9.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Reagimet e Kuranit ndaj sulmeve – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Njerëzit në këtë jetë do të sprovohen me njeri-tjetrin, besimtarët me jobesimtarët e madje edhe besimtarët mes tyre. Ky është ligji i Zotit në këtë botë. Sigurisht ata që sprovohet më së shumti janë mbartësit e së vërtetës, ndaj dhe për këtë Profetët janë ata që janë sprovuar më tepër se kushdo tjetër në këtë botë.

Profeti Muhamed (alejhi salatu ue selam), ashtu si edhe profetët e tjerë u ofendua, u sha, u akuzua me shpifje, u kundërshtua feja dhe vërteta që ai solli, madje edhe u persekutua dhe u dhuna, por ai kurrë nuk heshti dhe iu përgjigj të gjitha këtyre sulmeve ashtu siç e udhëzoi Allahu përmes Kuranit.

Nëse e lexojmë Kuranin me një vëmendje më të madhe, gjë që në fakt e kemi obligim, do të vëmë re se ai është një libër i mbushur me polemika dhe reagime ndaj sulmeve të qafirëve. Këto reagime dallojnë në varësi të sulmit që vjen nga këta kundërshtarë.

P.sh. sulmeve fyese, tallëse dhe denigruese Kurani nuk i përgjigjet me të njëjtën gjuhë, por i përgjigjet në disa raste me kërcënimin e botës tjetër, si p.sh.:

“Mjerë për atë që tall e përqesh, i cili ka mbledhur pasuri dhe e ruan (me koprraci) atë. Ai mendon se pasuria e tij do ta bëjë të përjetshëm. Jo, kurrsesi! Ai do të flaket në Zjarrin shkatërrues…” (el-Humeze: 1-4)

“Ata të cilët kanë bërë krime, krahas mohimit që ata kishin, dikur talleshin dhe qeshin me ata që besonin. Kur kalonin pranë besimtarëve ua bënin me shenjë njeri-tjetrit, duke u tallur me ta. Dhe kur ktheheshin në shtëpitë e tyre, ktheheshin të gëzuar për mosbesimin që kishin dhe për talljen që u bënin besimtarëve. Kur ata shihnin myslimanët thoshin: “Ata janë të humbur nga rruga e vërtetë, sepse kanë lënë fenë e të parëve të tyre.” Por Allahu nuk i kishte caktuar ata përgjegjës për veprat e të tjerëve që ata të shpreheshin kështu. Dhe ditën e Kiametit ata që besuan do të qeshin me jobesimtarët, ashtu siç këta të fundit qeshnin me ta në dynja. Ata do të qëndrojnë mbi shtretër të zbukuruar duke vështruar mirësitë e pandërprera që u ka dhuruar Allahu. Dhe jobesimtarët do të shpërblehen për veprat e tyre që kanë bërë në dynja me ndëshkim poshtërues.” (el-Mutafifun: 29-36)

Në disa raste të tjera Allahu e udhëzon Profetin (alejhi salatu ue selam) të bëj durim dhe t’iu largohet injorantëve dhe të mos përballet me ta:

“Tregohu falës, urdhëro për mirësi dhe rri larg të paditurve!” (el-Araf: 199)

“Prandaj thuaje haptas mesazhin që të është urdhëruar dhe rri larg idhujtarëve! Nuk ka dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen, kundër atyre që i shoqërojnë Allahut hyj tjetër. Dhe së shpejti ata do të arrijnë ta kuptojnë. Ne e dimë mirë se ti ngushtohesh shpirtërisht prej gjërave që ata thonë. Por ti madhëroje me lavdërime Zotin tënd e bëhu prej atyre që bien në sexhde!” (el-Hixhr: 94-99)

Por ka raste që sulmeve të kësaj natyre Allahu i përgjigjet edhe duke demaskuar situatën denigruese të sulmuesit, siç është rasti me Uelid ibn Mugiren, të cilët komentuesit e Kuranit tregojnë se ajetet e mëposhtme kishin për qëllim pikërisht atë:

“Ti, me dhuratën e Zotit tënd, nuk je i çmendur. Ti, pa dyshim, do të kesh një shpërblim të pandërprerë. Vërtet, ti ke një moral të lartë. Më vonë ti do të shohësh, por edhe ata do të shohin, se cili prej jush është i çmendur. S’ka dyshim se Zoti yt e di se kush e ka humbur rrugën e Tij dhe kush e ka gjetur rrugën e drejtë. Prandaj, ti mos u pajto me gënjeshtarët! Ata do të dëshironin që ti të bësh lajka, që edhe ata të bëjnë lajka. Mos e respekto asnjë që betohet shumë dhe është i poshtëruar, që është përgojues e përhap fjalë ngatërrestare ndër njerëz, që është pengues i mirësive, armiqësor e gjynahqar i madh, shumë i vrazhdë dhe, përveç këtyre, bastard, vetëm pse ai ka pasuri e djem! Kur atij i lexohen ajetet Tona, ai thotë: “Legjenda të të parëve!” Ne do ta damkosim atë në hundë.” (el-Kalem: 2-16)

Pra mund të themi përmbledhtazi se sulmeve ofenduese, tallëse dhe fyese në disa raste nuk i jepet përgjigje e drejtpërdrejtë, por ose bëhet durim nëse sulmi vjen nga dikush ndaj të cilit është e vështirë të mbrohesh dhe gjendja e besimtarëve është e dobët, ose në raste të tjera i përgjigjesh me kërcënimin e Allahut, apo edhe forma të mundshme ligjore siç ka në kohën tonë, përmes padive në gjykatë etj.

Por ndërkohë sulmeve dhe akuzave të cilat synojnë të hedhin poshtë të vërtetën e Allahut përmes hedhjes së dyshimeve dhe kundërshtimit të arsyetuar, Kurani i përgjigjet me tjetër gjuhë, që është gjuha e argumentit dhe e provave.

P.sh. dyshimit për vërtetësinë e Kuranit dhe akuzën se ai mësohej Profetit (alejhi salatu ue selam) nga një njeri Kurani i përgjigjet në këtë mënyrë:

“Ne e dimë shumë mirë se ata thonë: “Atë (Muhamedin) është duke e mësuar një njeri.” Mirëpo gjuha e atij, për të cilin hamendësojnë ata, është joarabe dhe kjo (e Kuranit) është një gjuhë arabe e qartë” (en-Nahl: 103)

Ndërsa dyshimit për ringjalljen i përgjigjet kështu:

“Dhe ai (njeriu) bën krahasime për Ne dhe e harron se si është krijuar. Ai thotë: “Kush i ngjall eshtrat pasi të jenë kalbur?” Thuaj: “Do t’i ngjallë Ai që i krijoi për herë të parë. Ai, për çdo krijim, është i Gjithëditur. Ai nxjerr për ju zjarrin prej drurit të gjelbër dhe ja, ju prej tij ndizni.” A nuk mundet Ai, që krijoi qiejt e tokën t›i rikrijojë ata (njerëzit)? Po, Ai është Krijuesi, i Gjithëdituri. Kur Ai dëshiron diçka, mjafton vetëm të thotë: “Bëhu!” Dhe ajo menjëherë bëhet.” (Jasin: 78-82)

Kurani është i mbushur me të tilla argumente dhe arsyetime logjike, me të cilat ai replikon ndaj kundërshtarëve të Islamit. Kështu që edhe reagimi ynë ndaj sulmeve duhet të jetë i përshkallëzuar pikërisht sipas kësaj ndarje dhe reagimi Kuranor, sepse vetëm heshtja, apo injorimi nuk janë kurrsesi zgjidhja e duhur, por as vetëm reagimet emocionale, sidomos kur ato degradojnë në ofendime, dhe sharje banale apo kërcënime të papërgjegjshme.
Feja sa më shumë të rritet dhe forcohet dhe të bëhet e dukshme në publik, aq më shumë do të sulmohet dhe tallet dhe do të hidhen shpifje mbi të, por për çdo rast për ne si besimtarë duhet të jetë Kurani dhe praktika e Profetit ai që na udhëzon sesi duhet të reagojmë, me larminë e tyre të reagimeve për çdo rast.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit