6.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Pas vështirësive, vjen lehtësimi

Më të lexuarat

Nga: Dr Abdul Kerim Bekkar

Pas vështirësive, vjen lehtësimi

Ky ajet kuranor përcjell mirësi të shumta tek lexuesi, pasi ai përmban sihariq për besimtarët se vuajtja ka fundin e saj sado të zgjasë, se errësira pasohet nga drita e agimit. Fenomeni i alternimit të mirës me të keqen, është një fenomen që ndodh paralelisht si në univers, ashtu dhe në botën shpirtërore dhe materiale të njeriut. Njeriu gjendet mes suksesit dhe dështimit, mes vajtjes dhe ardhjes, të mirës dhe të keqes. Sprovat janë një nga tiparet e jetës së kësaj bote.
Ky ajet, përcillte shpresë dhe optimizëm në zemrat e shokëve të Profetit a.s, Zoti qoftë i kënaqur me ta, të cilët jetonin në kushte të vështira. Zoti ua konfirmonte premtimin e Tij, se situata do të përmirësohej. Abdullah ibnu Mesudi thoshte:”Nëse vështirësia do të ishte strukur brenda një shkëmbi, lehtësimi do gjurmojë derisa ta gjejë dhe ndryshojë.”
Ajeti është një sihariq për njerëzit në vuajtje dhe në telashe, se pas vuajtjeve të tyre, do të pasojë lehtësimi dhe mirësia.

Sihariqi në kohë disfatash
Sot, ne kemi më shumë se kurrë nevojë për sihariqe dhe përgëzime, si ajeti në fjalë. Myslimanët ballafaqohen me një sërë disfatash, dështimesh dhe vuajtjesh. Tek një pjesë e mirë e tyre dominon frymë pesimiste dhe demoralizimi. Ata ndjejnë se u ka humbur shpresa dhe ndihen të dorëzuar dhe të pafuqishëm përballë zhvillimeve dhe situatave që u imponohen. Këtë gjendje e kanë përkeqësuar dhe ato që njihen si “Zhargoni i rrugës së mbyllur”, i cili karakterizohet nga ankesat e përhershme nga gjithçka dhe për çdo gjë, zhgënjimi i miqve, komplotet e armiqve, trashëgimia e paraardhësve, sjelljet e fëmijëve dhe nipërve etj…
Këta persona në krizë, i orientojnë gishtat e akuzës gjithmonë nga jashtë. Me veten, ata ndihen shumë mirë, janë të tjerët ata që e kanë fajin për gjithçka që u ndodh. Nëse pikasin dikë që ndjek formatin praktik, larg vrimave të hapura në ujë, i çirren gjithë pasion:”Kot e ke, nuk do të lënë të punosh, nuk ke asnjë shans për të edukuar brezin e ri, nuk do të lënë të bëhesh kolos, nuk të lënë…”
E gjitha kjo, e shton dozën e dembelizmit dhe plogështisë. Tashmë, pritet vetëm Mehdiu shpëtimtar, për t’iu bashkangjitur ushtrisë së tij triumfuese.

Shkaqet e kësaj gjendje pesimizmi
1 – Edukimi fillestar që merr individi, ai edukim i cili kultivon shpirtin disfatist dhe pesimist, se mileti nuk mund të ndreqet. Ky lloj edukimi kultivon armiqësinë mes individit dhe mjedisit përreth të cilit i përket. Duke u ndjerë i pashpresë, ai fillon edhe izolohet emocionalisht nga njerëzit dhe kërkon një identitet më specifik, familjen, qytetin, krahinën, apo një grupacion të caktuar, me të cilin e largon ndjesinë e të qenit i huaj nga njerëzit e tjerë. Por, shumë shpejt zbulon se ata që i mendonte si njerëzit idealë dhe ata tek të cilët kishte varur shpresat, nuk ndryshonin shumë nga të tjerët. Kjo ia thellon akoma më shumë ndjesinë e demoralizimit dhe humbjes së shpresës. Ai e humbet besimin tek të gjithë njerëzit që e rrethojnë dhe rezultati është një masiv ankesash, pakënaqësish, uff-esh pa fund dhe reagimesh pasive dhe negative karshi sfidave të ndryshme.

2 – Konsiderimi i aktualitetit si një bllok solid
Shumë njerëz anojnë nga këndvështrimi thjeshtëzues i gjërave, duke i shpjeguar fenomenet vetëm me një shkak të vetëm, duke parë vetëm një përbërës të vetëm të tyre. Ky këndvështrim i gabuar, çon në gabime trashanike të mëdha në metodën e ndjekur të punës. Këta njerëz janë të paaftë në ndarjen dhe kategorizimin e problemit.
Rezultati është se qëndrojnë si të topitur para problemit, të cilit nuk ia dinë as fillin dhe as fundin, dorëzohen para aktualitetit në pritje të mrekullisë. Nëse do të merreshin me punë, ajo që sot u duket e pamundur, nesër do të bëhej aktualitet.

3 – Neglizhimi i faktorëve të brendshëm të problemit
Rrallë herë ndodh që për një fenomen të caktuar, të mos ndërthuren një sërë faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm. Gjithsesi, faktorët e jashtëm mbeten shumë të kufizuar, nëse nuk mbështeten nga faktorë të brendshëm. Kurani famëlartë e cek këtë fakt, kur thotë:” nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak.” (Al Imran, 120)
Ajo që na ndodh neve, është se fokusohemi vetëm tek faktorët e jashtëm, të cilët padyshim që janë të fuqishëm, duke mbyllur sytë tek ato të brendshëm. Ne për shembull nuk e kemi të mundur ti bindim armiqtë tanë që ta ulin revanshin e tyre ndaj nesh, ashtu siç nuk mund ta pengojmë borën dhe shiun të bjerë. Ajo që ne mund të bëjmë, është që të fortifikojmë sistemin tonë të mbrojtjes dhe ushtrojmë vetet tona, që të mos shndërrohemi në një kafshatë që kapërdihet lehtë. Gjithmonë, konfrontimi më i vështirë, mbetet konfrontimi me veten dhe zbulimi më sublim, është ai i vetes.
4 – Mungesa e ndërgjegjësimit rreth dinamikës dialektike
Rrethanat dhe kushtet alternohen njëlloj siç alternon nata dhe dita. Pas majës më të lartë, gjendet humnera më e thellë. Ta çosh një çështje në kufijtë e saj më ekstremë, do të thotë ta copëtosh, ose ti japësh fund plotësisht. Kur një përvojë apo një teori mbërrin në rrugë të mbyllur, njerëzit do të kërkojnë një dalje, e përshtatshme apo e papërshtatshme qoftë.
Këtu del në pah roli trekëndor i intelektualëve, komplotistëve dhe trutharëve, të cilët orvaten – sigurisht me qëllime të ndryshme – që problemi të mos arrijë kulmin e shpërthimit, port ë vazhdojë pafundësisht. Problemet e botës tonë islame, nuk do të zgjasnin kaq shumë po të mos ishte trekëndori i sipërpërmendur. Këtu dua të cek dhe rolin e intelektualëve dhe mendimtarëve që kanë sensin kritik të përgjithshëm, nëpërmjet të cilit përcjellin tek njerëzit problemet problemet e shoqërisë, me qëllim që të mos familjarizohen me to.
“Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi! Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi!” (Inshirah, 5-6)
Triumfi dhe fitorja fshihen pas durimit dhe punës. Brenda çdo sprove dhe fatkeqësie, qëndron embrioni dhe çelësi i zgjidhjes. Të gjithë problemet dhe hallet që kemi sot, kanë zgjidhjet e tyre të përshtatshme, nëse u gjendet mendja dhe truri i motivuar.

Perktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit