Një kërkesë, pengesa më e madhe për rezistencën palestineze
Udhëheqësi i krahut ushtarak të Hamasit në Gaza thuhet se ka hedhur poshtë “planin e paqes” të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe është i vendosur të vazhdojë të luftojë Izraelin.
Izz al-Din al-Haddad, i cili mendohet se luajti një rol kyç në sulmin ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, beson se marrëveshja është hartuar për të zhbërë Hamasin, e pamundur ushatarakisht deri më tanu, pavarësisht nëse lëvizja e pranon atë apo jo, raporton Daily Mail.
Trump i dha të martën Hamasit tre deri në katër ditë për të pranuar planin e paqes, të cilin Izraeli e ka pranuar, duke paralajmëruar për një “fund shumë të trishtuar” nëse grupi e refuzon propozimin.
Plani 20-pikësh përcakton që organizata duhet të çarmatoset, të lirojë pengjet brenda 72 orëve dhe të bjerë dakord për një armëpushim.
Plani gjithashtu kërkon që Izraeli të lirojë një numër të burgosurish palestinezë dhe të tërhiqet nga Rripi i Gazës, në mënyrë që të krijojë një qeveri kalimtare të udhëhequr nga një organ ndërkombëtar, që do të thotë se Hamasi nuk do të ketë pushtet në të ardhmen në enklavë.
Sipas BBC-së, kjo është e papranueshme për Al-Haddadin, i cili është i vendosur të vazhdojë luftën.
Besohet se anëtarët e Hamasit janë të ndarë nëse duhet ta pranojnë planin – ndërsa disa anëtarë të udhëheqjes politike në Katar janë të përgatitur ta pranojnë atë me disa ndryshime.
Megjithatë, këta zyrtarë kanë pak ndikim në vendim, pasi nuk kanë kontroll mbi pengjet e mbajtura nga organizata.
Rreth 48 pengje mbeten në Gaza, nga të cilët rreth 20 besohet se janë ende gjallë.
Kërkesa që të gjithë pengjet të lirohen brenda 72 orëve shihet si një pengesë kryesore për grupin, pasi një veprim i tillë do të thoshte heqje dorë nga e vetmja armë negociuese e tyre.
Udhëheqës të tjerë të Hamasit nuk i besojnë Izraelit dhe besojnë se administrata Trump nuk do të jetë në gjendje ta ndalojë kryeministrin Benjamin Netanyahu nga rifillimi i fushatës ushtarake, veçanërisht pas përpjekjes së dështuar të fundit për vrasjen e zyrtarëve të lartë të Hamasit në Doha muajin e kaluar, e kryer pa miratimin e SHBA-së. /tesheshi.com/
