Pse Dita e Arafatit nuk është si ditët e tjera?

Më të lexuarat

“Dita e Arafatit”… nuk është një ditë e zakonshme që kalon si ditët e tjera.
Nuk është ditë për pastrim shtëpie, për t’u marrë me dalje apo me punë të pafundme.
Është dita e lutjes… dita e shpresës… dita kur hapen dyert e qiellit për robërit e Allahut 🌿

Në Ditën e Arafatit, Allahu zbret në një mënyrë që i takon madhështisë dhe lavdisë së Tij, dhe krenohet para engjëjve me njerëzit e Arafatit.
Dhe lutja më e mirë është lutja e Ditës së Arafatit.
Prandaj mos e humb këtë ditë të madhe me pakujdesi dhe angazhime të kota.

Gjej disa orë vetëm me Zotin tënd.
Ngriji duart dhe lutu me përulësi.
Lutu për çdo dëshirë që ke në zemër.
Lutu për atë që dëshiron, edhe nëse njerëzve u duket e pamundur.
Sepse përderisa çështja është tek Allahu, nuk ekziston e pamundura.

﴿Vërtet, kur Ai dëshiron diçka, vetëm i thotë: “Bëhu!” dhe ajo bëhet﴾

Kujtoje Zekerijan alejhi selam,
kur iu dha lajmi për një djalë dhe ai tha i habitur:

﴿Si mund të kem unë djalë, kur gruaja ime është shterpë dhe unë kam arritur pleqëri të thellë?﴾

E Allahu iu përgjigj:

﴿Kështu Allahu bën çfarë të dojë﴾

Dhe kujtoje Ejubin alejhi selam,
kur sprova iu rëndua dhe iu lut Zotit:

﴿Mua më ka goditur fatkeqësia, e Ti je Mëshiruesi më i Madh﴾

Allahu iu përgjigj:

﴿Ne iu përgjigjëm atij, ia larguam vuajtjen dhe ia kthyem familjen e tij dhe edhe më shumë, si mëshirë nga Ana Jonë﴾

Dhe kujtoje Ibrahimin alejhi selam,
kur e la familjen e tij në një luginë pa bimësi pranë Shtëpisë së Shenjtë dhe tha:

﴿Bëj që zemrat e njerëzve të anojnë kah ata dhe furnizoji me fruta﴾

Shiko si ai vend u bë vend ku zemrat e njerëzve shkojnë nga çdo anë e botës deri sot.

Prandaj mos e nënvlerëso lutjen tënde.
Mos mendo se dëshira jote është larg.
Dhe mos humb shpresën nga vonimi i përgjigjes.

Lutuni për të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër.
Mos e bëni gjithë lutjen tuaj vetëm për dynjanë.

Sepse Allahu thotë:

﴿Ka njerëz që thonë: “O Zoti ynë, na jep në këtë botë”, por në botën tjetër nuk do të kenë asgjë﴾

Dhe thotë:

﴿E ka prej tyre që thonë: “O Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë dhe të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit”﴾

Lutuni për veten tuaj,
për prindërit tuaj,
për familjet, fëmijët dhe bashkëshortët tuaj,
për të afërmit, miqtë dhe ata që i doni.
Kërkojini Allahut për ta të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër.

Dhe mos i harroni muslimanët e vdekur,
sepse sot ata kanë më shumë se kurrë nevojë për një lutje të sinqertë dhe për mëshirën e Allahut 🤍

Përpiqu ta lirosh veten sa më shumë në Ditën e Arafatit.
E nëse nuk mundesh gjithë ditën, atëherë një orë.
E nëse nuk mundesh, atëherë disa minuta të sinqerta vetëm mes teje dhe Allahut,
në fillim të ditës ose në fund të saj.

Shtoni lutjet,
dhe këmbëngulni tek Allahu,
sepse Allahu thotë:

﴿Më lutuni Mua, Unë do t’ju përgjigjem﴾

Mos e humb një ditë që mund të jetë shkak për ndryshimin e gjithë jetës dhe ahiretit tënd 🤍

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit