14.6 C
Pristina
Thursday, September 29, 2022

Raporti Evropian i Islamofobisë tërheq vëmendjen mbi rrezikun e institucionalizimit të antiislamizmit

Më të lexuarat

Me opinionin publik është ndarë Raporti Evropian i Islamofobisë 2021, ku janë përpiluar veprimet raciste antiislame në 27 vende të Evropës

Raporti Evropian i Islamofobisë vë në dukje se në vitin 2021, racizmi antiislamik është ndier në kuptim serioz në shumë fusha të jetës shoqërore në kontinentin e vjetër dhe tërheq vëmendjen mbi institucionalizimin e islamofobisë me rregulloret e vendosura në zbatim nga vende si Austria dhe Franca, raporton Anadolu Agency (AA).

Me opinionin publik është ndarë Raporti Evropian i Islamofobisë 2021, ku janë përpiluar veprimet raciste antiislame në 27 vende të Evropës.

Për Raportin Evropian të Islamofobisë të përgatitur nga lektori në Universitetin Turko-Gjerman, Doç. Dr. Enes Bayraklı, dhe Prof. Farid Hafez nga Universiteti Georgetown, kanë ofruar kontribut 35 akademikë dhe ekspertë që zhvillojnë punime në fushën e racizmit dhe të drejtave të njeriut.

Raporti është mbështetur nga institucione të tilla si “Shoqata Ndërkombëtare për Punime dhe Studimet e Islamofobisë (IISRA)”, “Instituti për tjetërsimin dhe përkatësinë i Universitetit të Kalifornisë”, “Qendra për Sigurinë, Përkatësinë dhe të Drejtat e Universitetit Rutgers”, “Qendra Ndërkombëtare për Studimet e Islamofobisë”, “Projekti Kërkimor dhe i Dokumentimit të Islamofobisë në Qendrën e Përkatësisë dhe Gjinore të Universitetit të Kalifornisë (IRDP)”, “Studimet e etnisë dhe diasporës arabe dhe myslimane në Universitetin Shtetëror të San Franciskos (AMED)” dhe “Instituti Leopold Weiss”.

Në kopertinën e këtij viti të raportit ku shqyrtohet antiislamizmi në shumë fusha të jetës shoqërore në Evropë dhe i institucionalizuar në shumë vende, përfshihet ish-kryeministri i Austrisë, Sebastian Kurz, i cili karrierën dhe suksesin e tij e arriti më së shumti me kundërshtinë ndaj të huajve, emigrantëve dhe myslimanëve.

– Qëndrimi antiislam i ish-kryeministrit Kurz

Në raport me rregulloret antiislame që Kurz, i cili ushtroi detyrën e kryeministrit për dy mandate në Austri gjatë periudhës 2017-2021, vendosi në fuqi njëra pas tjetrës në qeveritë që formoi me Partinë e Lirisë të ekstremit të djathtë (FPÖ) dhe Partinë e Gjelbër, siguroi kontribut që islamofobia të institucionalizohet jo vetëm në këtë vend, por edhe në vende të ndryshme të Evropës me bashkëpunimet që ai kreu me qeveri të ndryshme.

Retorika politike me shënjestër myslimanët i siguroi Kurz-it që të qëndronte në pushtet për dy mandate, theksohet në raport, ku rikujtohet se gjatë periudhës së ish-politikanit austriak u vendosën në zbatim një sërë rregulloresh, të tilla si ndalesa e nikabit, mbyllja e xhamive, formimi i të ashtuquajturës “Qendra e Dokumentimit të Islamit Politik” e cila synonte përcaktimin e institucioneve dhe organizatave që u përkisnin myslimanëve nën emërtimin e luftës me “islamin politik” dhe vendosja një shënjestër e myslimanëve me ligjin e ri për luftën kundër terrorizmit.

Në raport vihet theksi se Kurz, i cili është detyruar t’i japë fund karrierës së tij politike për shkak të hetimit të nisur ndaj tij për korrupsion, me qëndrimin e tij kundër myslimanëve në të vërtetë është përpjekur të fshehë autoritarizmin në rritje dhe korrupsionet e pretenduara.

Sipas raportit, islamofobia edhe vitin e kaluar ka qenë brenda një trendi në rritje në Evropë, ku kryesisht Britania dhe Franca u bënë qendër e urrejtjes kundër myslimanëve dhe incidenteve raciste.

Bashkë me këtë, ekipi që përgatiti raportin e 6-të ka tërhequr vëmendjen se ende nuk janë ndërmarrë hapa në nivelin e dëshiruar për të zgjidhur problemet lidhur me racizmin antiislamik, por që në krahasim me vitet e mëparshme janë shënuar disa zhvillime pozitive.

– Racizmi antiislamik për herë të parë në një dokument

Dokumenti i emërtuar “Rekomandimi i Politikës së Përgjithshme nr. 5 për parandalimin dhe luftimin e racizmit dhe diskriminimit antiislam” i miratuar kryesisht nga Komisioni Evropian Kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) në dhjetor 2021 dhe publikuar më pas më 1 mars 2022, theksohet se është dokumenti i parë zyrtar i përgatitur nga institucionet evropiane në këtë fushë.

Vëmendja është tërhequr se dokumenti në fjalë e përkufizon islamofobinë jo vetëm si një krim urrejtjeje kundër myslimanëve, por drejtpërdrejt si racizëm antiislamik.

– “15 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Luftës kundër Islamofobisë”

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është pranimi nga Kombet e Bashkuara i 15 Marsit si “Dita Ndërkombëtare e Luftës kundër Islamofobisë”, thuhet në raportin ku bëhet e ditur se ky ishte një vendim historik në emër të luftës kundër racizmit antiislamik dhe se vende si Franca dhe India që kanë kritikuar këtë propozim kanë paraqitur në këtë mënyrë edhe qëndrimet e tyre lidhur me çështjen e islamofobisë.

Në raport, ku përmenden edhe punimet e institucioneve ndërkombëtare në fushën e lirisë fetare dhe për islamofobinë, thuhet se në raportin “Liria Fetare Ndërkombëtare” të përgatitur kryesisht nga Zyra për Lirinë Fetare Ndërkombëtare e Departamentit amerikan të Shtetit deklarohet se pushtetet në Austri, Danimarkë dhe Francë vërehet qartë se kanë luajtur një rol përcaktues në institucionalizimin e islamofobisë.

Gjithashtu, duke iu referuar edhe raportit të përgatitur nga Organizata e Bashkëpunimit Islam në dy vitet e fundit për islamofobinë, u tha se sulmet islamofobike dhe krimet e urrejtjes ndaj myslimanëve janë regjistruar më së shumti në kontinentin evropian.

Nën dritën e punimeve të përgatitura nga organizata të ndryshme të shoqërisë civile në 27 vende evropiane të shqyrtuara në raport, numri i akteve raciste kundër myslimanëve është paraqitur si më poshtë.

– Austri

Teksa vitin e kaluar në Austri janë kryer 1.061 akte raciste kundër myslimanëve, thuhet se 68 për qind e tyre kanë ndodhur në platformat digjitale. Meshkujt me 77 për qind kanë përbërë autorët e veprimeve që kanë pasur në objektiv myslimanët, ndërsa viktimat janë përbërë nga femrat me 69 për qind.

– Gjermani

Në sulmet që kanë pasur në objektiv të drejtpërdrejtë myslimanët në Gjermani është vërejtur një rënie me 28 për qind, ndërkohë që janë regjistruar 732 veprime raciste antiislame. Në vend, 54 xhami dhe 43 persona kanë qenë objekt i sulmeve.

– Zvicër

Sipas të dhënave të institucionit zyrtar të statistikave të vendit, 12 për qind e popullsisë ka paraqitur qëndrim armiqësor kundër myslimanëve, ndërsa 34 për qind e tyre kanë prirje të besojnë në qasje klishe (shabllon).

– Çeki

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Çekisë, nga 108 krime të urrejtjes që janë kryer vitin e kaluar në vend, thuhet se 7 për qind e tyre janë kryer kundër myslimanëve.

– Finlandë

Në vend vitin e kaluar janë kryer 852 krime të urrejtjes, ndërkohë që 85 për qind të rasteve e kanë përbërë racizmi i bazuar në përkatësi etnike dhe rreth 13 për qind e tyre kanë ndodhur për shkak të fesë dhe besimit të ndryshëm.

– Francë

Me vendosjen në zbatim të ligjit kundër diskriminimit, i cili u kundërshtua nga shumë mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe parti opozitare në Francë, u intensifikua shtypja dhe diskriminimi ndaj myslimanëve.

Sipas ligjit, të emërtuar si luftimi i “terrorizmit” dhe “islamit radikal”, qeveria ka zbatuar praktika të tilla si ndalimi i simboleve islame, moslejimi i aktiviteteve fetare dhe mbyllja arbitrare e disa organizatave islame gjatë gjithë vitit 2021.

Ndërsa në vend u raportuan 213 akte antimyslimane, njoftohet se gjysma e këtyre (109) u raportuan të ishin sulme fizike që kishin në objektiv xhamitë, shoqatat dhe varrezat që u përkisnin myslimanëve, dhe 22 për qind që kishin në shënjestër individët.

– Belgjikë, komisionerja e qeverisë e mbuluar me shami jep dorëheqje si pasojë e presionit

Në Belgjikë, është rritur diskriminimi ndaj grave myslimane që mbajnë shami në biznes dhe politikë. Ndërsa gratë kanë qenë viktimat më të mëdha të sulmeve raciste antiislamike me 89 për qind në vend, thuhet se sulmet në fjalë janë përjetuar kryesisht në internet dhe në media me 46 për qind.

Ihsane Haouach, një aktiviste dhe politikane marokeno-belge, e cila u emërua si komisionere qeveritare në Institutin për Barazinë Gjinore në maj 2021, dha dorëheqjen pas 6 javësh për shkak të reagimeve islamofobike ndaj të cilave u ekspozua për shkak të mbajtjes së shamisë.

– Holandë

Ndërkaq, në Holandë, vitin e kaluar janë vërejtur shpesh raste të tilla si dërgimi i letrave kërcënuese në xhami dhe adresat e shtëpive të myslimanëve, ku thuhej se “Islami nuk i përket Holandës”, si dhe ndjekja e myslimanëve.

Debat krijoi edhe fakti që gjykata nuk vendosi ndjekje penale për paditë e ngritura për letrat kërcënuese dhe nuk i cilësoi këto veprime si krime.

Nga ana tjetër, në fund të vitit 2021, shumica dërrmuese e deputetëve në parlamentin holandez shprehën mendimin se oficerët e posaçëm hetues të lidhur me policinë, të përcaktuar si “boa”, nuk duhet të mbajnë shami. Vendimi në Këshillin Bashkiak të Utrehtit për të lejuar “boa-të” të mbajnë shami ose ‘kipa’ në nëntor 2021 tërhoqi reagimin e partive të ekstremit të djathtë.

Në një studim të kryer në vend, bëhet e ditur se 76 për qind e pjesëmarrësve deklaruan se kanë qenë të ekspozuar ndaj diskriminimit për shkak të bindjeve të tyre fetare, ndërsa 50 për qind kryesisht e grave me shami janë përballur me diskriminim serioz në intervistat për punë.

– Politikania suedeze bëri thirrje për të “qëlluar ndaj islamistëve radikalë”

Ebba Busch, kryetarja e Partisë Kristian-Demokrate në Suedi, i bëri thirrje policisë që të “qëllojë islamistët radikalë” pasi disa grupe myslimane protestuan kundër djegies së Kuranit të kryer në pjesë të ndryshme të vendit nga politikani danez i ekstremit të djathtë Rasmus Paludan.

Teksa në vitet 2017-2021 janë regjistruar 996 veprime antiislame në vend, është theksuar se veçanërisht në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit 20 për qind e fëmijëve janë ekspozuar ndaj diskriminimit të rëndë.

– Spanjë

Ndërkohë që në 5 vitet e fundit është vërejtur rritje e sulmeve raciste në Spanjë, vihet në dukje se gjuha e urrejtjes antiislame është rritur ndjeshëm, kryesisht në platformat digjitale.

– Britani

Krimet e urrejtjes në Mbretërinë e Bashkuar u rritën me 9 për qind vitin e kaluar. Thuhet se 45 për qind e të gjitha incidenteve të regjistruara nën kategorinë e krimeve të urrejtjes me motive fetare janë drejtuar kundër myslimanëve dhe krimet e kryera në këtë fushë janë rritur me 291 për qind në dhjetë vitet e fundit

– Shqipëri, sulm me thikë ndaj xhematit (besimtarëve) të xhamisë

Në sulmin e kryer më 19 prill 2021 ndaj xhematit (besimtarëve) të xhamisë Dine Hoxha në kryeqytetin e Tiranë, personi Rudolf Nikolli goditi me thikë pesë persona pasi hyri në xhami pas namazit të drekës. Gjatë arrestimit nga policia, Nikolli brohoriti “të gjithë myslimanët duhet të ndëshkohen”. Vitin e kaluar në vend u regjistruan 3 raste islamofobike.

Në raport, ku thuhet se komuniteti mysliman në vend përjeton viktimizim nga të drejtat themelore si falja e namazit, mbulesa dhe protesta, theksohet se OJQ-të kanë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.

– Bullgari

Në Bullgari, ku vitin e kaluar u përjetuan 6 veprime me objektiv myslimanët, më shumë se sulmet fizike kanë kryesuar retorikat e urrejtjes kundër myslimanëve.

– Greqi

Vitin e kaluar në Greqi janë shënuar 14 raste islamofobike, ndërkohë, tërheq vëmendje që qasjet diskriminuese kundër myslimanëve janë të përhapura si në opinionin publik, ashtu edhe në prani të politikanëve dhe Kishës Ortodokse Greke.

– Hungari

Teksa në vitin 2021 në Hungari ka pasur 6 raste që përfshinin islamofobinë, bëhet e ditur se në pah kanë dalë deklaratat diskriminuese të kryeministrit Viktor Orban kundër myslimanëve. Vëmendjen e tërhoqën deklarata e Orbanit se “Emigracioni duhet të ndalet sepse po vijnë vetëm myslimanët dhe kjo po ndryshon identitetin kulturor të krishterë të BE-së” dhe retorikat se anëtarësimi i mundshëm i Bosnjë dhe Hercegovinës në BE do të ishte vështirësues për unionin për shkak të popullatës së madhe myslimane në këtë vend.

– Rumani

Në Rumani, ku janë përjetuar gjithsej 2 raste të islamofobisë, edhe pse retorikat e urrejtjes që janë raportuar nuk janë intensive, rezultatet e sondazheve të opinionit publik kanë paraqitur se njerëzit nuk i duan myslimanët rreth tyre.

Ndërsa 68 për qind e rumunëve nuk u besojnë myslimanëve, 39 për qind e popullit të vendit nuk pranojnë të kenë lidhje farefisnore me myslimanët, 28 për qind nuk pranojnë të jenë miq dhe 19 për qind nuk pranojnë të jenë kolegë pune.

Më shumë se 60 për qind e popullsisë i sheh myslimanët si një rrezik potencial, ndërsa 52 për qind besojnë se emigrantët e parregullt duhet të ndalohen në kufijtë evropianë

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit