7.4 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Përkrahësit e së ligës – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Çarja dhe hatërmbetja që shkaktohet mes njerëzve për shkak të mbrojtjes së të vërtetës dhe të drejtës, është e pashmangshme dhe një vijimësi e pandërprerë historike, që nis me ekzistencën e njeriut dhe theksohet me ardhjen e profetëve. Ajo është pasojë e padëshirueshme, por e pashmangshme.

E vërteta, e drejta dhe e mira, parimisht duhet t’i bashkojnë njerëzit, por kur këto cenojnë interesat dhe bindjet individuale e sektare, atëherë shumë prej njerëzve e kanë të vështirë ta nënshtrojnë egon e tyre, sepse mbështetja e pa kompromis bëhet shkak për përçarje dhe mëri, ndaj dhe dobësia njerëzore e prirë për rehati, e vë përfund moralin dhe ndërgjegjen njerëzore, duke i dhënë përparësi kompromisit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me të keqen.

Është pikërisht kjo arsyeja pse shumë njerëz e ndoshta shumica e tyre nuk duan të konfliktohen me të tjerët edhe nëse në pikëpyetje vihet e drejta dhe e vërteta. Ata preferojnë të ruajnë marrëdhëniet e mira me njerëzit, me të afërmit dhe miqtë dhe të bëjnë kurban çdo parim tjetër, vetëm që kjo qetësi të mos prishet. Sigurisht në këto raste iu vjen në ndihmë një nga trillet më të forta të shejtanit, që është vetëmashtrimi pas interpretimeve bajate që “qetëson” ndërgjegjen dhe “përligj” vetë të keqen.

E duke qenë se e vërteta dhe e drejta vijnë nga Zoti dhe lënia në baltë e tyre është luftë me Të, atëherë Ai i ndëshkon këta njerëz duke i bërë të përçahen mes vetes për interesa të kësaj bote dhe të humbasin bekimin e Tij. Kështu pra ata i ikin përballjes dhe konfliktit për hir të së vërtetës dhe bien në konflikt, përçarje dhe mëri për hir të interesa personale të kësaj bote. Dhe kjo sepse ndëshkimi hyjnor vjen në përputhje me vetë fajin njerëzor. Kush sakrifikon hakun për hatër të rehatisë së dynjasë, Allahu do ta privojë nga rehatia dynjasë për hatër të hakut.

Është pikërisht kjo arsyeja pse shoqëri dhe bashkësi të tilla njerëzore nuk gjejnë dot kurrë mbarësi dhe mbarëvajtje në këtë botë.

I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Kush kërkon kënaqësinë e Allahut në pakënaqësi nga njerëzit, Allahu do t’i mjaftojë atij pa pasur nevojën e njerëzve. Dhe kush kërkon kënaqësinë e njerëzve në pakënaqësi nga Allahu, Allahu do ta lërë atë në duar të njerëzve.” (Tirmidhiu 2414)

Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Kush kërkon kënaqësinë e Allahut në pakënaqësi nga njerëzit, Allahu do të kënaqet prej tij dhe do t’i bëj edhe njerëzit të kënaqen. Dhe kush kërkon kënaqësinë e njerëzve në pakënaqësi nga Allahu, Allahu të zemërohet me të dhe do t’i zemërojë edhe njerëzit.” (Ibn Hiban 276)

Ndaj dhe për këtë pushteti i së keqes mbështetjen më të madhe dhe më të turpshme e merr pikërisht nga ata që e shajnë atë natën dhe i bëjnë amin ditën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit