Pse Rusia e braktisi Iranin në luftën e saj me Izraelin?

Më të lexuarat

Autori: Muhamed el-Ghazali

Për 12 ditë me radhë, Irani dhe Izraeli shkëmbyen sulme ajrore dhe raketore deri në shpalljen e armëpushimit mes palëve. Izraeli ishte ai që nisi ofensivën agresive, me pretendimin për të neutralizuar rrezikun nga programi bërthamor iranian. Por sulmet e tij, të drejtuara ndaj objektivave të shumta dhe fushata e vrasjeve që synoi udhëheqës të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë iranianë, treguan objektiva më të gjera – deri në ndryshimin e regjimit, siç e nënkuptoi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, kur i bëri thirrje popullit iranian për kryengritje kundër regjimit dhe kërcënoi me mundësinë e vrasjes së liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Pas disa ditësh hezitimi, SHBA mori një qëndrim të qartë duke u përfshirë drejtpërdrejt në luftë, përtej mbështetjes politike dhe ushtarake ndaj Izraelit. Mëngjesin e 22 qershorit, ushtria amerikane kreu sulme të fuqishme mbi tre objekte bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Isfahan. Irani u kundërpërgjigj duke goditur bazën amerikane Al Udeid në Katar.

A e fitoi Irani përplasjen?

Me hyrjen në fuqi të armëpushimit, duket se Irani ia doli t’i mbijetojë një komploti më të madh dhe provoi aftësinë për të qëndruar e për të goditur me një arsenal të përparuar raketor – pavarësisht goditjeve të mëdha ndaj udhëheqjes së tij dhe infrastrukturës bërthamore e ushtarake. Por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte se Irani përballoi konfliktin pothuajse i vetëm, pa ndihmë të dukshme nga aleatët e tij të supozuar, në veçanti Moska.

Qëndrimi i Rusisë ishte shumë i zbehtë, ndonëse kishte ndërtuar një aleancë të fortë me Teheranin vitet e fundit. Presidenti Putin dhe zyrtarët rusë u mjaftuan me deklarata dënuese ndaj agresionit izraelit, pa shfaqur vullnet për ndihmë reale – gjë që ngre shumë pikëpyetje.
Pse vendosi Moska të mos përfshihet në konflikt dhe ta “braktisë” praktikisht një aleat të rëndësishëm që përballet me sulme të mëdha?

Një burim pranë Ministrisë së Jashtme Ruse i tha gazetës britanike The Guardian se nëse do të binte regjimi iranian, kjo do të ishte një fatkeqësi dhe një goditje e rëndë për reputacionin global të Rusisë – sidomos pas rrëzimit të Assadit, për të cilin Moska (bashkë me vetë Iranin) kishte paguar një çmim të lartë për më shumë se 10 vite për ta ruajtur në pushtet.

A është Rusia një aleat i pabesë?

Toni i Rusisë në këtë krizë i befasoi shumë që prisnin një qëndrim më të ashpër nga Putini dhe zyrtarët e tij. Shumëkush priste madje edhe ndihmë ushtarake direkte për Iranin, sidomos pasi Rusia nuk mund të përballojë humbjen e një aleati të madh në Lindjen e Mesme pas rënies së Assadit.

Por Moska zgjodhi një ton më të matur. E dënoi agresionin izraelit dhe shprehu ngushëllime për popullin dhe qeverinë e Iranit, sipas një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të Kremlinit. Ajo e cilësoi sulmin izraelit si shkelje flagrante të Kartës së OKB-së dhe të ligjit ndërkombëtar.
Presidenti Putin, në një bisedë me presidentin amerikan Donald Trump, e dënoi operacionin izraelit.

Nga ana tjetër, Rusia këshilloi SHBA-në të mos përfshihej drejtpërdrejt, pasi një ndërhyrje e tillë mund të destabilizonte rajonin, sipas zëvendësministrit të jashtëm rus Sergei Ryabkov.
Zëdhënësja Maria Zakharova kritikoi heshtjen ndërkombëtare ndaj sulmeve mbi objektet bërthamore iraniane dhe heshtjen e grupeve ambientaliste.

Putin tha se kishte ofruar ndërmjetësim mes Iranit, Izraelit dhe SHBA-së, por theksoi se nuk do të impononte zgjidhje. Komenti i tij u cilësua si i ftohtë dhe pa mbështetjen që pritej nga një aleat strategjik.

Vetëm një deklaratë u dallua me ton më të fortë: zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se tentativa për të vrarë liderin suprem iranian ishte “e papranueshme” dhe paralajmëroi për pasoja, por nuk specifikoi se cilat.

Edhe Dmitry Medvedev, zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë ruse, foli për mundësinë që “vende të treta” të furnizonin Iranin me armë bërthamore – por nuk dha asnjë detaj. Deklaratat e tij u injoruan nga zyrtarët e tjerë rusë dhe u kritikuan nga Trump.

Një histori mbështetjeje të vakët

Deutsche Welle kishte parashikuar këtë sjellje ruse. Edhe pse marrëdhëniet me Iranin janë forcuar pas luftës në Ukrainë – me akuza nga Perëndimi se Irani furnizon Rusinë me dronë dhe municione – Moska nuk tregoi vullnet për ndihmë ushtarake në këtë luftë.

Të dy vendet janë anëtare të BRICS, por kjo nuk e ndryshoi qëndrimin e Rusisë.
Madje, Rusia më parë e ka lejuar Izraelin të godasë milicitë iraniane në Siri, pa përdorur sistemet e mbrojtjes që vetë ajo kishte instaluar. Asia Times shkroi se kjo ishte pjesë e një marrëveshjeje: Rusia nuk ndërhyn në sulmet izraelite ndaj iranianëve, për sa kohë Izraeli nuk prek trupat ruse.

Rusia ka qenë gjithashtu e pavendosur edhe në çështjet e armëve. Në vitin 2010, nën presionin e SHBA-së dhe Izraelit, refuzoi t’i shesë sistemin S-300 Iranit.

Çfarë ndodhi me marrëveshjet për armë?

Pas sulmit të Hamasit në Gaza më 7 tetor 2023 dhe luftës izraelite në Gazë, Irani njoftoi se kishte marrëveshje me Rusinë për avionë Su-35, helikopterë Mi-28, sisteme S-400 dhe avionë trajnimi Yak-130. Por mori vetëm avionët e trajnimit.

Sipas studiueses Nicole Grajewski nga Carnegie Endowment, problemet në prodhim dhe presioni nga vendet e Gjirit bënë që Rusia të mos e furnizonte Iranin me teknologji të ndjeshme.

Në tetor 2024, kur Izraeli shkatërroi disa nga sistemet më të mira të mbrojtjes ajrore të Iranit të prodhuara nga Rusia, Moska nuk i zëvendësoi ato.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi i kërkoi ndihmë Moskës për furnizime të reja dhe ndihmë për restaurimin e rrjetit bërthamor, por pa sukses.

Putin u përgjigj se Irani nuk kishte paraqitur kërkesa të reja të veçanta.

Pse kjo sjellje?

Sipas analistit rus Nikita Smagin:
“Është e qartë se Rusia nuk do të luftojë për Iranin – ajo nuk do të rrezikojë konflikt me Izraelin dhe SHBA-në për këtë çështje.”

Edhe pse Irani dhe Rusia firmosën një marrëveshje strategjike në janar, ajo nuk përfshin detyrimin për mbështetje ushtarake në rast sulmi – vetëm që të mos ndihmojnë agresorin.

A përfiton Rusia nga kjo luftë?

Sipas Deutsche Welle, lufta i solli Rusisë një avantazh: tërhoqi vëmendjen perëndimore nga Ukraina.
Gjatë krizës, Rusia ndërmori një nga sulmet më të mëdha në muajt e fundit ndaj Kievit, duke vrarë 14 persona.

Ukraina është prioritet absolut

Rusia është fokusuar vetëm në Ukrainë dhe nuk do të shpërqendrohet për aleatë të tjerë. Kjo u pa edhe me Armeninë, që nuk mori ndihmë gjatë luftës me Azerbajxhanin në 2023, dhe me rënien e Assadit, kur Rusia thjesht ofroi azil.

Rusia nuk ka më nevojë për ndihmën e Iranit

Në fillim të luftës në Ukrainë, Irani ndihmoi Rusinë me dronë dhe ekspertizë. Por tani Rusia i prodhon vetë dronët dhe importon pjesë nga vende të tjera – nuk është më e varur nga Teherani.

Përfitime ekonomike afatshkurtra

Sipas Time, çmimet e naftës ruse u rritën me 15% për shkak të krizës me Iranin – një ndihmë për buxhetin rus.
Nëse Irani do të mbyllte ngushticën e Hormuzit, çmimet do të rriteshin më tej – edhe kjo në favor të Rusisë.

Rusia ruan lidhje me të gjithë

Rusia përpiqet të ruajë marrëdhënie me vendet e Gjirit, me Izraelin, dhe bashkëpunon me OPEC-un për çmimet e naftës.
Ajo nuk do ta rrezikojë balancën rajonale me mbështetje të hapur për Iranin.

Rusia nuk e do një Iran bërthamor

Sipas The Atlantic, Rusia nuk dëshiron që Irani të bëhet fuqi bërthamore.
Ndryshe nga Siria, Irani është një aktor i fortë rajonal me ambicie dhe vizion të vetin. Nëse bëhet fuqi bërthamore, do të konkurojë me Rusinë – jo ta ndjekë atë.

Përfundim: Rusia nuk do të rrezikojë për “një kalë humbës”

Putin e kupton se ndihma pa përfshirje të plotë nuk do të ndryshojë rezultatin e luftës. Dhe me Iranin dhe aleatët e tij në rënie, Rusia nuk do të rrezikojë sërish për një “kalë humbës”, siç ndodhi në Siri.
Për të, tërheqja nga një aleat është më pak e kushtueshme se sa një aventurë e re ushtarake pa garanci për fitore.

Burimi: Al Jazeera + portale të ndryshme elektronike

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit