9.4 C
Pristina
Saturday, May 4, 2024

Për të kuptuar atë që po ndodh në Iran: kush proteston dhe roli i Rojeve Revolucionare, armiq të urryer të Trump-it dhe shokë të Putinit

Më të lexuarat

Protestat e zhvilluara në Iran kanë ndezur pas 10 vjetësh një nga shtetet më të mëdha dhe influente të Lindjes së Mesme dhe Gjirit Arabik.

Irani me mbi 80 milionë banorë dhe një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës, por edhe me një histori mjaft të pasur, përbën një shtet të rëndësishëm si nga ana gjeopolitike, ashtu dhe nga ajo ekonomike e ushtarake.

Lajmet dhe komentet deri tani që vijnë nga Irani, si përgjithësisht ndodh me Lindjen e Mesme, janë të dyzuara: Perëndimi mban anën e protestuesve, e merr kryesisht lajme nga opozita iraniane, e cila ka seli në Paris e Tiranë, ndërkohë që Teherani dhe aleatët e tij mallkojnë protestuesit.

Po realisht ç’po ndodh atje?

Siç bëjnë të ditur disa media të ekuilibruara dhe të lidhura në terren, siç është Al Jazzera, protestat duket se përbëjnë një shkëndijë të një lëvizjeje antiqeveritare, që natyrisht po përdor pakënaqësitë ekonomike.

Presidenti i Iranit, Hasan Rohani, i cili u rizgjodh pas marrëveshjes për armët bërthamore me SHBA-në, priti shumë se me heqjen e sanksioneve ndaj Iranit do të rritet ekonomia e vendit dhe do të shtoheshin eksportet.

Aq shumë ishte pritshmëria në Iran për një zhvillim të madh ekonomik, sa zhgënjimi ishte i menjëhershëm, pasi mrekullia nuk mund të vinte shpejt. Irani ka një sistem politik me disa parti, por përzgjedhjen se kush do të zgjidhet e bën Këshilli Revolucionar që udhëhiqet nga Ali Khamennei, që është edhe Drejtuesi Suprem i Vendit.

Perëndimi e quan sistemin politik të Iranit “regjimi i mullahëve”, pasi i referohet këshillit suprem, të cilët janë klerikë shia që u përzgjodhën nga drejtuesi i revolucionit iranian në 1979-n, Ajatullah Khomeini.

Khomeini, ishte një klerik shia dhe lider politik që rrëzoi monarkinë 2500-vjeçare persiane dhe themeloi “Republikën Islamike të Iranit”. Ali Khammenei, lideri suprem i vendit, në një twitt akuzoi “armiqtë e huaj që kanë organizuar dhe financuar gjithçka”.

Donald Trump, sërish në një twitt akuzoi qeverinë e Teheranit se po shkel të drejtat e njeriut dhe ka harxhuar paratë që u ka dhënë Barack Obama në luftën e Sirisë, financimin për rebelët houthi dhe rebelët shia në Bahrein. Trump akuzoi Rojet Revolucionare se ata që po shtypin protestat me dhunë dhe shpalli sanksione të reja ndaj këtij institucioni shumë të fuqishëm të Iranit.

Po kush janë Rojet Revolucionare?

Ata janë një trupë shumë kryesore dhe influente militare në vend që janë organizuar në të gjitha qytetet e Iranit, ku kanë stacionet e tyre por edhe jashtë vendit.

Rojet që persisht quhen “Pasdaran” kanë trupa tokësore, ajrore, forca speciale dhe Flotën Detare të tyren. Ata u bënë të famshme në Liban ku krijuan Hezbullahun në vitin 1982, në luftën Iran-Irak, në Siri ku ishin aktor kryesor në përkrahjen ndaj Bashar Al Asadit, në Jemen ku përkrahën rebelët houthi etj.

Rojet Revolucionare numërojnë 120 mijë ushtarë të rregullt në radhët e tyre. Me sistemin e rezervistëve ata mund të mbledhin edhe 1 milionë rekrutë. Ata u krijuan në vitin 1979 si forcë mbështetëse e Revolucionit dhe varen direkt nga lideri suprem.

Në vitin 2007, ata morën në pyetje edhe presidentin e asaj kohe Mahmoud Ahmadinejad për llogari të Khammeneit. Morën gjithashtu famën në luftën Iran-Irak në vitin 1980, megjithëse në terren nuk patën shumë sukses, por luftonin me vullnet dhe devotshmëri.

Rojet Revolucionare janë kthyer në një forcë konkurente e Forcave të Armatosura, por edhe në një fuqi ekonomike dhe influente pasi zotërojnë aksione në shumë konsorciume në industrinë e naftës dhe atë petrokimike.

Brigada Quuds apo “Mbrojtësit e Jerusalemit” që drejtohen nga gjenerali Qasem Soleimani i ka bërë “Pasdaran”-ët mjaft të famshme në median botërore.

Gjatë konfliktit sirian, presidenti rus Vladimir Putin nuk kryente asnjë veprim pa u takuar dhe konsultuar me gjeneralin Qasem Soleimani(Qazim Sulejmani), i cili shikohet sot si një nga njerëzit më influentë në Lindjen e Mesme.

Izraeli e ka vënë tek njerëzit kryesorë në kërkim, ndërkohë që SHBA e konsideron si terrorist. Rojet Revolucionale me konfliktet e fundit në Siri, Jemen e Bahrein, morën namin si një grup më shumë i njëanshëm dhe mercenarë, duke prishur ekuilibrat politikë në Iran.

Protestat e tanishme duken si një shpërthim pakënaqësish ku secili nga grupet politikë kërkon të përfitojë. Të parët janë natyrisht Muxhahidinët e Popullit apo MEK, një pjesë e të cilëve janë transferuar në Shqipëri prej Irakut në 2015-n.

Ata janë jashtë ligjit, por shpresojnë se me këtë lëvizje të hyjnë politikisht në lojë. Në sitin e NCR-së, e cila ka selinë në Paris, theksohet se protestat kryhen nga përkrahësit e kësaj opozite. Në një farë mënyre opozita iraniane po kryen një aktivitet të dendur në Shqipëri dhe për këtë ka mbështetjen e fortë të administratës Trump.

Po a do të ketë një problem Tirana zyrtare për këtë? Portali në shqip i qeverisë iraniane ParsToday ka çdo ditë pamflete kundër qeverisë së Edi Ramës që e akuzon për lidhje të forta me Trump kundër Iranit. Por fatmirësisht gjithçka po zhvillohen vetëm në kuadër të fjalëve dhe betejës së portaleve. /tesheshi.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit