Shumica e dijetarëve nga hanefitë, malikijtë, shafi’itë dhe hanbelitë janë të mendimit se nuk lejohet falja e borxhit të një personi të paaftë për ta shlyer atë dhe llogaritja e tij si zekat. Në këtë përfshihet edhe ndalimi i zbritjes së qirasë së prapambetur që qiramarrësi nuk ka mundur ta paguajë nga zekati i pasurisë së pronarit.
Kjo bazohet në disa konsiderata juridike islame, ndër to:
Së pari:
Parimi themelor i marrëveshjes nuk ishte me qëllim zekatin, por me qëllim huazimin ose shitjen. Rregulli juridik thotë:
“Veprat vlerësohen sipas qëllimeve.”
Së dyti:
Zekati është një detyrim i domosdoshëm mbi atë që e jep, dhe përgjegjësia e tij nuk bie përveçse duke ia dorëzuar atë përfituesve të ligjshëm, siç e ka përmendur Neveviu në librin El-Mexhmu’.
Së treti:
Zekati në Sheriat bazohet mbi dhënien dhe dorëzimin. Allahu thotë:
“Falni namazin dhe jepni zekatin.”
“Merr prej pasurive të tyre sadaka.”
Falja e borxhit është lirimi nga detyrimi, jo dhënie dhe as marrje.
Po ashtu, Profeti ﷺ i tha Muadh ibn Xhebelit رضي الله عنه:
“Njoftoji se Allahu ua ka bërë obligim sadakanë në pasuritë e tyre, që merret nga të pasurit dhe u kthehet të varfërve.”
Ndërsa falja e borxhit nuk përmban dy shtyllat: marrjen dhe kthimin.
Së katërti:
Nuk lejohet që njeriu ta përdorë zekatin për përfitim personal apo për mbrojtjen e pasurisë së tij nga humbja. Llogaritja e një borxhi të humbur si zekat është një lloj rikthimi i pasurisë së humbur përmes zbritjes nga një detyrim fetar.
Së pesti:
Serahsiu ka përmendur në librin El-Mebsut se zekati për borxhin bëhet detyrim vetëm pas marrjes së tij. Nëse huadhënësi e fal borxhin para se ta marrë, atëherë bie objekti i detyrimit dhe nuk mund të llogaritet si zekat.
Së gjashti:
Zekati është dhënie në pronësi për të varfrin, sipas fjalës së Allahut:
“Sadakatë janë për të varfrit dhe nevojtarët…”
Ndërsa borxhi është një detyrim në përgjegjësinë e borxhliut, jo një pasuri që ai e zotëron dhe e disponon.
Dikush mund të pyesë: Cilat janë zgjidhjet dhe rrugët ligjore të lejuara?
Përgjigjja është nga disa aspekte:
Së pari:
Falja e borxhit me qëllim sadakaje vullnetare.
Huadhënësi mund ta falë borxhin me qëllim sadaka (jo zekat të detyrueshëm), duke shpresuar shpërblim të madh. Allahu thotë:
“Nëse borxhliu është në vështirësi, atëherë jepini afat deri sa t’i lehtësohet gjendja. E nëse e falni, është më mirë për ju, nëse e dini.”
Së dyti:
Dhënia në pronësi, pastaj shlyerja (pa marrëveshje paraprake).
Lejohet që dhënësi i zekatit t’ia japë zekatin të varfrit borxhli për shkak të varfërisë së tij, duke ia dhënë në pronësi të plotë, pa kushtëzim që ta kthejë për shlyerjen e borxhit.
Nëse i varfri e merr, bëhet pronë e tij, dhe pastaj ai vetë, pa marrëveshje paraprake, ia paguan borxhin huadhënësit, kjo është e lejuar dhe e vlefshme.
Së treti:
Mosdetyrimi i zekatit për borxhin e pashpresë për t’u kthyer.
Sipas shumicës së dijetarëve, nuk ka zekat mbi borxhin që nuk pritet të kthehet (borxhi i vdekur), përveçse pasi të merret.
Prandaj, nuk ka nevojë fetare që të zbritet nga zekati i pasurisë së pranishme, përderisa ai nuk është detyrim që në thelb.
Allahu e di më së miri.
Dr. Habab ibën Mervan El-Hamed
