Pozita e lartë e lirisë në Islam

Më të lexuarat

Një burrë i tha imam Shafiut: “Më këshillo.”
Ai u përgjigj:
“Allahu i Lartësuar të krijoi të lirë; prandaj ji i lirë ashtu si të krijoi Ai.”

Ky kuptim, të cilin e artikuloi imami Shafiu, përbën një nga themelet më madhore doktrinare dhe mendore që kanë kuptuar dijetarët e Islamit mbi natyrën e këtij feje, e cila synon të realizojë pavarësinë, vullnetin dhe dinjitetin e njeriut; dhe ta largojë atë nga nënshtrimi i njeriut ndaj njeriut, apo nga robërimi i njerëzve ndaj epsheve dhe kënaqësive të kësaj bote të përkohshme.

Për këtë arsye Shafiu ka thënë gjithashtu:
“Liria është fisnikëri dhe devotshmëri; e kur ato bashkohen në një person, ai është vërtet i lirë.”

Dhe ka thënë:
“Burrëria e virtytshme është stolia e njerëzve të lirë.”

Imami Shafiu e ndërlidhi varësinë nga dynjaja me poshtërimin, kur tha:
“Atij të cilin e mposht epshi i madh për dynjanë, patjetër do t’i ngjitet robëria ndaj njerëzve të saj.”

Ndërsa imami Malik nuk e konsideronte të vlefshëm divorcin e atij që detyrohej. Ai vetë u vu në sprovë lidhur me këtë çështje, kur një vali mori pushtetin e Medinës me dhunë. Sipas analogjisë juridike, besa (bej’ati) e dhënë nën detyrim nuk është e vlefshme. Kur vali i Medinës dëgjoi këtë fetua, e thirri imam Malikun dhe i kërkoi të tërhiqej prej saj. Imami Malik, Allahu e mëshiroftë, refuzoi. Atëherë vali e urdhëroi ta rrihnin rëndë.

Kur besimtarit i nënshtrohet poshtërim, kur i dhunohet dinjiteti, kur i shkelet pavarësia dhe i merret fuqia e vullnetit, ai nuk mbetet më i lirë. Kush detyrohet e shtrëngohet, duke iu shuar pavarësia, nuk ka vullnet të vërtetë e as dinjitet real; ai i ngjan më shumë një robi.

Për këtë arsye, mendja dhe përpjekjet e dijetarëve të Islamit janë përqendruar në rikthimin e njerëzimit drejt thelbit të krijimit me të cilin i krijoi Allahu — që të jenë të lirë, të mos i nënshtrohen askujt përveç Tij. Ata u përpoqën të realizonin konceptet kur’anore që synojnë të çrrënjosin robërimin e njerëzve ndaj njerëzve, dhe vazhdimisht theksuan se sheriati aspiron lirimin e njerëzve nga skllavëria dhe çlirimin e tyre drejt lirisë, siç e shohim në shumë ajete që flasin për kafarat e zhiharit, për shkeljen e betimit, për kontaktin seksual të qëllimshëm me gruan gjatë ditës së Ramazanit, ose sipas një opinioni tjetër për atij që e prish agjërimin me qëllim në ditën e Ramazanit.

Ibn Kudame el-Hanbeli ka thënë:
“Baza për njerëzit është liria; Allahu e krijoi Ademin dhe pasardhësit e tij të lirë, ndërsa skllavëria është diçka e rastësishme. Kur kjo arsye nuk dihet, atëherë gjykimi i kthehet bazës.”

Ndërsa Ibn el-Humami, dijetar i madh i Hanefive, ka thënë:
“Liria është një e drejtë e Allahut të Lartësuar; askush nuk ka fuqi ta shfuqizojë këtë të drejtë përveçse me gjykim të sheriatit. Prandaj nuk është e lejuar të shkelet kjo e drejtë, dhe për këtë arsye nuk lejohet skllavërimi i njeriut të lirë, qoftë edhe sikur ai vetë të ishte i kënaqur me këtë.”
Habab ibën Mervan El-Hamed

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit