3.3 C
Pristina
Wednesday, December 4, 2024

Psikologjia e burrit

Më të lexuarat

Nga: Muhamed Mehdij

Psikologjia e burrit

A ekzistojnë tipare të cilat i dallojnë qeniet humane që i përkasin seksit mashkull? A ekzistojnë tipare të cilat i dallojnë qeniet humane të seksit femër? A është çdo burrë një rast më vete, me cilësi dhe karakter specifik? A ekzistojnë kode që e ndihmojnë femrën ta kuptojë më mirë burrin, përderisa është e detyruar të ndërveprojë me të?
A është burri një qenie humane, ashtu siç është dhe gruaja dhe mes tyre nuk ekzistojnë dallime bazuar në lloj, por vetëm në natyrën e secilit dhe mjedisin ku janë rritur?
Bazuar në studimet, hulumtimet dhe historinë e burrit ndër shekuj, gjejmë disa tipare dhe kode të caktuara që e bëjnë unik seksin mashkull dhe e lehtësojnë kuptimin e mënyrës si mendon dhe si sillet. Mesa duket, këto tipare të përbashkëta kanë rrënjë biologjike dhe rrënjë që i përkasin rolit të tij në shoqëritë e ndryshme. Ajo për të cilën nuk ka dyshim, është se përbërja fizike, muskulore, hormonet mashkullore, rolet që ka luajtur gjatë historisë si puna e rëndë, mbrojtja e familjes, lufta, administrimi dhe kujdesi për familjen etj… e bëjnë burrit të dallueshëm nga gratë. Por kjo nuk i hedh poshtë dallimet individuale brenda seksit mashkull, ashtu siç i gjejmë edhe tek seksi femër.
Tani, do të pasqyrojmë tiparet e përgjithshme dhe më kryesoret, të cilat na ndihmojmë të dëshifrojmë personalitetin e burrit:
1 – Tipari mashkullor. Në fillimet e historisë njerëzore, perënditë që krijoheshin nga njerëzit, u jepej forma femërore. Një shenjtërim kaq i madh për femrën, bazohej tek aftësia e saj e lindur dhe për të zgjatur jetën me brezat e rinj.
Por me kalimin e kohës, burri zbuloi se gruaja e kishte të pamundur lindjen pa ndihmën e tij. Madje, e vetme ajo nuk mund të mbrohej nga egërsirat, e aq më pak të mbronte familjen. Sakaq, burri gëzonte fuqinë fizike dhe psikologjike për tu përballur me armiqtë dhe rreziqet. Që atëherë filloi transformimi në mënyrë të përshkallëzuar. Kështu, në disa periudha historike, gjejmë që busti dhe statuja e burrit, është ekuivalente me atë të gruas. Situata evoluoi derisa statuja e burrit triumfoi mbi statujën e femrës, si pasojë e zbulimit të aftësive burrërore për dominancë, kontroll, ndryshimin e ngjarjeve etj… sakaq gruaja filloi të merrej me çështjet e shtëpisë dhe edukimin e fëmijëve. Që këtu, filloi të marrë jetë ideja e dallimeve mes dy sekseve. Kështu, burrat  ndiheshin të lumtur, ashtu siç ndiheshin dhe vetë gratë, të  cilat ishin të ndërgjegjshme se zotëronin karakteristika të një lloji tjetër, të përshtatshme për formimin dhe rolin e saj.
Ajo që ndodhi është se në disa epoka të ndryshme historike, sidomos në ato epoka të civilizimit të pazhvilluar, burrat e ekzagjeruan me specifikat e tyre mashkullore, saqë çështja arriti në një gjendje euforike dhe superioriteti maskilist. Nga ana tjetër, burri u orvat ta varrosë gruan, si nw aspektin psikologjik dhe herw tw tjera fizik. Ai ia uli vlerat dhe e konsideroi një krijesë të dorës së dytë, e cila shërbente për punë dhe për të kënaqur burrin.
Ky imazh diskriminues që bie ndesh me parimet e drejtësisë dhe moraleve, si dhe me mësimet hyjnore të fesë së drejtë, e nxiti gruan të brofë në këmbë në mbrojtje të drejtave të saj. Që këtu lindën lëvizjet emancipuese, të cilat synonin ti kthejnë gruas dinjitetin dhe të drejtat e mohuara nga burrat despotë. Ajo që ndodhi është se disa nga këto lëvizje, e tepruan me kërkesat e tyre dhe me apo pa qëllim, u orvatën ta shndërrojnë gruan në burrë, me pretekstin e barazisë. Ky orientim e privoi gruan nga specifikat e saj femërore, të cilat janë sekreti i ekzistencës së saj. Tashmë çështja u shndërrua në një luftë për ekzistencë dhe rivalitet mes burrit dhe gruas, ku të dy palët ishin humbës, si burri dhe gruaja. Ata humbën specifikat e tyre me të cilat i ka pajisur Zoti, të përshtatshme për rolin e secilit. Meqë si burri dhe gruaja janë krijesa të Zotit, është e paimagjinueshme që Ai të mbajë anën e njërit prej tyre në kurriz të tjetrit. Secili prej tyre ka role, misione dhe detyrime të cilat përkojnë me mesazhin e njeriut në tokë. Burri i ndjen brenda vetes specifikat e tij mashkullore, të cilat e shtyjnë të marrë në dorë udhëheqjen e familjes, përkujdesjen për gruan dhe familjen. Në bazë të kësaj, ai adapton konceptin e autoritetit, koncept ky i thellë në psikologjinë e burrit. Këtë parim e kanë konfirmuar të gjithë fetë qiellore, si diçka të natyrshme dhe të domosdoshme për mbarëvajtjen e jetës. Çdo organizatë dhe projekt ka nevojë për një udhëheqje të shëndoshë, të pjekur dhe eksperte. Përderisa institucioni i familjes është institucioni më i rëndësishëm social gjatë gjithë historisë njerëzore, vlen ti kushtohet rëndësi autoritetit kryesor të saj. Është vërtetuar shkencërisht që burri – në shumicën e rasteve – është më i përshtatshëm për këtë rol, për vetë tiparet fizike dhe aftësisë për punë të rëndë, fitim pasurie, përkujdes për familjen dhe maturi në marrjen e vendimeve.
2 – Autoriteti. Ai konsiderohet si shpirti i burrërisë. Nëse gruaja rreket që t’ia rrëmbejë, duke e rivalizuar burrin në këtë pikë, në fakt, ajo po i rrëmben burrërinë. Pas kësaj, ajo nuk do të gjejë tek i shoqi çfarë e tërheq. Ai shndërrohet në njeri të dobët, i zbrazët dhe të pa meritueshëm për titullin princ i ëndrrave të saj. Një grua normale nuk e ka aspak problem autoritetin e të shoqit po normal, cilësitë burrërore të cilit ia bëjnë më të lehtë kryerjen e kësaj detyre. Autoriteti që ceket në Kuran, është i kushtëzuar me këtë specifikë. Thotë Zoti i lartësuar:” Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe, meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.” (Nisa, 30)
Prandaj, me qëllim që burrit ti besohet autoriteti i lartpërmendur, duhet të ketë cilësi dhe aftësi fitimprurëse, me qëllim që të plotësojë nevojat e familjes për konsum. Në të kundërt, kur personaliteti i tij ka pësuar ndonjë çrregullim, nuk i ka cilësitë e duhura, me aftësi të kufizuara, është barrë për gruan dhe familjarët, atëherë ky autoritet mund ti besohet gruas që është më e fuqishme për tu përballur me sfidat dhe ligjet e jetës.
Vlen të themi se autoriteti këtu nuk duhet të kuptohet si superioritet, as diktaturë, imponim apo injorim të gruas, ashtu siç e kanë kuptuar disa burra. Në fakt, autoriteti është përkujdesje, përgjegjësi, udhëheqje logjike dhe e drejtë, respekt i vullnetit të gruas dhe dinjitetit të saj si bashkëshorte e jetës dhe bashkudhëtare e rrugës. Një grua normale ndihet mirë me autoritetin e pjekur dhe të drejtë të burrit, autoritet i cili përkthehet si aftësi e burrit të saj për tu përkujdesur për të, për ta trajtuar mirë, mbrojtur dhe plotësuar nevojat. E gjitha kjo, me qëllim që ajo ti përkushtohet nevojave dhe përkujdesit për fëmijët. Një grua që synon autoritetin e të shoqit, do të vuajë rëndë, nëse është normale dhe jo perverse. Kur ajo të ndjejë se i shoqi ka humbur burrërinë e tij, do të shohë se edhe ajo vetë ka humbur feminizmin e saj karakteristik.
3 – Poligamia e burrit, kundrejt monogamisë së gruas. Poligamia e burrit është e lidhur me tiparet e tij fiziologjike, psikike dhe sociale. Burri ka prirje për tu lidhur emocionalisht dhe ndoshta edhe seksualisht me më shumë se një grua. Por kjo nuk do të thotë se ai u përgjigjet këtyre ndjenjave. Një burrë i pjekur dhe i ekuilibruar, merr shumë gjëra në konsideratë para se të hedhë hapin në përmbushjen e nevojave të tij biologjike dhe psikologjike. Ndoshta pas kësaj natyre poligamike të burrit, mund të fshihet dhe aftësia më e madhe emocionale dhe seksuale e burrit, në krahasim me gruan. Burri nuk kalon periudhë menopauze, hormonet seksuale vazhdojnë prodhimin dhe aftësia seksuale nuk ndërpritet. Kjo, edhe pse këto aftësi mund të dobësohen në mënyrë të përshkallëzuar me shtyrjen në moshë, por kurrë nuk shuhen. E kundërta ndodh me gruan, pasi funksioni i dashurisë dhe seksit lidhen me shtatzëninë, lindjen dhe integrimin e plotë në edukimin e fëmijëve. Kjo pasohet nga ndërprerja e menstruacioneve, rënia e prodhimit të hormoneve femërore, e shoqëruar me ndryshime biologjike. Kjo e bën gruan më të prirur drejt monogamisë, me qëllim që të garantojë stabilitetin e lipsur për edukimin e fëmijëve. Kësaj shtoji ndryshimet e jetës biologjike të saj, për të cilat i nevojitet një kujdestar i qëndrueshëm dhe stabil, i cili e shoqëron në periudha të ndryshme të jetës dhe e duron kur humbet disa nga funksionet e saj. Dikush mund të pyesë: Atëherë si e komentoni ju fenomenin e prostitucionit tek gratë? A nuk është ai një sjellje poligame? Kësaj shtoji dhe tradhtitë e grave.
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, duhet të mos harrojmë se ne po flasim për gratë normale. Sakaq, prostitutat dhe gratë që shkelin kurorën martesore, mund të themi se hyjnë tek regjistri i përjashtimeve.
Ndoshta, këto fjalë nuk u pëlqejnë atyre grave me cilësi lideri. Por, unë sërish e përsëris që këtu ne po flasim në mënyrë shkencore dhe objektive, të bazuar në studime dhe hulumtime, larg lajkave politike apo sociale.
4 – Burri është një fëmijë i madh. Më parë, mendoja se një koncept i tillë janë thjesht fjalë të përdora pa vetëdije gjatë shakave mes njerëzve. Por gjatë studimeve dhe sondazheve të zhvilluara me burra dhe gra, zbulova se ekziston një unanimitet rreth kësaj cilësie të burrit. Me gjithë epërsinë e tij mashkullore, meritën e autoritetit (në përgjithësi dhe jo gjithmonë) dhe dëshirën e fshehtë për tu shoqëruar me më shumë se një grua, burri mbart në botën e tij të brendshme zemrën e një fëmije, i cili jepet në maksimum pas asaj që e përkëdhel dhe ledhaton. Kjo, me kushtin e vetëm që ajo të mos ia deklarojë haptazi se ai është një fëmijë, gjë e cila nëse ndodh, është ekuivalente me zbulimin e pjesëve të turpshme. Bazuar në këtë, një grua e shquar thotë:”Kushdo që ka  qenë e suksesshme në komunikimin me fëmijët, në përgjithësi do të jetë e suksesshme në komunikimin me të shoqin.”
Një grua inteligjente dhe e mençur, është gjithmonë e aftë të kryejë disa role gjatë jetës bashkëshortore. Ndonjëherë, ajo shndërrohet në nënë, duke u përkujdesur për botën fëminore të fshehtë të bashkëshortit. Herë të tjera ajo shndërrohet në një shoqe të ngushtë, me të cilën ai ndan idetë, shqetësimet dhe ambiciet. Ndonjëherë ajo shndërrohet në një bijë tek e cila i ngjall ndjenjat dhe emocionet atërore, e kështu me radhë.
Sa më shumë ti ndryshojë rolet dhe fleksibilitetin gruaja, aq më shumë do i falë lumturi dhe kënaqësi të shoqit, ashtu siç ndodh me fëmijën i cili me tu mërzitur me një lodër, kërkon një tjetër. Në të kundërt, nëse ajo i përmbahet një roli të vetëm dhe statik, kjo është një shenjë alarmi se i shoqi mund ta adresojë interesin e tij drejt diçkaje të re dhe interesante (siç bëjnë zakonisht fëmijët).
Lakmia mashkullore: Kjo është një ndër karakteristikat dhe cilësitë e burrit, i cili gjatë gjithë kohës kërkon më shumë dhe nuk “ngopet” me atë që posedon, sidomos kur kjo ka të bëjë me gruan dhe kontributin e saj. Ai kërkon tek e shoqja bukurinë, zgjuarsinë, dhembshurinë, përkujdesin për veten dhe për fëmijët e tyre, dëshiron dashurinë dhe gjithçka tjetër prej saj. Megjithatë, ndonjëherë, madje mund të themi shpesh herë, ai i hedh sytë tek dikush tjetër ose disa të tjera. Kjo tendencë për më shumë, mund të ketë lidhje me cilësinë dhe tiparin poligamik tek burri, për të cilin kemi folur më lart.
Këto dy cilësi dhe tipare, tendenca poligamike dhe lakmia mashkullore, i shërbejnë natyrën njerëzore dhe vazhdueshmërisë së jetës mbi tokë. Si pasojë e ekspozimit të burrit ndaj rreziqeve, luftërave, udhëtimeve, punës dhe emigracionit, çdo shoqëri përballet me numrin në rritje të femrave në krahasim me atë të meshkujve. Shpesh herë, kjo shtron nevojën që burri të martohet me më shumë se një grua, ose të krijojë lidhje jashtëmartesore në bazë të vlerave, traditës, fesë dhe shoqërisë. Kjo bëhet për të mbuluar suficitin e krijuar tek gratë. Një grua e zgjuar dhe inteligjente është ajo që arrin ti përmbushë nevojat e të shoqit, të përmbledhura në kënaqësinë e pesë shqisave. Një gjë e tillë kërkohet dhe nga burri. Një poligami e tillë në kënaqësi, influencon në mënyrë të drejtpërdrejtë në stabilitetin e njëanshëm të marrëdhënieve bashkëshortore, të një burri i cili ka prirje dhe tendenca poligamike, si dhe ka zemrën e një fëmijë i cili jepet pas gjithçkaje që i duket interesante dhe tërheqëse.
6 – Në përgjithësi,  burri dashuron me sy, ndërkohë që gruaja, në përgjithësi dashuron me veshë dhe me zemër. Kjo nuk do të thotë se shqisat e tjera nuk i funksionojnë, por do të thotë se shqisa më aktive tek burrat është syri. Prandaj, gruaja duhet ti kushtojë vëmendje më shumë aspektit pamor. Po ashtu, burri duhet të tregojë kujdes për fjalët që dëgjon e shoqja dhe ndjenjat e zemrës së saj. Pasioni i femrës për tu zbukuruar, shihet si tregues i ndikimit që ka ajo që i shohin sytë burrit, në zemrën dhe psikologjinë e tij. Shqisa e të shikuarit, plotësohet mandej me shqisat e tjera, si dëgjimi, nuhatja, shija dhe prekja për ta plotësuar në maksimum perceptimin te burri. Por gjithmonë shkëndija e parë merr jetë nga syri. Për këtë, Zoti i lartësuar e ka pajisur femrën me tipare fizike të një niveli të lartë bukurie, në harmoni me njëra-tjetrën dhe që e joshin syrin.
Burrin e verbon bukuria e gruas dhe pamja e saj e jashtme, gjë e cila për një farë kohe, e bën të injorojë shpirtin, thelbin dhe moralet e saj. Kjo verbi dhe dhënie pas pamjes së jashtme, jo pak herë i ka shkaktuar atij probleme dhe telashe. Rendja pas pamjes së jashtme dhe bukurisë fizike, nuk kufizohet vetëm tek burrat e thjeshtë dhe mediokër, por shtrihet tek shumica e burrave, sado të kulturuar dhe të ekuilibruar qofshin.
 
7 – Burri ka vullnet ekzekutues, kurse gruaja ka vullnet motivues. Shpesh herë vërejmë se gruaja luan rol themeltar në planifikimin, orientimin dhe inkurajimin e burrit. Mandej, burri merr përsipër transformimin dhe ekzekutimin e kësaj energjie në diçka të prekshme, duke besuar se gjithçka që ka arritur e ka bërë krejt i vetëm, me djersën dhe mundin e tij. Sidomos kur gruaja është shumë e zgjuar dhe mjaftohet me motivimin dhe inkurajimin, duke mos e përmendur dhe duke mos u mburrur me këtë.
Në raportin mes gruas dhe burrit, në rastet më të shumta gjejmë se gruaja zgjedh burrin që dashuron, mandej i jep sinjalin, i hap rrugën dhe i lehtëson kalimin, duke e bërë të ndihet se është pikërisht ai që e zgjodhi dhe vendosi martesën me të. Kjo, ndërkohë që në të vërtetë, vendimi ishte marrë prej saj.
Edhe në shoqëritë tradicionale, shohim se gruaja edhe pse nuk del shpesh nga shtëpia, në përgjithësi është ajo që planifikon, propozon dhe jep direktivat, për t’ia lënë kandidatit që ajo ka zgjedhur të dalë para njerëzve, të fërkojë mustaqet dhe të deklarojë vendimin e tij për martesë me filanen, madje, edhe duke u mburrur para krerëve të familjes dhe të fisit.
 
8 – Mes burrërisë dhe mashkullisë. Jo çdo mashkull është burrë, pasi burrëria nuk është thjesht një përbërje anatomike apo një funksion fiziologjik i caktuar. Burrëria është një sërë tiparesh dhe cilësish të pranuara unanimisht si: Fuqia, drejtësia, dhembshuria, dinjiteti, zemërgjerësia, fisnikëria, trimëria, sakrifica, të folurit drejt, toleranca, falja, përkujdesi, maturia, lidershipi, mbrojtja dhe përgjegjësia.
Këto tipare mund të mos i gjejmë tek dikush që njihet për mashkull dhe një pjesë të mirë të tyre mund ti gjejmë tek një grua, e cila ka përvetësuar cilësi burrërore pozitive. Kjo nuk do të thotë se ajo është tranvestite, ku gruaja adapton tiparet e jashtme të burrit, por jo thelbin dhe esencën e burrërisë.
9 – Burri u kushton rëndësi çështjeve të përgjithshme në familja, sakaq gruaja u kushton rëndësi detajeve dhe imtësive. Shohim që burri nuk i di shumë detaje nga nevojat e fëmijëve dhe problemet e tyre, duke u mjaftuar me gjendjen e tyre të përgjithshme. Sakaq, nëna di çdo detaj nga jeta e fëmijëve, rrobat, mësimet dhe problemet e tyre. Kjo situatë përmbyset në jetën publike dhe komunitare të burrit, i cili është tepër i interesuar për detajet e punës dhe profesionit. Pra, kemi një interes selektiv, gjë e cila mund të ketë lidhje me kujtesën selektive e cila e orienton gruan në çështjet familjare, sakaq orienton burrin në çështjet që kanë të bëjnë me aktivitetin e tij publik.
10 – Puna dhe suksesi për burrin, është ekuivalente me mëmësinë e femrës. Prandaj, gruaja nuk ka përse të habitet që burri i saj, i kushton aq shumë kohë punës, angazhimeve, ambicieve dhe suksesit, pasi këto e bëjnë të ndihet burrë i vërtetë. Ai kërkon të diferencohet nga moshatarët e tij, ai dëshiron të jetë i dalluar, i suksesshëm dhe flamurtar, për të cilën lipset shumë mund dhe energji.
11 – Xhelozia e arsyeshme, është një cilësi origjinale e një burri normal. Ajo shtohet dhe rritet deri në dyshime dhe akuza, në rastin e personalitetit paranojak dhe homoseksualitetit të fshehtë.
12 – Burri është shumë i dobët para dy gjërave:
–      Para atij që e lëvdon dhe vlerëson suksesin e tij.
–      Para një femre të vërtetë, e cila e bën të ndihet burrë.
13 – Marrëdhëniet e burrit me nënën, përcaktojnë në një nivel të lartë edhe marrëdhëniet e tij me gruan në përgjithësi. Ajo përbën provën e parë në marrëdhëniet mes burrit dhe një gruaje dhe që damkosen thellë në botën e tij të brendshme, negative apo pozitive qofshin.
Në bazë të formës dhe përmbajtjes së këtyre marrëdhënieve, shohim se disa burra kërkojnë imazhin e nënës tek çdo femër me të cilën takohen. Ashtu siç ka të tjerë të cilët kërkojnë imazhin e kundërt të nënës. Secili prej tyre ka dinamikën e tij, e cila ka nevojë për më shumë shtjellim dhe interpretim.
 
Perktheu: Elmaz Fida

Rating: 5.0 of 5. 2 vote(s).

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit