12.7 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

Propaganduesit e të mirës dhe propaganduesit e të keqes

Më të lexuarat

Ebu Hurejra transmeton, se profeti (a.s) ka thënë:
“Kush thërret për në rrugën e drejtë, ka të njëjtin shpërblim, si shpërblimi i atyre, që e ndjekin atë dhe nuk i pakësohet aspak nga shpërblimi i tyre. Ndërsa kush thërret për në rrugë të shtrembër ka të njëjtin gjynah, si gjynahu i atyre, që e ndjekin duke mos pakësuar aspak nga gjynahu i tyre”.[1]

Kuptimi i disa shprehjeve:
I atyre, që e ndjekin: kush i përgjigjet dhe punon sipas ftesës së tij.
Dritë mbi kuptimin e hadithit:
Propaganduesit e të mires, që ftojnë në rrugën e drejtë, gjithmonë janë të fituar dhe janë në mirësi, të cilat dita-ditës shtohen, sepse ata shpërblehen me sevape nga Allahu, për shkak të punëve të mira që bëjnë. Po ashtu shpërblehen me sevape duke marrë shpërblim nga ata, të cilët ecin pas gjurmëve të tyre, që janë udhëzuar dhe i janë përgjigjur ftesës së tyre. Ai, i cili fton për mirë, ka shpërblim njësoj si ai, që e bën të mirën. Kjo është mirësi dhe nderim nga Allahu i Lartësuar. Ky shpërblim vazhdon si sadaka e rrjedhshme për propaganduesin e të mirës, sa herë që njerëzit përfitojnë nga dija dhe thirrja e tij, brez pas brezi, qoftë ky përfitim nëpërmjet nxënësve, librave, artikujve të tij ose të ngjashme me to. Kjo argumentohet nga thënia profetike: “Kur biri i Ademit vdes, nuk ka më punë që të gjykohet, përveç tre punëve: sadakaja e rrjedhshme, dija e dobishme, që ka lënë pas dhe fëmija i mbarë, që lutet për të”.[2]
Sa e madhe qenka kjo tregti fitimprurse, që nuk shteron kurrë. Frytet e saj të pjekura rriten dhe lulëzojnë. Allahu i Lartësuar i ka njoftuar ata, të cilët i ftojnë njerëzit në fenë e drejtë, se për ta do të ketë një shpërblim të madh. Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an: “Prej jush duhet të ketë njerëz, që ftojnë për mirë, i urdhërojnë njerëzit të veprojnë mirë dhe i ndalojnë nga e keqja. Ata janë të shpëtuarit”. (Ali Imran: 104)
Në një ajet tjetër Allahu i Lartësuar ka thënë: “Nuk ka thënie më të mirë se thënia e atij, që i fton të tjerët të ndjekin rrugën e Allahut, bën vepra të mira për veten e tij dhe me krenari thotë unë jam musliman”. (Fussilet: 33)
Nëse një person i vetëm i përgjigjet ftesës tënde e është udhëzuar në rrugë të drejtë, duke qenë ti sebep, atëherë dije mirë se ke fituar një thesar mjaft të madh, që nuk krahasohet me thesaret dhe pasuritë e vlefshme të kësaj bote.
Për këtë arsye në luftën e Hajberit, kur profeti (a.s) i dha Aliut (r.a) flamurin, iu drejtua me këto fjalë: “Mos u ngut derisa të shkosh në mejdanin e tyre. Ftoji që të hyjnë në Islam e pastaj njoftoi se me çfarë janë të obliguar. Betohem në Allahun, se nëse Allahu të bën ty shkak, që dikush të udhëzohet, është më mirë se të kesh një deve të kuqe”.[3]
Atij njeriu, që është i armatosur me armën e sinqeritetit dhe është entuziast për përhapjen e fesë, Allahu ia bën të mundur, që t’i mësojë, t’i orientojë dhe ftojë njerëzit për nga e mira. Ftesës së tij mund t’i përgjigjen me qindra njerëz dhe ai bëhet shkaktar, që ata të pendohen. Pastaj këta të tjerët nxitojnë që t’i udhëzojnë dhe t’u mësojnë të tjerëve rregullat e fesë. Kështu, kjo mirësi e madhe përcillet brez pas brezi dhe çdo ftues, ka shpërblimin e punëve të tij dhe shpërblimin e punëve të atij, për të cilin është bërë shkak që të udhëzohet në rrugën e drejtë. Për këtë arsye Allahu i ka lavdëruar robërit e Tij të zgjedhur, duke thënë: “Ne i bëmë ata prijës, që udhëzojnë njerëzit në rrugën e drejtë sipas udhrit Tonë”. (El Enbija: 73)
Në krahun tjetër janë të humburit, që mbartin me vete gjynahet e veta dhe gjynahet e atyre, që janë ndikuar prej tyre dhe i kanë pasuar, duke rrëshqitur drejt humbjes. Kush vjen me traditë të re të keqe, ai merr gjynahun e asaj dhe gjynahet e atyre, që e veprojnë atë deri në ditën e Gjykimit, ashtu siç ka thënë profeti (a.s): “Ai i cili sjell një traditë të re në Islam, merr shpërblimin e saj dhe shpërblimin e atyre, që veprojnë pas tij me këtë traditë, pa ju pakësuar aspak nga shërblimi i tyre. Ndërsa kush sjell një traditë të keqe në Islam, merr gjynahet e saj dhe gjynahet e atyre, që veprojnë pas tij me këtë traditë, pa ju pakësuar aspak nga gjynahet e tyre”.[4]
Çdokush, i cili i fton të tjerët në mëkat, devijim, apo ndihmon ose punon përpara njerëzve dhe ata e marrin atë si shembull, atëherë ai është bashkëshoqëruesi i tyre në mëkat. Sa dëshpëruese është kjo për prijësit dhe propaganduesit e të keqes dhe sa pikëlluese do të jetë për ta kjo gjë në ditën e Gjykimit. Allahu i Lartësuar ka thënë për ta: “Ata i bëmë prijësa, që thërrasin për në zjarr dhe në ditën e Gjykimit ata nuk do të ndihmohen”. (El Kasas: 41)

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1- Gradat e larta dhe shpërblimet e mëdha, që fitojnë ftuesit dhe dijetarët.
2- Nxitja për të marrë shembull njerëzit e mirë dhe largimi nga ata, që bëjnë shkatërrime në tokë.
3- Kujdesi që i ka dhënë Islami dhënies së këshillës së mirë dhe këshillës për tek e vërteta. Kujdesi që duhet patur nga thirrja për në rrugë të shtrembër.
4- Udhëzimi dhe mësimi i njerëzve është prej adhurimeve më të dobishme, sespse dobia që përfshin të tjerët në çështjet e fesë është më e rëndësishme se dobia vetjake.
5- Prijësit e shkatërrimit i pret ndëshkimi i rreptë në ditën e Gjykimit, sepse ata ishin shkak, që të tjerët të devijonin nga rruga e drejtë dhe ishin shembull i së keqes dhe devijimit.
[1] Transmeton imamMuslimi: 2674 [2] Transmeton imam Muslimi: 1631r [3] Transmetojne imam Buhariu: 3498 dhe imam Muslimi: 2406 [4] Transmeton imam Muslimi:1017Perktheu: Elton Harxhi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit