10 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Popullsia globale drejt tkurrjes drastike: cilat do të jenë pasojat?

Më të lexuarat

Komplikimi i mëtejshëm i botës dhe nga trokitja e Inteligjencës Artificiale

Kinezët do të përgjysmohen. India do të humbasë një të pestën e banorëve të saj. Rënia demografike e pritshme për mesin e shekullit, përbën një kërcënim për ekonominë dhe konsumin. Cili do të jetë roli i Inteligjencës Artificiale?

Nga Marcello Astorri, Il Giornale

Kanë kaluar 40 vjet nga publikimi i “Terminator”, një film që rrëfen rebelimin e makinerive kundër njerëzve nën drejtimin e rrjetit të inteligjencës artificiale Skynet. Tre dekada më vonë u shfaq “The Matrix”, një film post-apokaliptik ku makinat e dominojnë botën dhe ku i përdorin qeniet njerëzore si bateri.

Në fakt këta janë vetëm dy nga shembujt e narrativës së larmishme të këtij zhanri. E megjithatë janë tregues se sa frika se mos makineritë na bëhen inteligjente deri në pikën që t’i shpëtojnë kontrollit tonë, është shumë e rrënjosur në imagjinatën njerëzore.

Shfaqja e ChatGPT dhe e konkurrentëve të ndryshëm, të aftë të ofrojnë një inteligjencë gjeneruese, po i materializon frikërat dhe dilemat etike që deri dje i shihnim të stivuara në sirtarin e fantashkencës. Po sikur ky kërcënim, duke supozuar se ekziston, të jetë njëherazi edhe zgjidhja për të zgjidhur një rrezik tjetër të mundshëm?

Sipas të dhënave të publikuara nga revista The Lancet, një nga më autoritaret në fushën shkencore, popullsia botërore do të fillojë të bjerë nga mesi i këtij shekulli. Sipas tendencave aktuale, të cilat në demografi janë të vështira për t’u prapësuar, përveçse në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, kinezët në fund të këtij shekulli do të jenë sa gjysma e numrit të sotëm: 732 milionë.

Po kështu edhe japonezët, të cilët do të bien në 60 milionë. Rusët do të tkurren me 30 për qind, indianët me 21 për qind, edhe pse do të mbeten vendi më i populluar në botë. Me shumë mundësi, banorët e Italisë, Koresë së Jugut, Polonisë dhe Spanjës do të përgjysmohen (ose aty afër).

Do të ketë shumë pak përjashtime, ku më i spikaturi është Nigeria që do të përjetojë gati trefishim të banorëve të saj, 800 milionë. Për më tepër, këto janë tendenca që po i shohim tashmë në praktikë. Në vitin 2022, Kina pësoi rënien e parë të popullsisë pas 60 vitesh. Ky bilanc negativ u përsërit edhe vitin e kaluar, me mbi dy milionë njerëz më pak. Nuk mjaftuan as braktisja e politikës së “një fëmije për familje”, dhe as stimujt për të stimuluar lindjet. Japonia është tashmë vendi me popullsinë më të moshuar në botë, ndërsa në Korenë e Jugut, ekonomia e tretë më e madhe e Azisë, numri i të porsalindurve ra vitin e shkuar në nivelin më të ulët historik.

Presidenti Yoon Suk Yeol deklaroi së fundmi, se gjatë 15 viteve të fundit janë shpenzuar më shumë se 210 miliardë dollarë në politikat për të rritur shkallën e lindjeve në vend, por pa arritur rezultate të pranueshme. Vlerësohet se deri në vitin 2050, treçereku i popullsisë së botës do të jetë nën pragun e nevojshëm për të shmangur një rënie demografike.

Nga njëra anë, disa vërejnë se një rënie në popullsinë botërore mund të sjellë uljen e dëshiruar të emetimeve të gazit CO2. Por nga ana tjetër do të ishin të pashmangshme pasojat e dëmshme në ekonominë botërore. Sot dimensioni global i tregjeve, disponueshmëria e një popullsie të re në shumë pjesë të botës (dhe për rrjedhojë më e mësuar me konsumin) po nxit rritjen e PBB-së dhe po e zgjeron segmentin e shtresës së mesme, me shumë njerëz të nxjerrë nga varfëria.

Por plakja e popullsisë mund të prishë rrethin e virtytshëm: OECD vlerëson se deri në vitin 2050 popullsia mbi 60 vjeç do të jetë 2.1 miliardë në mbarë botën. Dhe kjo do të përkthehet në ulje të konsumit, rritje të shpenzimeve për pensione dhe shëndetësi. Sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian, shpenzimet buxhetore publike të lidhura me plakjen e popullsisë mund të arrijnë mbi 5 për qind të PBB-së deri në vitin 2040.

Por mungesa e fuqisë punëtore do të peshojë mbi të gjitha vendet. Kjo gjë po ndihet që tani tek profesionet më të specializuara, por jo vetëm. Është e vetëkuptueshme që përballë një rënieje demografike, situata vetëm sa do të përkeqësohet. Atëherë si mund të shmangim më të keqen?

Një rritje në produktivitetin e punës, mund të kundër-balancojë të paktën pjesërisht këtë dukuri. Për shumë vende, inteligjenca artificiale gjeneruese mund të jetë një mundësi. Të paktën, kjo është ajo që pretendon Microsoft. Por kompania amerikane nuk mund të konsiderohet një aktor mbi palët, pasi ka investuar mbi 10 miliardë dollarë në OpenAi (kompania që shpiku ChatGpt).

Por sigurisht që ofron një interpretim alternativ, i cili duhet marrë në konsideratë. Në një raport të paraqitur në Forumin Ambrosetti në Cernobbio, pretendohet se falë inteligjencës artificiale gjeneruese, Italia mund të rrisë deri në 18 për qind produktivitetin e saj dhe mund të gjenerojë, për të njëjtin numër orësh pune, deri në 312 miliardë euro vlerë të shtuar vjetore.

Inteligjenca artificiale gjeneruese e Microsoft do të kompensojë gjithsej 5.4 miliardë orë që në terma konkretë korrespondojnë me orët e punuara në një vit nga 3.2 milionë njerëz. Por a mund të imagjinohet që makinat të zëvendësojnë plotësisht punëtorët njerëz?

Për momentin duket se jo. Sipas një studimi të kryer disa muaj më parë nga kompania konsulente EY dhe Manpower Group, kërkesa për punë në Itali do të mbetet në përgjithësi në rritje për pjesën tjetër të dekadës, dhe nuk do të ketë efekt zëvendësimi.

Megjithëse kërkesa do të përqendrohet më shumë tek profile të larta ose shumë të larta kualifikimi. Kështu për shkak të Inteligjencës Artificiale, studimi zbulon se do të kërkohen më shumë inxhinierë dhe fizikantë (+7 për qind), analistë tregu dhe psikologë pune dhe trajnimi (+ 3 për qind) dhe njerëz në profesione që lidhen me marketingun (+5 për qind), drejtorë administrate dhe financash dhe specialistë organizimi (+3 për qind).

Pra Inteligjenca Artificiale duket se paraqet shumë mundësi. Megjithatë, qeveritë, si në Evropë ashtu edhe në Amerikë, po mendojnë se si të menaxhojnë revolucionin e ri industrial. Për shembull parlamenti i Bashkimit Evropian, votoi kohët e fundit mbi të ashtuquajturin Akt i Inteligjencës Artificiale, ligji i parë global mbi këtë fushë.

Krahas theksit tek transparenca, kërkohet një vlerësim i ndikimit të teknologjive të reja mbi jetën e njerëzve, i cili do të klasifikohet në nivele të rrezikut minimal, të kufizuar, të lartë apo edhe të papranueshëm. Kjo kategori e fundit përfshin AI manipuluese, krijimin e bazave të të dhënave të njohjes së fytyrës, kategorizimin biometrik apo edhe sistemet e vlerësimit social. Që të gjitha këto na risjellin në mendje kujtesën kinematografike. Vetë SHBA i detyron kompanitë t’i japin qeverisë detaje për çdo model të AI të trajnuar me një fuqi kompjuterike mbi kufijtë e caktuar. Me pak fjalë, vëmendja duket se është aty. Mbetet për t’u parë, nëse do të jemi mjaftueshëm të aftë për të shmangur një të ardhme post-apokaliptike. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit