12.2 C
Pristina
Thursday, May 16, 2024

Përse humbi BDI?

Më të lexuarat

Editorial: MONITOR

 

 

Katër ditë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, nga selia e Bashkimit Demokratik për Integrim, zyrtarisht heshtje. Nuk ka pasur një komunikim zyrtar të rezultateve, ashtu siç ka qenë traditë e kësaj partie në çdo cikël zgjedhor deri më 11 dhjetor, zyrtarë të kësaj partie nuk janë shfaqur me fanatizëm e militantizëm as në ballafaqimet televizive për të analizuar në mënyrë përmbajtësore rezultatet e zgjedhjeve, dhe triumfalizmi i militantëve fanatikë të shtabit zgjedhor “facebook” kanë heshtur.

Ajo që vërehët më shumë është fakti se edhe katër ditë pas zgjedhjeve, BDI nuk ka paralajmëruar as një mbledhje të organeve partiake për të analizuar rezultatin zgjedhor, por akoma më me rëndësi, për të analizuar mesazhin e zgjedhjeve drejtuar zyrtarëve të kësasj partie. Sharlatanët politikë që e zbavisin liderin me batuta, që i ledhatojnë shpatullat duke i thënë vazhdimisht se “jemi shumë të fortë”, dhe që i fshehin pasqyrën e vërtetë të situatës nga frika se “mos humbasin pikë tek shefi” janë tretur diku. Edhe spin-et e famshme kundër bashkëpartiakëve të lançuara në mediat që i kontrollon BDI, një shprehi tanimë e institucionalizuar në korniza të PR-strategjive partiake, kanë tretur. Ka ngelur vetëm shija e hidhur e një rrënimi pothuajse kataklizmik të fortesës së quajtur BDI. Dhe, natyrisht, pyetja: kush do të mbajë përgjegjësi?

Rezultatet e të dielës mbrëma e bëjnë BDI-në, pa pikë dyshimi, humbësin më të madh të këtyre zgjedhjeve. Me 153.000 vota të fituara në vitin 2014, të përforcuara edhe me rreth 6.500 vota, gjegjësisht një mandat deputeti nga transferta në merkato e kandidates së zgjedhur në listën e RDK-së, BDI u bë rekordmene në numër votash dhe mandate deputetësh. Kjo parti bëri historinë si partia e vetme shqiptare që ndonjëherë kishte arritur mbi 150.000 vota dhe 20 mandate deputetësh në historinë e pluralizmit politik të Maqedonisë. Të dielën e 11 dhjetorit, ky rezultat u përgjysmua. BDI ra në diçka mbi 80.000 vota, që është rezultati më i dobët i arritur ndonjëherë që nga themelimi i këtij subjekti politik në vitin 2002. Dhe, ky rezultat e bën BDI-në humbës, jo fitues të zgjedhjeve!

Por, ndryshe nga çdo parti moderne europiane (e BDI ka fort qejf ta quajë vetveten të tillë), askush nga zyrtarët e kësaj partie, as nuk ka ofruar dhe as nuk ka dhënë dorëheqje, në shenjë përgjegjësie morale për performancën më të dobët elektorale në historinë e partisë. Përkundrazi, militantët partiakë, mediat e sponsorizuara nga BDI, dhe një grusht analistësh anonimë janë lëshuar në gjah shtrigash, vazhdimisht duke kërkuar fajtorin diku tjetër, por jo aty ku faji dhe fajtori qëndron vërtetë, dhe kjo është pikërisht BDI-ja. Shikuar nga perspektiva e sotme, BDI kishte dhënë isharete se nuk do mbante përgjegjësi për fijaskon zgjedhore diku nga mesi i fushatës kur, me sa duket, lideri i partisë kishte nisur të kthjellohej nga ëndërra idilike në të cilën e kishin zhytur përkëdhelësit e shpatullave të tij, dhe kishte kuptuar se punën në terren nuk e kishte ashtu siç ia prezantonin në odat e tij të krijimit politikave të mëdha në Reçicë të Vogël. Në përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar ç’mund të shpëtohej, ai kishte nisur të klithte kundër “përçarjes së votës” dhe për “bashkimin e opozitës kundër BDI”. Prandaj, në

paraqitjen e parë dhe të vetme që nga përfundimi i zgjedhjeve, z. Ahmeti, dukshëm i tronditur dhe në shok, tha, “fitoi BDI, por humbën shqiptarët”. Deklaratë prepotente nga një politikan i dëshpëruar!

Në këtë dëshpërim, “mbrojtësit” më të devotshëm të shqiptarisë në Maqedoni e më gjerë, ata që kanë insistuar të mbajnë ekskluzivitetin mbi trashëgiminë e luftës së vitit 2001, “gardianët” e kauzës kombëtare dhe përcaktuesit se kush është e kush jo shqiptar i vërtetë në Maqedoni, janë lëshuar në një aventurë të rrezikshme që të gjithë ata shqiptarë që paskan votuar LSDM-në, t’i shpallin tradhëtarë.

E para, si e ditkan militantët dhe zyrtarët e BDI-së se kush për kë ka votuar, kur vota është e fshehtë?! E dyta, si mund të quhet një sistem politik demokratik nëse partia të akuzon dhe linçon publikisht se ke votuar dikë tjetër, dhe jo partinë?! E treta, nëse këta shqiptarë kanë votuar lirshëm LSDM-në, atëherë si duhet ta quajmë liderin dhe partinë e cila ftonte, instruktonte dhe urdhëronte shqiptarët që të votojnë Gjorgje Ivanovin në vitin 2009? Si duhet të quhen ata zyrtarë të partisë të cilët kanë negociuar vota për VMRO-në nga shqiptarët e komunës Qendër, në shkëmbim të votave për BDI në Tetovë?! E katërta, si mund të gjykojë shqiptarët që në dëshpërim votuan LSDM-në dhe shprehën revoltën ndaj VMRO-së, partia e cila e pastroi listën e deputetëve nga “rebelët” të cilët ia prishën matematikën kur në fund të vitit 2014, pikërisht lideri kishte urdhëruar votimin e stemës me luan për simbol shtetëror?! Tradhëtarë qenkan shqiptarët, por jo politikanët e BDI-së të cilët asnjëherë nuk u distancuan dhe as nuk shprehën hidhërim kur dëgjuan se si kolegët e tyre të VMRO-së i quanin indianë e fise të paqytetëruara?! Tradhëtarë qenkan shqiptarët që votuan LSDM-në, por jo ministrat e BDI-së të cilët nuk ndaluan asnjërën përmendore të Shkupi 2014, që nuk bllokuan asnjë projekt ligjor në Parlament kur alokoheshin mjete buxhetore për zhvillimin ekskluzivisht të Maqedonisë lindore, e shumë e shumë gafe të tjera të pafalshme politike.

Po të ishte BDI një parti serioze politike, një orë e më parë do të ulej të bënte detyrat e shtëpisë, dhe me seriozitet do ta lexonte e rilexonte më shumë herë rezultatin e zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Si fillim, reflektimi duhet të nisë me dorëheqje. Fshehja pas “fitores” vetëm se e shton mllefin e shqiptarit të rëndomtë nga arroganca që po demonstrojnë drejtuesit e BDI-së. Një parti që përherë ka festuar fitoret e mëdha zgjedhore sot po fshihet pas mbetjes së votave që ia siguron modeli i D’hontit në Njësinë zgjedhore nr.6. Kjo nuk është fitore, por dëshpërim, ndërsa për shqiptarët, ky është zhgënjim. Dorëheqjet e zyrtarëve aktualë duhet të pasohen nga një proces transparent, objektiv dhe i besueshëm i reformave të brendshme, e të cilat do të rezultonin me zgjedhjen e një udhëheqësie të re të kësaj partie politike. Mirë do të ishte, për shëndetin e partisë dhe anëtarësisë së saj, që, në vend të propagandës në favor të hyrjes së sërishme në qeveri, BDI të shijonte pak edhe opozitën. Duke u bërë pjesë e qeverisë me 80.000 vota dhe rënie prej 50% të mbështetjes në popull, BDI ka humbur legjitimitetin për të qeverisur. Me një legjitimitet të cënuar, janë broçkulla spin-et partiake që lançohen se po negociohet për njërin nga tre postet drejtuese të shtetit, apo për ndonjë ministri që asnjëherë nuk është drejtuar nga një shqiptar. Logjika është e thjeshtë: kur BDI nuk i mori këto me 153.000 vota, nuk ka teori që t’i marrë me 80.000!

BDI ka shans të rikuperohet nga humbja e madhe. Por rikuperimin nuk mund ta bëjnë ata që shkaktuan humbjen. Pas gjithë atyre viteve në qeveri dhe pa freskuar fare radhët e para të drejtuesve të partisë, BDI ka kohë që po jep të gjitha shenjat e një partie diktatoriale, e cila suspendon mendimin ndryshe, ndëshkon “rebelët” dhe protezhon servilitetin. Kjo nuk është një diagnozë e panjohur në teoritë politike në botë. I ka ndodhur secilës parti e cila ka qëndruar shumë gjatë në pushtet dhe për pasojë ka humbur kontaktin me realitetin.

Më shumë se kush do të bëjë qeverinë e re, shqiptarët sot janë kurreshtarë të dijnë se si do ta përballojë BDI sfidën me vetveten e cila i shpërtheu në sipërfaqe ditën e diel. Ky ballafaqim është më i rëndësishëm për shkak të interesave afatgjate të shqiptarëve të Maqedonisë dhe sidomos për shkak të ndërtimit të standarteve të mirëfillta në kulturën politike të tyre.

Shqiptarët në zgjedhje demonstruan vetëdije dhe pjekuri të lartë politike. Ata votuan ndryshimin, risinë, të renë, por mbi të gjitha, votuan për izolimin e politikave retrograde të qeverisë së Gruevskit nga të cilat asnjëherë nuk u distancua BDI. Kjo shqiptarët nuk i bën tradhëtarë, por i bën vendimtarë, sepse vendimtar është ai që ka opinion dhe integritet, jo ai që ka vetëm dëgjueshmëri dhe servilitet ndaj liderit. Prandaj BDI humbi të dielën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit