Presidenti Parandalues

Më të lexuarat

✍️ Yosri Fouda – gazetar, analist dhe shkrimtar egjiptian

Çfarë presidenti është ai që thotë se dëshiron “një shtet të vetëm të çarmatosur” ndërkohë që e gjithë toka dhe gjithë populli i tij gjenden nën një pushtim gjakatar, racist e terrorist, madje edhe nën hijen e asaj që quhet marrëveshje “paqësore”?

Çfarë presidenti e përshkruan atë që po ndodh ndaj popullit të tij si një “katastrofë humanitare”, sikur të ishte thjesht fatkeqësi e shkruar apo një fjali retorike pa subjekt e pa fajtor?

Çfarë presidenti guxon ta përmendë me gjysmë zëri termin “krime lufte”, sikur kjo të ishte një luftë e zakonshme mes dy ushtrive, ndërkohë që populli i tij i paarmatosur po i nënshtrohet një gjenocidi të pranuar nga ekspertë ndërkombëtarë, nga organizata botërore dhe nga qindra miliona njerëz në mbarë globin?

Çfarë presidenti arrin në marrëzi të tillë sa t’i kalojë pamjet e përditshme të shfarosjes e të flijimeve për të dëshmuar më shumë nënshtrim ndaj armikut, duke u zotuar për “një agjendë gjithëpërfshirëse reformash që do të forcojë qeverisjen, transparencën dhe sundimin e ligjit, përfshirë edhe reformat në sistemin financiar dhe në programet mësimore”?

Çfarë presidenti gjen kohë e guxim të urojë hebrenjtë për “një vit të mbarë me rastin e vitit të ri hebraik”, por nuk gjen kohë për t’u solidarizuar me ata që thyenin agjërimin e Ramazanit me një grusht dheu të përgjakur nga populli i tyre? Apo të ngushëllojë një fëmijë që humbi gjithë familjen në një bombardim të vetëm?

Çfarë presidenti nuk gjen gjysmë minute për të përmendur numrin e fëmijëve, grave, burrave, pleqve, gazetarëve, mjekëve të vrarë deri më tani? E aq më pak të tregojë para botës, në fjalimin e tij në OKB, qoftë edhe një pjesë të dhjetëra mijëra imazheve të shfarosjes dhe të rrënimit sistematik e të qëllimshëm?

Ky është “presidenti” parandalues – Mahmoud Rida Shahada Abbas – të cilit armiku ia përgatiti terrenin për trashëgiminë pas Arafatit, pasi ishte i bindur se dëshira e tij për pushtet ishte më e fortë se dëshira për t’u përballur me pushtuesin.

Kur vizitova Ramallah në mesin e viteve ’90, ai sapo kishte përfunduar atë që quhej “Dokumenti Beilin–Abu Mazen”, pas bisedimeve të tij me intelektualin e majtë sionist, Yossi Beilin, ministër i ekonomisë dhe planifikimit në qeverinë e Shimon Peres.

Dokumenti u ngrit mbi bazën e Marrëveshjes së Oslos, të nënshkruar dy vjet më parë, e cila po vihej në zbatim. Në këtë kuadër, autoritetit të sapokrijuar iu imponua një strukturë e re sigurie, “Shërbimi i Sigurisë Parandaluese”, me detyrë kryesore bashkëpunimin intensiv me palën tjetër për të parandaluar çdo kërcënim ndaj sigurisë së saj. Kjo e vuri autoritetin në përplasje të përsëritura e fatkeqe me ata që kundërshtonin Oslon dhe besonin se rezistenca ndaj pushtuesit nuk duhej të ndalej.

Në krye të këtij organi, në Bregun Perëndimor u caktua Jibril Rajoub, ndërsa në Gaza Mohamed Dahlan, pas takimeve të tyre të fshehta me Yaakov Peri, drejtorin e Shabakut (shërbimi sekret i brendshëm i Izraelit) dhe Amnon Shahak, zëvendësshefin e operacioneve në ushtri.

Ndërsa përgatitesha për xhirim, më lajmëruan se isha i ftuar në darkë me një zyrtar të lartë. Në mbrëmje u drejtova në restorant me një koleg. Pas pak mbërriti z. Jibril Rajoub. Pyetja e parë që më bëri ishte: “A ke lidhje gjaku me Faraj Foudah?” – një pyetje që e kisha dëgjuar shpesh më parë, por këtë herë kishte tjetër peshë: një pyetje sigurie, për klasifikim të hershëm.

E dija se kishte një histori të hershme rezistence, kishte ndihmuar ushtarët egjiptianë në Gaza pas humbjes dhe kishte shijuar burgjet e armikut disa herë. Por tani misioni i tij kryesor ishte të survejonte popullin e vet në shërbim të sigurisë së armikut që e kishte burgosur dhe që ia kishte dhënë këtë autoritet të cunguar e pa sovranitet të vërtetë.

Pavarësisht historisë së tij, sinqeriteti im hasi në karakterin e tij të ashpër e zërin e tij të rëndë. Nuk i pëlqyen disa nga idetë e mia. Pastaj më “shakoi” me një kërcënim të mbështjellë: “E di që unë mund të të arrestoj tani, pa asnjë hetim?”

E kuptova “krekosjen” e një autoriteti të ri mbi pushtet, pas një jete të gjatë në luftë, por nuk mund ta pranoja si shaka. Përgjigja ime ishte po aq e prerë: “Po, e di. Ashtu siç e di që edhe ushtari më i vogël izraelit mund të të arrestojë ty pa pyetje, në postbllokun e Kalandisë.”

Mesazhi ishte i qartë. Darka nuk mbaroi siç ishte parashikuar, por më vonë kuptova se pjesa e tij si luftëtar ende respektonte guximin për të thënë të vërtetën, sado e hidhur të ishte.

Askush nuk ka të drejtë të vërë në dyshim qëllimet e udhëheqësve që luftuan gjithë jetën kundër pushtimit dhe pastaj besuan se kishte ardhur koha për “paqen”. Por çdokush ka të drejtë të argumentojë kundër drejtësisë së atij vendimi.

Shumë e bënë në atë kohë – jo vetëm fraksione të ndryshme ideologjikisht, por edhe brenda të njëjtit rrymë. Mes tyre ishin Faruq al-Qaddumi, Mahmoud Darwish, Abdul Majid Tayeh, Mohamed Jihad al-Umuri. Dhe Edward Said e tha qartë: “Organizata për Çlirimin e Palestinës u kthye nga një lëvizje çlirimtare kombëtare në një qeveri të vogël komunale.”

Është e dhimbshme që tridhjetë vjet (1993–2023) nuk mjaftuan për të kuptuar drejtësinë e atyre që kundërshtuan Oslon, ndërkohë që toka gllabërohej çdo ditë dhe çështja zvogëlohej orë pas ore. Dhe është e turpshme të dëgjosh presidentin parandalues, pas dy vitesh të tjera gjenocidi, teksa partnerët e “paqes” e kanë hequr çdo maskë dhe e kanë shfaqur zhveshjen e tyre morale para atij që ende mendon se është “autoritet” dhe para gjithë botës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit