13.1 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

Rama: Nisma e Ballkanit të Hapur është e frymëzuar nga Procesi i Berlinit

Më të lexuarat

Në fjalën e mbajtur në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, kryeministri Rama është shprehur se sido të shkojë saga e zgjerimit, ka megjithatë hapa konkretë që mund të hidhen për t’i bërë vendet e rajonit pjesë të BE-së

Në punimet e Samitit Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor në Slloveni, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi se shqiptarët janë bashkësia më pro-evropiane rreth e rrotull Evropës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e mbajtur në samit të publikuar në rrjetet sociale, Rama është shprehur se sido të shkojë saga e zgjerimit, ka megjithatë hapa konkretë që mund të hidhen për t’i bërë vendet e rajonit pjesë të BE-së.

“Mbase BE-ja nuk e mban dot për shumë kohë premtimin për zgjerimin. Por nëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk shkojnë dot në BE, BE-ja mund të vijë në Ballkanin Perëndimor. Dhe mund ta bëjë këtë në rrugën që ajo ka bërë vetë, qysh në krye të herës, duke ndjekur metodën funksionaliste të etërve të saj themelues”, është shprehur Rama.

Ai ka shtuar më tej se BE-ja duhet të tregojë që thotë atë që mendon dhe mendon atë që thotë, sipas tij duke e mbështetur Ballkanin Perëndimor përmes Planit Ekonomik të Investimeve.

“BE-ja duhet ta mbështesë plotësisht Ballkanin e Hapur, që është një nismë e dakordësuar mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, për të mos lejuar që procesi vizionar i Berlinit të katandiset në hijen e vetvetes, e të kthehet në një tur samitesh të përvitshme nëpër Evropë. Nisma e Ballkanit të Hapur është e frymëzuar nga Procesi i Berlinit”, ka thënë Rama.

Duke folur për veton e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, Rama tha: “Me keqardhje e them që unë e kam humbur besimin se Bullgaria do të jetë në gjendje ta lirojë rrugën shpejt, sepse miqtë tanë bullgarë duken të zënë në kurthin e zjarrit që e ndezën për të ngrohur votuesit me flakët e një të kaluare plot lavdi. Por ama duhet t’i bëhet vonë BE-së, sepse po humbet fytyrën në sytë e popujve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Tanimë unë mundem vetëm të shpresoj, që kjo bllokadë pa sens të mos kthehet në një histori pa fund”.

“BE-ja mund të bëjë gjënë e duhur për ne, duke mos e ndarë Ballkanin Perëndimor nga planet e veta të emergjencave, për përballimin e fatkeqësive të mëdha si pandemia apo për adresimin e krizës së saposhfaqur energjitike. Le të shpresojmë që në këtë rast të ri krize madhore që na prek të gjithëve, qytetarët tanë nuk do të lihen nga BE-ja si peshq pa ujë, ashtu siç ndodhi kur na latë jashtë skemës së shpërndarjes së dozave të para të vaksinave, duke e detyruar rajonin tonë, që në një luftë të mirëfilltë për mbrojtjen e jetës të mbështetet tek të shumëpërfolurit aktorë të tretë, shprehimisht Kina, Rusia apo Turqia”, ka theksuar Rama.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor mblodhi udhëheqës nga shtetet anëtare të BE-së dhe gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë, riafirmimi i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, si një zgjedhje e përbashkët strategjike, ishte tema kryesore e samitit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit