21.7 C
Pristina
Sunday, September 26, 2021

Qeveria afgane dhe talibanët pajtohen për të vazhduar bisedimet për paqe

Më të lexuarat

Përfaqësuesit e Qeverisë afgane dhe talibanët, kanë dështuar që të arrijnë përparim të madh në raundin e fundit të negociatave në Doha, mirëpo janë pajtuar për t’u takuar sërish javën tjetër.

Përmes një deklarate të përbashkët më 18 korrik, pas dy ditëve bisedime në kryeqytetin e Katarit, të dyja delegacionet kanë thënë se “palët janë të përkushtuara për të vazhduar negociatat në nivelin më të lartë, derisa të arrihet ndonjë marrëveshje”.

Asnjëra palë nuk ka përmendur armëpushim për festën e Kurban Bajramit, që festohet këtë vit më 20 korrik.

Disa herë në të kaluarën, Qeveria e Kabulit dhe talibanët janë pajtuar për armëpushime të shkurtra gjatë festave islame, duke rritur shpresat për armëpushime më afatgjata.

Delegacioni qeveritar është udhëhequr nga Abdullah Abdullah, zyrtari i dytë më i lartë në Këshillin e Lartë për Pajtim Kombëtar.

Ekipi i talibanëve është udhëhequr nga figura e lartë, Mullah Abdul Ghani Baradar.

Bisedimet për paqe në Doha kanë qenë të bllokuara për disa muaj.

Ndërkohë, grupi militant ka nisur ofensivë, duke pushtuar një pjesë të madhe të territorit në Afganistan, teksa trupat ndërkombëtare largohen nga ky shtet.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit./REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit