8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Qeveria, së shpejti me plan për mbështetje të ekonomisë

Më të lexuarat

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati në një konferencë për media të mërkurën ka bërë të ditur që së shpejti do të mbështeten bizneset, të cilat janë prekur nga masat që Qeveria e Kosovës ka marrë për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Ai ka bërë të ditur se janë në përgatitje të një plani konkret ku do të mbështeten bizneset për shpenzimet që kanë për qira dhe punëtorë. “Nuk është vendim aq i lehtë për të marrë vendim dhe për të shpenzuar mjete shtesë kur ato nuk janë të buxhetuara. Kemi bërë të pamundurën që të kujdesemi që edhe shëndeti ekonomik të mos rendohet në masë të madhe. Ideja është që të mbështetet qiraja dhe pagat e punëtorëve. Të ruhet shëndeti ekonomik dhe vendet e punës”, tha Murati. Nga masat e reja që kanë hyrë në fuqi janë prekur shërbimet e gastronomisë. Këto shërbime lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi” apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, po ashtu është ndaluar edhe veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre. Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, i pranishëm në konferencën për media, tha se situata me pandeminë është mjaft e rënduar dhe se sipas tij, ka qytetarë cilët ndonjëherë nuk arrijnë të marrin as trajtimin me kohë. “Situata është shumë e rëndë, sidomos në institucionet tona shëndetësore. Varianti i ri britanik është shumëfish më i rrezikshëm sepse përhapet shumë më shpejt, është shumë agresiv dhe i prek moshat e reja, të cilat do të vaksinohen tek në fazën e tretë. Ne duhet të mbrojmë jetën e secilit sepse çdo jetë është e vlefshme”, tha Vitia. Ai ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës po punojnë pandërprerë për të siguruar vaksinat, por ka shtuar se deri më tani qeveria nuk ka asnjë konfirmim lidhur me sigurimin e dozave të reja. Më 29 mars Kosova ka nisur fushatën e imunizimit kundër koronavirusit, pas pranimit të 24.000 dozave të vaksinave të kompanisë AstraZeneca, përmes COVAX-it, skemës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra. Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, ka njoftuar se gjatë muajit maj Kosova do të furnizohet edhe me 76.800 doza të vaksinës kundër COVID-19. Në total, Kosova nga COVAX-i do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës së AstraZenecas. Përndryshe, ekonomia e Kosovës ka shënuar humbje gjatë kohës së pandemisë. Si pasojë e COVID-19, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e fundit të publikuar në shkurt të këtij viti, ka vlerësuar se Kosova në vitin 2020 ka shënuar rënie të ekonomisë deri në 6 për qind.
/rel/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit