22.5 C
Pristina
Monday, May 20, 2024

Raport: Islamofobia në Evropë ‘është përkeqësuar’ në vitin 2020

Më të lexuarat

Presidenti francez Emmanuel Macron shfaqet në ballinën e raportit të këtij viti për shkak të politikave të tij, thonë bashkëredaktorët

Islamofobia në Evropë “është përkeqësuar, mbase edhe mund të ketë arritur një pikë kthese”, tregoi një raport i ri mbi islamofobinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Raporti prej 886 faqesh i titulluar “Raporti Evropian i Islamofobisë 2020” u bashkëredaktua nga Enes Bayrakli, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Turko-Gjerman me qendër në Stamboll, dhe Farid Hafez, politolog nga Iniciativa Ura pranë Universitetit Georgetown.

“Duke rishikuar gjashtë vitet e fundit, shumë vëzhgues do të bien dakord njëzëri se gjendja e islamofobisë në Evropë jo vetëm që nuk është përmirësuar, por është përkeqësuar, nëse nuk ka arritur një pikë kthese”, shkruan ata në raportin vjetor që publikohet që nga viti 2015.

Redaktorët thanë se ka një arsye pse ata zgjodhën fotografinë e një politikani për ballinën e edicionit të këtij viti, ku shfaqet presidenti francez Emmanuel Macron, një politikan, i cili sipas tyre “konsiderohet gjerësisht si përfaqësues i një lëvizjeje politike centriste dhe dominante”.

“Ky fakt shërben si një zbulim i mëtejshëm se qendra është bërë më ekstreme në lidhje me islamofobinë. Muslimanët francezë dhe austriakë janë lënë në duart e dhunës brutale shtetërore që është legjitimuar në emër të ligjeve kundër terrorizmit”, pohuan ata.

Mbyllja e organit francez të monitorimit “Collectif contre l’islamophobie en France” (CCIF, Kolektivi kundër Islamofobisë në Francë), thanë ata, paraqet një shembull se “sa është zhvilluar islamofobia shtetërore”.

Ndërkohë, një panel diskutimi online i titulluar “Islamofobia dhe sulmi mbi liritë civile në Evropë” u mbajt për të shënuar prezantimin e raportit.

Diskutimi u moderua nga Bayrakli dhe morën pjesë Hafez, si dhe Amani Hassani nga Universiteti Keele me qendër në Mbretërinë e Bashkuar dhe Amina Smits nga Universiteti 29 Mayis i Stambollit.

Bayrakli tha se Macron shfaqet në kopertinën e raportit për shkak të politikave të tij. Ai iu referua një ligji kundër separatizmit në Francë, për të cilin qeveria pretendon se synon të forcojë sistemin laik të Francës, ndërsa kritikët besojnë se ai kufizon lirinë fetare dhe margjinalizon muslimanët.

Ligji është kritikuar për vënien në shënjestër të komunitetit musliman të Francës – më i madhi në Evropë, me 3,35 milionë anëtarë – dhe vendosjen e kufizimeve në shumë aspekte të jetës së anëtarëve të tij.

– Epoka e re e “islamofobisë së institucionalizuar”

Hafez, nga ana e tij, foli për islamofobinë në Francë, Gjermani dhe Austri.

“Gjermania ka dokumentuar në përgjithësi më shumë se 31.000 raste të krimeve të urrejtjes, duke përfshirë 901 krime të urrejtjes kundër muslimanëve”, tha ai, duke shtuar se Franca në të njëjtën kohë ka regjistruar vetëm 1.142 raste totale të krimeve të urrejtjes, duke përfshirë 235 raste kundër muslimanëve.

“Pra, në vend që të sugjerohet se krimet e urrejtjes kundër muslimanëve janë më shumë në Gjermani sesa në Francë, dikush është më i prirur të pyesë se sa seriozisht autoritetet e policisë franceze i dokumentojnë krimet e urrejtjes në përgjithësi”, tha ai.

Hafez përmendi gjithashtu ballinën e raportit, duke shpjeguar pse ata zgjodhën një person të vetëm për të, ndërkohë që COVID-19 ka pasur ndikim të qëndrueshëm në vitin 2021.

“Sepse ne mendojmë se në vitin 2020 kishte një epokë të re në institucionalizimin e islamofobisë shtetërore që mund ta vëzhgojmë”, tha ai.

Nga ana tjetër, Hassani shpjegoi situatën në Danimarkë, ndërsa Smits dha informacione për Holandën, të cilat i përmendën edhe në raport.

Botimi i këtij viti mblodhi 37 studiues vendas, ekspertë dhe aktivistë të shoqërisë civile të specializuar në racizmin dhe të drejtat e njeriut, përveç raporteve të 31 vendeve, dhe heton në detaje dinamikat themelore që mbështesin drejtpërdrejt ose tërthorazi rritjen e racizmit anti-musliman në Evropë në vitin 2020.

Raporti mbështetet nga Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve dhe Kërkimeve të Islamofobisë (IISRA), Instituti i Tjetërsimit dhe Përkatësisë në Universitetin e Kalifornisë, Qendra për Siguri, Racë dhe të Drejta në Universitetin Rutgers, Qendra Ndërkombëtare e Studimeve të Islamofobisë, Projekti i Kërkimit dhe Dokumentimit të Islamofobisë (IRDP) në Qendrën për Racën dhe Gjininë në Universitetin e Kalifornisë, Studimet për Etnitë dhe Diasporat Arabe dhe Muslimane (AMED) në Universitetin Shtetëror të San Franciskos dhe Instituti Leopold Weiss.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit