1.2 C
Pristina
E premte, 16 Prill, 2021

Rasmussen: S’do të ketë ndarje të Kosovës

Më të lexuarat

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga është takuar të enjten me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Ky i fundit deklaroi se çështja e veriut është politike, por sipas tij, nuk do të ketë ndarje të Kosovës.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se sekretari Rasmussen, e siguroi presidenten Jahjaga se nuk ka ndarje të Kosovës, por zgjidhja është në integrimin e plotë dhe është me rëndësi që Zyra administrative të jetë funksionale dhe të kryejë punën e saj për të mirën e të gjithë qytetarëve.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen përgëzoi presidenten Jahjaga, duke thënë se qëndron si garantues i vlerave dhe principeve bazë të demokracisë dhe sundimit të ligjit, lirisë së shprehjes dhe barazisë qytetare, principe këto mbi të cilat po ndërtohet Kosova.

Ai gjithashtu i dha mbështetje presidentes për rolin e saj në heqjen e neneve 37, 38 dhe 39 nga kodi penal i Kosovës, duke mundësuar kështu lirinë e shprehjes dhe punën profesionale të medieve.

Rasmussen e përgëzoi presidenten Jahjaga, për përfundimin me sukses të fazës së pavarësisë së mbikëqyrur duke vlerësuar këtë si një hap përpara për Kosovën, si dhe përgëzoi punën e FSK-së, në përmbushjen e kapaciteteve të plota operacionale në realizimin e mandatit të saj.

Më tej, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, tha se KFOR-i do të qëndroj edhe më tej në Kosovë si garantues i paqes dhe i stabilitetit. Duke theksuar se zgjidhja e çështjeve në tri komunat e veriut është politike dhe në këtë bazë e përgëzoi presidenten Jahjaga për angazhimin e saj në komunikimin me të gjitha komunitetet në vizitat komunave me popullatë serbe dhe përkushtimit të saj për integrimin e plotë të komuniteteve në shoqërinë kosovare.

Ndërkaq, presidentja Jahjaga e falënderoi sekretarin e NATO-s, Rasmussen për angazhimin e tij personal dhe për punën e KFOR-it, që po e bën në Kosovë për të cilën gjë e gëzojnë respektin dhe nderimin e të gjithë qytetarëve.

Jahjaga, e falënderoi NATO-n për ndihmën që i ka dhënë dhe po i jep FSK-së, në arritjen e kapaciteteve të plota operacionale duke e bërë një institucion shumë të rëndësishme në shërbim të popullit.

Duke folur për situatën e përgjithshme Presidentja Jahjaga, theksoi se Kosova shtet sovran dhe i pavarur është bërë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe zhvillon marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët.

Ajo deklaroi se Kosova dëshiron të ketë marrëdhënie të mira edhe me fqinjin verior Republikën e Serbisë, pasi sipas saj, e ardhmja e gjithë rajonit është në integrimet evropiane. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit