22.5 C
Pristina
Monday, May 20, 2024

Përgjigje “sionistit” Dritam Hila – Nga Justinian Topulli

Më të lexuarat

Nuk është hera e parë që z. Hila tregon se nuk e njeh moralin e drejtësisë për çështjen palestineze, por vetëm atë të njëanshmërisë së theksuar dhe të interesit të verbër e sipërfaqësor, pas më të fortit.

Hila harron apo bën sikur harron se shqiptarët kanë vuajtur pikërisht për shkak të padrejtësive që fuqitë e mëdha i kanë bërë, ndaj drejtësia dhe mbështetja që ata kanë përfituar së fundi nga Perëndimi është së pari ajo që meritojnë shqiptarët dhe borxh të cilin Perëndimi i ka atyre.

Problemi me Hilën dhe të tjerë si puna e tij është se si ateist që është, ai nuk beson tek drejtësia dhe forca e moralit të së drejtës, por ai e sheh drejtësinë apo moralin vetëm si interes dhe bonus që jepet nga më i forti, kur t’i teket atij dhe në mënyrë arbitrare.

Hila nuk beson se të gjithë njerëzit kanë të drejta të barabarta, kushdo qofshin ata. Hila e sheh botën si një xhungël ku duhet të jesh me më të fortin, në çdo rast, edhe kur ai është i padrejtë dhe zullumqar, mjafton që ai të tregohet “i mirë” me ty, pasi drejtësia dhe e drejta nuk ekzistojnë për Hilën, ato janë thjeshtë objekte që manipulohen sipas tekave të më të fortit.

Hila përmend një sërë emrash hebrenjsh amerikanë, që kanë mbështetur çështjen e drejtë të Kosovës, për të na thënë se ne duhet t’i jemi mirënjohës hebrenjve për këtë që kanë bërë për ne.

Sigurisht z. Hila ne si besimtarë që besojmë se ka një Zot dhe drejtësi finale – dhe Atij i jemi mirënjohës për çdo gjë- e më pas i jemi mirënjohës edhe atyre hebrenjve që ju përmendni dhe gjithë të tjerëve, që kanë mbështetur çështjen e drejtë shqiptare në rajon.

Por ju z. Hila harroni se kjo nuk do të thotë aspak që ne të mbështesim çështjen e padrejtë sioniste në tokën e pushtuar të Palestinës, sepse sipas kësaj logjike i binte që shqiptarët duhet të kishin mbështetur dikur Italinë fashiste dhe Gjermaninë naziste për krimet që bënë ndaj popujve të tjerë dhe hebrenjve në veçanti, për faktin që dihet se këto shtete njohën Kosovën si pjesë e Shqipërisë madje e bashkuan me të.

Por jo, edhe pse pati mjaft shqiptarë që u bënë në krah të gjermanëve dhe italianëve, por ndërkohë ata nuk u pajtuan me politikën antisemite të nazistëve dhe iu kërkuan qartësisht atyre që këtë politikë të mos e shtrinin në vendin e tyre. Nëse do të ishte gjallë sot Mehdi Frashëri dhe të tjerë si ai, që bashkëpunuan me gjermanët, por nuk u pajtuan me krimet e tyre ndaj hebrenjve, do të shokoheshin nga niveli i ulët moral dhe bataku në të cilin kanë rënë shqiptarët e tyre, që nuk dallojnë dot shapin nga sheqeri, çfarë është morale dhe çfarë është e drejtë.

Ndërkohë ju z. Hila është fatkeqësi që nuk bëni dot dallim mes të qenit hebre dhe të qenit sionistë, dhe as mes të qenit kriminel lufte dhe mbështetës i tyre. Fakti që personalitetet që përmendet janë hebrenj a do të thotë se ata janë edhe sionistë që mbështesin krimet e Netanjahut? Fakti se ata janë hebrenj a mos do të thotë patjetër se ata mbështesin politikat e padrejta diskriminuese dhe kriminale të shtetit të Izraelit dhe janë dakord me to? Apo ju nuk bëni dallim mes tyre?!

Pastaj fakti se këta njerëz janë hebrenj dhe mbështetën kauzën shqiptare a do të thotë se këtë ata e bënë në emër të hebraizmit të tyre apo sepse ishin amerikanë dhe ndoqën politikat amerikane karshi çështjes shqiptare?

Fakti që këta njerëz janë hebrenj a do të thotë kjo që mirënjohja personale ndaj tyre duhet të përkthehet në mbështetje të pakushtëzuar ndaj shtetit hebre sionist, ndërkohë që ata nuk përfaqësonin atë si shtet kur e bënë këtë gjë dhe nga shteti sionist nuk e kemi marrë këtë përkrahje për Kosovën, përkundrazi ai ka qenë historikisht në krah të Serbisë?!

Hebrenjtë që ju përmendët mund ta kenë bërë këtë edhe si mirënjohje ndaj shqiptarëve, për atë që shqiptarët bënë për hebrenjtë gjatë luftës së dytë botërore, duke i shpëtuar nga kthetrat naziste, kështu që ata në këtë rast ishin duke i kthyer një borxh mirënjohje shqiptarëve, ndaj dhe ky akt drejtësie dhe mirësie i tyre karshi shqiptarëve nuk është aspak argument se ne duhet të mbështesim padrejtësinë që ushtron shtetin sionist, sepse atij nuk i kemi asnjë borxh, përkundrazi.

Pra ju. z. Hila nëse besoni në moralin e mirënjohjes, që ne si shqiptarë duhet të kemi ndaj këtyre njerëzve, atëherë duhet të besoni po ashtu se ata kur u sollën kështu karshi çështjes shqiptare po i shlyenin një mirësi të mëparshme që shqiptarët iu bënë atyre, ndaj dhe ne nuk iu kemi asnjë borxh sivëllezërve të tyre hebrenj sionistë dhe politikës aparteidale dhe kriminale që ata kryejnë karshi palestinezëve.

Nga shprehja përçmuese që ju përdorni për flamurin e Palestinës, duke e quajtur atë “bezen e arabëve të Palestinës”, tregon se në fakt jeni po aq racist dhe suprempacistë sa sionistët, që nuk duan që të ekzistojë shteti i Palestinës.

E çuditshme me ju që flisni për moral mirënjohje ndërkohë që keni një moral racist ndaj arabëve!

Sigurisht të qenit korrekt politikisht nuk iu lejon të shprehni gjithë mllefin dhe urrejtjen që ju keni ndaj arabëve apo edhe muslimanëve, por edhe kaq sa keni thënë tregon se përbrenda keni shumë më tepër urrejtje ndaj tyre, sepse siç thotë populli çfarë ka barku nxjerrë bardhaku.

Ju z. Hila i referoheni vetëm lajmeve të deformuara dhe të fryra sioniste, ndërkohë për të qenë të drejtë e të paanshëm duhet të shihni edhe palën tjetër si dhe palët e treta, për të kuptuar sesa të vërteta janë demonizimi që i bëhet rezistencës palestineze.

Ne z. Hila e kemi dënuar dhe dënojmë çdo krim që bëhet ndaj civilëve të pafajshëm, qoftë ky nga Hamasi apo dikush tjetër, por juve me sa duket nuk i keni dëgjuar ato, ose kërkoni që për shkak të tyre të harrojmë monstruozitetin që shteti sionist ushtron për dekada ndaj palestinezëve, të harrojmë vrasjet, krimet, burgosjet, embargon, diskriminimin, grabitjet e tokave, shembjen e shtëpive, dëbimin, persekutimin dhe aparteidin që sionistët kryejnë ndaj palestinezëve, sepse sipas jush ajo që ka bërë Hamasi qenka më e madhe sesa e gjitha kjo!

Ju z. Hila harroni se ajo që ndodhi në 7 Tetor nuk qe vetëm se pasojë e politikës që shteti sionist ka ushtruar për dekada ndaj palestinezëve dhe Gazës në veçanti, siç e thotë këtë troç dhe qartë gazetari hebre Gideon Levy në gazetën izraelite Haaretz të nesërmen e sulmit, si dhe të tjerë madje, të cilët hebraizmi i tyre nuk i pengon aspak të jenë kundra shtetit sionist dhe politikave të tij kriminale.

Emocioni dhe patetizmi me të cilin keni shkruar mbështetjen dhe justifikimin tuaj, aspak etik dhe të turpshëm për krimet sioniste, iu kanë verbuar të shihni realitetin dhe të jeni i drejtë.

Pikërisht në emër të “mirënjohjes” për të cilën ju flisni duhet të kuptoni se nuk mund të ketë shprehje mirënjohje duke shkelur drejtësinë dhe përligjur krimin, edhe nëse këtë krim e kryejnë madje prindërit e tu, të cilëve iu je borxhli më shumë se kujtdo njeriu tjetër në këtë botë.

Me që jemi tek hebrenjtë dhe mirënjohja, po ju kujtoj një pasazh nga historia e Moisiut me Faraonin. Kur Moisu i kërkoi ndër të tjera Faraonit t’i jepte lirinë hebrenjve, që të largoheshin bashkë me të nga Egjipti, Faraoni i kujtoi borxhin e mirësisë që Moisiu kishte ndaj tij, duke qenë se ishte rritur në shtëpinë e tij. Dhe Moisiu i tha: Ti po më përmend mua mirësinë që ke bërë ndaj meje, ndërkohë që i ke kthyer në skllevër bijtë e Izraelit?!

Kështu pra z. Hila, të mirën që personalitet amerikane me origjinë hebraike i kanë bërë shqiptarëve -për të cilën iu jemi mirënjohës -pas Zotit- nuk mund ta shkëmbejmë me mbështetjen për krimin dhe padrejtësinë që shteti sionist ushtron ndaj arabëve palestinezë, apo të dënojmë “rebelimin e skllevërve”, siç shprehet profesori politolog amerikan hebre Norman Finkelstein, për palestinezët e Gazas.

Zoti dhe më pas historia i ka gjykuar rëndë gjithmonë ata që kanë mbajtur anën e krimit. Ju keni zgjedhur të jeni verbërisht në anën tij. Ju qofshi!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit