15.1 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

“Përmes kulturës dhe turizmit do të luftojmë kundër islamofobisë dhe urrejtjes ndaj Turqisë”

Më të lexuarat

Kurtulmuş tha se në botë ekziston urrejtje intensive kundrejt Islamit dhe Turqisë dhe disa qarqe mashtruese duan të trembin turistët dhe t’i pengojnë ata nga Turqia

ANKARA (AA) – Ministri i Kulturës dhe Turizmit i Republikës së Turqisë, Numan Kurtulmuş deklaroi se Turqia është duke rishikuar politikën me qëllim që gjatë dhjetë viteve të ardhshme të bëhet një nga tre destinacionet më atraktive në botë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Së shpejti do të mbajmë takimin e tretë me përfaqësuesit e turizmit dhe do të vendosim qëllimet e reja strategjike duke rishikuar politikën në këtë sektor. Shpresoj se rezultati i këtij takimi do të jetë rritja e 50 miliardë dollarëve të planifikuara më herët dhe 50 milionë turistëve për vitin 2023”, tha Kurtulmuş i cili sot në mëngjes ishte mysafir në panelin editorial të AA-së në Ankara.

Ai tha se në botë ekziston urrejtje intensive kundrejt Islamit dhe Turqisë dhe disa qarqe mashtruese duan të trembin turistët dhe t’i pengojnë ata nga Turqia dhe kështu të rrezikojnë turizmin e saj.

“Kultura dhe turizmi ynë janë dy forca të heshtura me të cilat edhe më tutje do të luftojmë kundër islamofobisë dhe urrejtjes ndaj Turqisë. Ashtu që do të punojmë në forcimin e imazhit dhe krijimin e pasqyrës pozitive mbi Turqinë”, tha Kurtulmuş.

Duke treguar të dhënat statistikore se ekonomia globale në vit rritet për 2.5 për qind, ndërsa sektori turistik global për 3.1 për qind, Kurtulmuş tha se gjatë dhjetë viteve të ardhshme pjesa e turizmit në produktin social global do të rritet nga dhjetë në 11.4 për qind.

“Turqia është një nga vendet që ka mundësitë dhe resurset më të mira që të marrë pjesë në këtë trend rritës. Momentalisht Turqia është destinacioni i gjashtë turistik në botë, ndërsa për ne kjo nuk mjafton dhe në dhjetë vitet e ardhshme dëshirojmë të radhitemi mes tre të parave”, tha Kurtulmuş.

Duke theksuar se hapja e tregjeve të reja është një nga strategjitë kryesore të turizmit turk, Kurtulmuş tha se viti 2018 në Kinë tashmë është shpallur si vit i kulturës turke dhe se janë planifikuar 50 manifestime të ndryshme me qëllim të promovimit të turizmit turk.

“Përveç Kinës, jemi të hapur drejt Indisë, Koresë së Jugut, Japonisë, Indonezisë, Malajzisë dhe vendet tjera të Lindjes së Largët ku jeton pothuajse gjysma e popullatës së botës. Do të hapim këto dyer dhe të sjellim turistë të rinj, por këtu nuk po flasim për dhjetëra mijëra, por për miliona njerëz”, tha Kurtulmuş.

Në pyetjen e gazetarëve të AA-së që të komentojë vizitën e kryeministrit turk Binali Yıldırım në Washington, Kurtulmuş tha se shpreson që me këtë rast do të tejkalohet kriza lidhur me pezullimin e dhënies së vizave nga të dyja palët.

“Problemi me vizat është i përkohshëm dhe një gjë e parëndësishme, por qëndrimi i liderit të organizatës terroriste FETO (Fetullah Gylen) është i përhershëm dhe për ne një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme. Gjatë vizitës në Washington kryeministri ynë nga ai nivel do të përsërisë kërkesën tonë për ekstradimin e liderit të FETO-s. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme edhe për vazhdimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Turqisë dhe SHBA-ve”, tha Kurtulmuş.

Duke theksuar se nuk ka terroristë, as grupe terroriste që mund ndonjë vendi t’i sjellin mirë, Kurtulmuş tha se do të jetë vështirë të parandalohet terrorizmi derisa në botë nuk zhvillohet dialog i sinqertë dhe qëndrim unik kundër të gjitha formave të terrorizmit.

Ai komentoi edhe krizën aktuale në rajon dhe tha se në këtë pjesë të botës sërish po luhen lojëra të mëdha dhe disa qarqe dëshirojnë në masë shtesë të ndajnë dhe armiqësojnë rajonin për të krijuar një lloj rendi që ekzistonte njëqind vjet më parë.

“Republika e Turqisë është e vetmja që mund dhe punon në parandalimin e këtyre lojërave dhe komploteve. Turqia për këtë ka fuqi dhe stabilitet politik”, porositi Kurtulmuş.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit