12.7 C
Pristina
Friday, May 10, 2024

“Plani i Kinës nuk parasheh kthimin e muslimanëve të Arakanit në tokat e tyre”

Më të lexuarat

ANKARA (AA) – Kthimi i muslimanëve të Arakanit në tokat e tyre nuk u përfshi në planin prej tre fazash të Kinës lidhur me çështjen e Arakanit. Kjo gjë shkaktoi reagime të shumta.

Në planin e ofruar nga ministri i Punëve të Jashtme të Kinës Vang Yi për çështjen e Arakanit, në asnjë fazë nuk përfshihet kthimi i qindra mijëra muslimanëve të Arakanit në tokat e tyre të cilët kanë ikur në Bangladesh për të shpëtuar jetën e tyre.

Në fazën e parë të planit në fjalë synohet që me sigurimin e “armëpushimit” të ofrohet rendi dhe stabiliteti dhe në këtë mënyrë të mos ndodhë zhvendosja e më shumë muslimanëve të Arakanit. Në fazën e dytë të planit përfshihet zgjidhja e krizës nëpërmjet negociatave dhe takimeve dypalëshe mes Mianmarit dhe Bangladeshit. Në fazën e tretë përfshihet gjetja e një zgjidhjeje afatgjate në Arakan, duke mundësuar zhvillimin e rajonit me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Lu Kang në një konferencë për media të organizuar dje në Pekin tha se Mianmari dhe Bangladeshi po e mbështesin planin në fjalë por nga pala e Bangladeshit ende nuk ka ndonjë deklaratë për çështjen në fjalë.

Qeveria e Bangladeshit shpesh bën thirrje që muslimanët e Arakanit, të cilët janë strehuar në këtë vend, të kthehen në Mianmar në mënyrë të “sigurtë dhe me dinjitet”.

Plani i prezantuar nga Kina shkaktoi komente se “Kina po përpiqet që t’i shpërndajë presionet ndërkombëtare ndaj Mianmarit”.

“Kthimi i muslimanëve të Arakanit në tokat e tyre nuk do të jetë në interes të Kinës”

Kryetari i Këshillit Rohingya në Evropë (ERC), Dr. Hla Kyaw në një deklaratë për gazetarin e AA-së foli për mospërfshirjen në plan të asnjë pike për rikthimin e muslimanëve të Arakanit.

“Kina planifikon të formojë një rajon të madh ekonomik në tokat prej ku më shumë se 600 mijë muslimanë të Arakanit janë detyruar të largohen. Kthimi i muslimanëve të Arakanit në tokat e tyre nuk do të jetë në interes të Kinës”, tha ai.

Duke vënë në dukje se Kina asnjëherë nuk është shqetësuar për muslimanët e Arakanit, Kyaw thotë se “Në të vërtetë Kina e ka mbështetur Mianmarin edhe përkundër gjenocidit dhe përkundër çdo krimi të ushtruar ndaj muslimanëve të Arakanit”.

Ai tha se Kina dëshiron që ta shpërndajë presionin e ushtruar ndaj Mianmarit për krimet e gjenocidit ndaj muslimanëve të Arakanit. Kyaw thotë se “Kina po përpiqet që t’i normalizojë krimet e kryera nga ushtria e Mianmarit ndaj muslimanëve të Arakanit”.

Kyaw tha se Mianmari mund ta mbështesë planin në fjalë. “Bangladeshi tashmë ka refuzuar ndërmjetësimin e Kinës në emër të Mianmarit”, tha ai.

Zëdhënësja e ERC-së, Anita Schug tha se kthimi i muslimanëve të Arakanit në tokat e tyre është duke u diskutuar në mes të qeverive të Mianmarit dhe Bangladeshit por që ky proces ende mbetet i paqartë.

“Duke shprehur ide të ndryshme, Mianmari po përpiqet që ta mashtrojë komunitetin ndërkombëtar dhe t’i dëbojë nga tokat e tyre edhe muslimanët e Arakanit që kanë mbetur në Mianmar”, thotë Schug.

“Kina i përshtatet ushtrisë së Mianmarit. Kina ka interesa ekonomike dhe gjeografike në Arakan, përfshirë edhe uljen e ndikimit të BE-së dhe të SHBA-ve në Mianmar”, tha ajo.

“Kina thotë se faza e parë e këtij plani është realizuar pjesërisht me punën e madhe të të gjitha palëve. Kjo nuk është e vërtetë. Muslimanët e Arakanit me të cilët flasim tregojnë se ende shtëpitë të tyre u vihet zjarri dhe se muslimanët e Arakanit vriten dhe arrestohen”, tha Schug

Kryetari i Unionit të Rohingyave të Arakanit (ARU) Wakar Uddin tha se “Kina dëshiron fuqizimin e Mianmarit dhe nuk dëshiron që komuniteti ndërkombëtar të bëjë presion ndaj këtij vendi”.

Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti e deri tani si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pretendon se është duke luftuar me militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjet dhe daljet në rajon.

Gjatë sulmeve të cilat janë shndërruar në një spastrim etnik janë djegur ose shkatërruar rreth 300 fshatra nga ushtria dhe budistët radikalë, si dhe mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit janë larguar në Bangladesh nëpërmjet rrugëve malore, detare apo të lumenjve.

Ndërkohë dhjetëra mijëra të tjerë janë në kërkim të rrugëve për t’u larguar në Bangladesh. Supozohet se rreth 2 milionë muslimanë jetonin në Arakan në vitet 1970, por ky numër ka rënë nën 350 mijë për shkak të largimeve nga sulmet sistematike.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit