Jemi mësuar të dëgjojmë (dhe lexojmë) lloj lloj arsyetime për atë pse (nuk) flet hoxha. Disa entuziastë mendojnë se të mos flasësh është frikë por që dikush mjeshtërisht e mbështjell me petkun e maturisë. Disa të tjerë, mbase edhe dashamirë, mendojnë se ajo çfarë do të duhej të thoshte hoxha është “e rrezikshme” dhe e papërshtatshme për rrethanat, andaj ai ka zgjedhur heshtjen.
Njerëzit mund të mendojnë çfarë të duan por nuk ka logjikë që cilido të marrë rolin dhe detyrën e analistit apo edhe zëdhënësit të hoxhës, cilitdo hoxhë. Konsideroj se shumica e divergjencave, hutive, madje edhe përçarjeve kanë ardhur si rrjedhojë e këtyre “zëdhënësve” që kanë pasur guxim që i “ka munguar” hoxhës.
Imam Shafiut i është parashtruar një pyetje dhe ai ka heshtur. Kur e pyetën pse po hesht, tha: derisa të di a është më mirë të flas apo jo.
Atëherë pse (nuk) flet hoxha?
Sepse ai e di se çdo gjë që fluturon nuk hahet.
Sepse ai është formuar me logjikën: “Sikur tu thosha po, do tu obligohej, e nuk do ta përballonit.” (hadith)
Sepse e di se entuziazmi të cilin nuk e menaxhon urtësia me mësimet e shpalljes është shumë i dëmshëm.
Dhe ja çfarë u kujton hoxha:
“Dhe mos iu ças asaj për të cilën nuk ke dituri. Veshi, syri dhe zemra, të gjithë do të pyeten për to.” (Kur’an)
Hoxhë Ekrem Avdiu