 54.

Marr nga libri: ” Pyetjet e fëmijëve rreth besimit” Autor: Abdullah er Rekaf

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit