Raportet Shqipëri-Kosovë mbeten nën potencialin e tyre, partnerja kryesore e Kosovës mbetet Serbia…
Vizita e fundit e kryeministrit Edi Rama në Prishtinë, e zhvilluar në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, tregoi sërish hendekun e madh mes retorikës emocionale dhe realitetit të ftohtë të bashkëpunimit të dobët mes dy shteteve shqiptare.
Duke shfrytëzuar promovimin e një libri mbi gjyqet e Hagës, Rama u investua në një fjalor të ashpër e populist, duke i quajtur prokurorët e Gjykatës Speciale “idiotë” dhe duke e cilësuar institucionin si më politik se gjykatat e Serbisë.
Ky pozicionim i bujshëm, ku përmendi me ironi arrestimin e mundshëm të Bill Clinton-it apo Tony Blair-it si pasojë logjike e dënimit të krerëve të UÇK-së, duket se kishte një qëllim parësor: të sfidonte Albin Kurtin në terrenin e tij, duke u shfaqur si mbrojtësi më i flaktë i vlerave kombëtare në një kohë kur qeveria e Kosovës gjendet nën presion të vazhdueshëm ndërkombëtar.
Nga ana tjetër, mungesa e një konference të përbashkët për shtyp mes dy kryeministrave ishte dëshmia më e qartë e raporteve të krisura dhe e përplasjeve të shpeshta që karakterizojnë marrëdhënien Rama-Kurti.
Në vend të një qëndrimi të unifikuar përballë sfidave të mëdha, opinioni publik dëshmoi një tjetër episod të “luftës së ftohtë” brenda llojit, ku takimet zyrtare kryhen më shumë për protokoll sesa për koordinim strategjik.
Rama zgjodhi të fliste gjatë në aktivitete anësore, duke përmendur madje “sekrete shtetërore” për kërcënimet ndaj presidentes Osmani nga Gjykata Speciale dhe rezistencën e saj ndaj bastisjeve të zyrës presidenciale, një lëvizje që synonte të portretizonte atë si njeriun që qëndron në qendër të orbitës politike mbarëshqiptare. Ndërsa Kurti u mjaftua me postime të thata teknike në rrjetet e tij sociale.
Kjo distancë komunikative në prag të një dite kaq simbolike konfirmon se egot personale të liderëve po peshojnë më rëndë se interesi kombëtar, duke e lënë bashkëpunimin peng të një gare se kush shfaqet më “udhëheqës” se tjetri.
Pas kësaj mjegulle patriotike fshihet një dështim kronik i integrimit substancial. Që prej vitit 2014, kur nisi cikli i mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive me premtime të bujshme për bashkim doganor dhe treg të përbashkët, janë nënshkruar mbi 150 marrëveshje.
Por shumica dërrmuese e tyre mbeten thjesht arkiva letre, pa asnjë ndikim real në jetën e qytetarëve apo bizneseve. Paradoksi më i madh dhe më i dhimbshëm i këtij “vëllazërimi folklorik” është se, ndërkohë që kryeministrat shkëmbejnë replika të hidhëta, Kosova vazhdon të ketë një varësi tregtare shqetësuese nga Serbia.
Shifrat e viteve të fundit janë kokëforta. Importet nga Serbia në Kosovë kanë kapur vlera rekord prej mbi 370 milionë eurosh në vit, madje duke arritur deri në 450 milionë euro në periudha të caktuara, ndërkohë që shkëmbimet me Shqipërinë mbeten sërish larg potencialit natyror.
Është ironike që, pavarësisht dhjetëra mbledhjeve ndërqeveritare, një kamion me mallra shqiptare ndeshet shpesh me më shumë vonesa burokratike dhe barriera në kufi sesa mallrat që vijnë nga veriu.
Në fund, kjo vizitë nuk prodhoi asnjë hap konkret për unifikimin e tregut apo koordinimin e politikës së jashtme, por shërbeu vetëm si një akt tjetër në teatrin e lidershipit rajonal.
Duke u fokusuar te retorika kundër Hagës, Rama po kujdeset që të kthehet në Tiranë me aureolën e liderit që sfidon Perëndimin, ndërkohë që realiteti tregon se dy shtetet tona mbeten më të lidhura përmes deklaratave televizive sesa përmes projekteve të përbashkëta që do të zhvillonin mirëqenien e popullit shqiptar në të dy anët e kufirit./tesheshi.com/
